/ATSH/.- Komisioni parlamentar i Ligjeve po shqyrton të martën dekretet e Presidentit të Republikës për plotësimin e dy vendeve vakante në Gjykatën e Lartë.
Kandidaturat e propozuara nga kreu i shtetit janë gjyqtarët Fuat Vjerdha dhe Markelian Koça, me një eksperiencë 20-vjeçare në sistemin gjyqësor shqiptar.
Dekretet e presidentit, të shpallura më 16 janar 2015, do të shqyrtohen nga deputetët bazuar në ligjin e ndryshuar "Për Gjykatën e Lartë", i miratuar nga maxhoranca në parlament në seancën e fundit plenare të vitit që shkoi. Ndryshimet në këtë ligj parashikojnë procedura të reja në emërimin e anëtarëve të trupës më të lartë gjyqësore në vend, të cilët do të përzgjidhen nga një strukturë e veçantë e quajtur Këshilli për Emërimet.
Ndryshimet ligjore u kundërshtuan nga Kreu i shtetit, i cili më 9 janar e ktheu ligjin për rishqyrtim në parlament, me argumentin se vlerësimi i kandidaturave është një ekskluzivitet i Presidentit të Republikës.
Prej më shumë se një vit e gjysëm dy vendet bosh në këtë Gjykatë mbeten të paplotësuara për shkak të mosmarrëveshjeve mes Presidentit dhe maxhorancës, ku kjo e fundit i ka rrëzuar deri më sot të gjitha kandidaturat e propozuara nga Kreu i Shtetit.