Vaksinat antiCOVID, Evropa dhe Shtetet e Bashkuara harrojnë vendet e varfra, Kina dhe Rusia jo

Vaksinat antiCOVID, Evropa dhe Shtetet e Bashkuara harrojnë vendet e varfra, Kina dhe Rusia jo

Me çdo javë që kalon që nga fillimi i fushatës së vaksinimit  kundër COVID-19, njëjtë rriten diskutimet për rritjen e pabarazive ekonomike midis vendeve më të pasura dhe atyre me të ardhura të yulëta dhe të mesme. Para pak ditësh Evropa njofton blerjen e një kësti të dytë të vaksinës Pfizer dhe BioNTech për 300 milion doza të tjera, në një kohë që po zhvillon edhe bisedimet me kompaninë farmaceutike Valneva për vaksinën e tetë, duke bërë që hendeku të bëhet gjithnjë e më i madh.  Nga rreth 12 miliardë doza  që pritet të prodhohen në total në 2021, rreth 9 miliardë janë rezervuar tashmë nga një numër i vogël i vendeve, përkatësisht Shtetet e Bashkuara, Kanada, Mbretëria e Bashkuar, Zelanda e Re, Australia dhe vendet anëtare të BE-së. Evropiane

Bashkimi Evropian do të ketë rreth 2 miliardë doza , më shumë se dyfishi i popullsisë totale prej 446 milionësh duke marrë parasysh që vaksinat kërkojnë dy doza.

Disa qeveri të vendeve prodhuese kanë ndërmarrë veprime., si në rastin e Indisë, një nga prodhuesit më të mëdhenj të vaksinave në botë dhe e dyta në botë sa i përket numrit të infeksioneve pas Shteteve të Bashkuara. Qeveria Delhi i ka vendosur kompanisë farmaceutike që prodhon vaksinën AstraZeneca, t’i japë përparësi absolute vendit të tyre për të paktën tre muaj, në mënyrë që të sigurohen 100 milion dozat e para të vaksinës në Neë Delhi. 

Megjithatë mjeshtrat e rinj të diplomacisë së vaksinimit janë Kina dhe Rusia.

Diplomacia kineze e vaksinës

Vaksina kineze e zhvilluar nga Grupi Kombëtar Farmaceutik kinez (SinoPharm) u miratua në Kinë në fund të Dhjetorit pasi raportoi një normë efikasiteti prej prej rreth 79%  megjithëse në shtete të ndryshme ka dhënë shkallë të ndryshme efikasiteti. Qëllimi është që të jepen 50 milion doza falas deri në 5 Shkurt. Në maj të vitit 2020, Presidenti kinez Xi Jinping premtoi se sapo të përfundonte vaksina, ajo do të vihej në dispozicion të vendeve në zhvillim me çmime të volitshme për të gjitha vendet në zhvillim si një "e mirë publike globale". Premtimi i Xi Jinping  është një shembull konkret i në diplomacisë shëndetësore të ndërmarrë nga Kina që nga muajt e parë të fillimit të pandemisë, gjithashtu  një përpjekje e tyre për të larguar vëmendjen nga ngjarjet në Wuhan. Virusi fillimisht u transmetua në Itali, ku sërish Kina dërgoi mjekët kinezë dhe pajisjet mbrojtëse të prodhuara nga kinezët për të ndihmuar vendin.

Pavarësisht nga efikasiteti i saj i ulët krahasuar me shumicën e vaksinave të tjera të aprovuara - përfshirë edhe atë ruse, vaksina kineze mund të ruhet në temperatura midis 2 dhe 8 gradë Celsius, gjë që e bën atë edhe më tërheqëse duke pasur parasysh mungesat logjistike të vendeve në zhvillim. Ndër të tjera, Kina është e pozicionuar mirë në disa vende afrikane edhe falë zinxhirit të shpërndarjes të ndërtuar nga miliarderi i tregtisë elektronike Jack Ma, i Alibaba. Në dhjetor, kompania e tij gjithashtu arriti një marrëveshje me Ethiopian Airlines për të shpërndarë vaksinat Covid. Disa muaj më parë, ambasadorë dhe diplomatë nga vende të ndryshme afrikane - nga Sierra Leone në Niger vizituan impiantet e SinoPharm në Kinë, si hapi i parë në bashkëpunimin e tyre të vaksinimit. 

