Mazhoranca ka vendosur të mbështesë ish kryetaren e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj dhe pedagogët Matilda Shehu e Selami Xhepa për të hyrë në këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Report TV mëson se vendimi është marrë në mbledhjen e grupit të PS këtë të hënë, i cili ka vënë si kriter përzgjedhës, mos rinovimin e mandatit për ish anëtarët e Këshillit Mbikqyrës që ishin përfshirë në garë. Një zgjedhje që ka lënë automatikisht jashtë garës, mes të tjerëve, dhe Luljeta Minxhozin, e cila deri më tani ka qenë edhe zëvendësguvernatore e Parë.
Aktualisht janë 6 vakanca në Këshillin e Bankës, nga të cilat 3 i zgjedh Kuvendi i mes 20 kandidatëve që u vetëofruan, dhe 3 propozime i bën qeveria. Këshilli i Ministrave deri më tani ka propozuar ish ministrin e financave Ervin Meten dhe Jonida Priftin që vjen nga sektori bankar, dhe mbetet për të bërë edhe një propozim.
Në seancën dëgjimore në Komisionin Ekonomisë, propozimet e qeverisë prezantuan fokusin e tyre në këshillin e bankës.
“Qëllimi im do të ishte të kontribuoj në një vendimmarrje sa më të konsoliduar, të balancuar dhe të orientuar drejt stabilitetit afatgjatë financiar, në përmbushje të plotë të mandatit dhe funksioneve të këtij institucioni kyç për stabilitetin financiar, politikën monetare dhe ekonominë e vendit në përgjithësi”, u shpreh ish ministri i financave Ervin Mete.
“Karriera ime prej më shumë se dy dekadash është ndërtuar tërësisht në sektorin bankar dhe atë financiar, e ndarë mes shërbimit në Bankën e Shqipërisë, me eksperiencës ndërkombëtare në Bankën e Zhvillimit të Këshillit të Evropës në Paris. Nëse më besohet kjo detyrë, angazhohem ta ushtroj me ndershmëri, profesionalizëm dhe përgjegjësi të plotë ndaj interesit publik. Me synimin për të garantuar që Banka e Shqipërisë të mbetet e fortë, e besueshme dhe me standarde evropiane”, tha Jonida Prifti.
Propozimi i ish-ministrit të Financave, Ervin Mete, për anëtar të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë ka marrë mbështetje publike në Komisionin e Ekonomisë, ku deputeti Erion Braçe e cilësoi atë si një profil të kompletuar, me formim, përvojë dhe integritet të padiskutueshëm për funksionin që synon të marrë.
Sipas Braçes, kandidatura e Metes është “një kandidaturë e kompletuar në raport me kriteret që kërkon puna në Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë”, duke nënvizuar se përvoja e tij në drejtimin e financave publike dhe në hartimin e politikave makroekonomike përbën një vlerë të shtuar për institucionin qendror bankar.
Jo vetëm kandidaturat e ekzekutivit, por edhe propozimet e tjera, do të miratohen më pas në seancë plenare. Ndërkohë puna e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë është e bllokuar pasi gjashtë anëtarëve u ka mbaruar mandati, për pasojë këshilli nuk mund të marrë asnjë vendim derisa të plotësohet bordi me anëtarët e rinj.
Komente








