Utopia: Sikur të punohej 4 orë në ditë

Utopia: Sikur të punohej 4 orë në ditë

Alba Malltezi

Në Francë protestohet për rritjen e moshës së pensionit dhe në rrugë dëgjohen thirrje dhe parrulla që kurrë nuk janë dëgjuar më parë në Europën e punës dhe të sakrificës: “Ka jetë edhe përtej punës!”

Pas pandemisë po ndodhin gjëra që askush nuk i kishte imagjinuar: Njerëzit kërkojnë punësim, por kërkojnë edhe dinjitet në kushtet e punës. Kudo në Europë kërkohet personel në çdo profesion: Kërkohen mjekë, infermierë, punëtorë, kuzhinierë, baristë, kamarierë, bukëpjekës, rrobaqepëse, parrukiere etj, etj. Ka vende bosh në çdo profesion. Gjithnjë e më pak janë ata që sakrifikojnë apo vetëanulohen për punën. Është një valë gjigande ndjenje që po prek të rinj e të rritur, burra dhe gra. Në realitetet e civilizuara po vjen një tjetër ndërgjegje: Njerëzit duan më shumë kohë për Art, për Natyrë, për kafshët, për fëmijët, për familjen për veten. Ditë pas dite të humbura në trafiqe energjishteruese, zinxhirë frymëmarrëse prodhimesh, duket se nuk i bën më njerëzit të bien dakord.

Po sikur të punohej katër orë në ditë? A është kjo hapësira më e parshtatshme dhe dinjitoze njerëzore si për një nënë, për një baba, për një të ri apo për një të re që janë në hapat e parë të krijimit të bërthamave familjare dhe socializimit?

Menjëherë ekonomistët dhe pragmatikët do të qeshnin me të madhe duke treguar se nuk dalin numrat, shifrat, llogaritë.

E vërtetë, por a do të ishte politika më e mirë ajo që nuk do ta zinte gjumi i natës për të gjetur një zgjidhje? Për të ndarë në mënyrë njerëzore, të pranueshme, logjike burimet financiare që përfitohen nga të ardhurat e pasurive tokësore e të grumbulluara në përmasa gjigande në pak njerëz?

Nëse një miliarderi në Suedi i mjafton një apartament 120 metra katrorë për të jetuar shumë mirë me vajzën dhe nënën e tij, pse një miliaderi në çdo vend tjetër të botës nuk i mjaftojnë dhjetëra vila, qindra makina, shumicën e të cilave nuk i përdor apo frekuenton as edhe njëherë? Më të mirët, më të zgjuarit dhe më të zotët është e logjikshme dhe e drejtë të kenë më shumë, por jo jashtëzakonisht më shumë, apo tejmase më shumë.

A mund të punohet 4 orë në ditë në një administratë publike për shembull? Sigurisht utopi, sigurisht e lehtë ta thuash pa bërë asnjë llogari, por nëse në 4 orët e tjera punësohen të rinj, apo kontribuojnë pensionistë që nuk kanë dëshirë të vazhdojnë të mos bëjnë asgjë (dhe ka të tillë), do të krijoheshin hapësira të jashtëzakonshme, të dyfishta e trefishta dhe për punësim apo ripunësim.

Francezët po kërkojnë sot me zjarr dhe me protesta atë që ne shqiptarët e kemi marrë pa bërë zë: 2 orë në punë e 1 orë në kafe, në fund të fundit, është një mënyrë për të kaluar ato 8 orë. Atëherë, nëse e dimë shumë mirë që jetojmë në një hipokrizi, pse nuk del dikush që e vret mendjen shumë e di të bëjë mirë llogaritë e të zbulojë energjitë e vdekura që fshihen në pasuri që shfrytëzohen 1 herë në vit, apo nëpër kafene e raporte mjeksore të sajuara, mbledhje të pafundme sindikaliste që nuk zgjidhin asgjë në të vërtetë?

Sinjalet në Francë janë të një shoqërie që nuk është më dakord me të tanishmen dhe që pretendon tjetër gjë për të ardhmen. Utopia e pak orëve punë të bëra mirë dhe me ndërgjegje dhe të më shumë orëve në dispozicion për fëmijët, familjen natyrën, artin dhe vetveten, është një e ardhme që mund të bëjë një botë më të barabartë dhe të mirë.

a.m./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë