TIRANE- Duke filluar nga java e ardhshme, Ministria e Shëndetësisë do t’i japë një prioritet urgjencave në zonat turistike, kjo për vetë faktin e shtimit të turistëve në këto zona për rreth 3 muaj.
Ministri i Shëndetësisë me anë të një urdhri ka kërkuar që vëmendja më e madhe në këtë sezon t’i kushtohet sëmundjeve të zemrës, traumave dhe sëmundjeve epidemiologjike që favorizohen nga kushtet e motit.
 
Masat
Duke filluar nga data 15 qershor çdo qendër shëndetësore në zonat turistike hyn në sistemin e gatishmërisë, duke nisur nga java tjetër. Ministri i Shëndetësisë ka nxjerrë urdhrin që ve në sistem 24 orësh mjekët në pjesën turistike të vendit, si në bregdet ashtu edhe në mal. Zv/ministrja Milva Ikonomi sqaron mënyrën se si do të funksionojë shërbimi shëndetësor, për të pritur mijëra turistë. Sipas saj, arrestet kardiake dhe traumat janë dy nga fenomenet më të hasura gjatë verës, ndaj vëmendja është përqendruar aty.

“Do të kemi një shërbim të organizuar të urgjencës, kjo do të thotë se për 24 orë ky shërbim do të jetë i arritshëm. Për ato zona që nuk kanë autoambulanca, këto të fundit do të ofrohen nga shërbimi spitalor për të përballuar rastet e urgjencave. Po kështu edhe helikopteri i urgjencës do të jetë në shërbim të popullatës që pushon në këto zona”, ka theksuar Ikonomi. Po kështu në urdhrin e ministrit është përcaktuar që edhe pushteti vendor të jetë bashkëpunues për vendosjen në dispozicion të mjediseve të tjera në rast nevoje, duke mundësuar ofrimin e një shërbimi shëndetësor të jetë sa më afër pushuesve.
 
Problematika
Sëmundjet epidemiologjike në periudhën e verës kërkojnë një vëmendje të veçantë ndaj MSH është duke monitoruar edhe ndotjen e ujit pasi ai mund të jetë shkak i epidemive. Përgjatë bregut nga Vlora në Sarandë, ku është edhe problematika më e madhe, janë vendosur 60 pika monitorimi, ku është evidentuar ndotja e ujit të pijshëm. Po kështu masa të tjera që po merren në këtë sezon janë edhe ato për zhurmat nga lokalet në bregdet si dhe ndotja e ujit të detit, por zhdukja e këtyre problematikave i përket një procesi më të gjatë. Sa i takon urdhri të gatishmërisë së urgjencave pranë plazheve, ai do të funksionojë deri në 15 shtator. 

urdheri
(Në foto: Faksimile e urdhërit të Ministrit Beqaj për sezonin turistik)

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 10 qershor 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)