Afrika e Veriut është gjithashtu pjesë e sferës së vaksinimit kinez, aq sa një nga ekipet e para mjekësore kineze u dërgua në Algjeri ndërsa Maroku ka nënshkruar një marrëveshje me Pekinin për të prodhuar vaksinën. Dozat e para të vaksinës kanë mbërritur në Egjipt ndërsa doza të tjera duhet të mbërrijnë në fund të janarit, në kohë për të filluar fushatën e vaksinimit. Por diplomacia kineze shkon përtej kontinentit Afrikan dhe shpërndarja e vaksinës do të shtrihet edhe në vendet e Gjirit Persik, Amerikën Latine dhe Azinë Juglindore. Vaksina e dytë kineze - nga Sinovac Biotech - ka shitur tashmë më shumë se 300 milion doza në vendet e hemisferës jugore,  përfshirë Brazilin dhe Indonezinë.

Në total, Kina  synon të prodhojë një miliard doza në 2021, megjithëse nuk është ende e qartë se sa do të jenë të destinuara për vendet në zhvillim: vlerësimet e fundit flasin 400 milion doza por gazeta e Partisë Komuniste Global Times thekson se shumica e prodhimit do të shkojë në më shumë se 100 vende me të cilat vendi ka nënshkruar marrëveshje, pavarësisht nga fakti se ka rreth 1.39 miliardë njerëz në Kinë. CNN akuzoi Pekinin se ka bërë vetëm "premtime ", por ajo që është e sigurt është se nuk do të jetë e lehtë të ekuilibrosh kërkesën masive të brendshme me kaq shumë porosi nga jashtë.

Sputnik nëpër botë

Pas Kinës vjen Rusia. Vaksinimi me SPUTNIK V, u shfrytëzua nga propaganda ruse për shkak se është e para në botë që ka marrë aprovimin nga autoritet ruse dhe ka filluar injektimin masiv.  SPUTNIK V ka një shkallë efikasiteti prej 91.4%. Aq sa edhe Komisioni Evropian do të shfaqte interesin e tij për të dhe do të kishte kontakte të vazhdueshme midis EMA dhe prodhuesit rus. Në total, Rusia tha se deri tani ka 2 miliardë doza dhe do të dëshironte të prodhonte më shumë. Në ndërkohë eksportet kanë filluar. Në fund të dhjetorin Rusia kishte dërguar 300,000 doza në Argjentinë,  duke  shkaktuar protesta midis qytetarëve rusë në provinca të ndryshme ku do të mbërrinin vetëm disa mijëra doza.

Ashtu si në rastin kinez, ai rus ka avantazhin e të qenit më pak i kushtueshëm sesa vaksinat e përhapura aktualisht në Evropë dhe mbi të gjitha mund të ruhet në temperatura më të ulëta se vaksina Pfizer-BioNTech. Disa nga vendet që kanë lidhur marrëveshje për të marrë Sputnik V janë aleatë tradicionalë të Rusisë, siç janë ish-republikat Sovjetike të Bjellorusisë dhe Uzbekistanit. Në Amerikën Latine, përveç Argjentinës, edhe Bolivia, Venezuela, Meksika dhe Brazili kanë porositur miliona doza, ashtu si India.

Por Palestina mund të jetë flamuri kryesor i diplomacisë ruse të vaksinimit. E margjinalizuar nga Izraeli - kampion për numrin e përgjithshëm të vaksinave të administruara - Palestina mund të bazohet vetëm në Sputnik V. Rusia, ka njoftuar se do të shpëndajë një numër të paspecifikuar vaksinash në Bregun Perëndimor dhe Rripin e Gazës duke filluar muajin tjetër.

COVAX dhe kufijtë e solidaritetit perëndimor

Pra, nëse Kina thotë se është e gatshme të eksportojë shumicën e afërsisht 1 miliard vaksinave që planifikon të prodhojë në 2021 dhe Rusia madje mund ta tejkalojë atë, sa prej vaksinave të prodhuara nga Shtetet e Bashkuara dhe vendet e Bashkimit Evropian do të përfundojnë në vendet në nevojë ? 

Bashkimi Evropian së bashku me vendet e tjera dhe vetë Kina kanë vendosur të marrin pjesë në COVAX , një iniciativë e mbështetur nga organizata të ndryshme jofitimprurëse, qeveri dhe organizata ndërkombëtare si dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), i cili synon të garantojë qasje të barabartë në vaksinën anti-Covid, duke siguruar afërsisht 1 milion doza në 92 nga vendet më të varfra dhe 1 milion  vendeve me të ardhura të mesme.

Edhe nëse ata arrijnë të gjejnë fondet e nevojshme për të garantuar furnizimin e këtyre vaksinave - gjë që nuk ka ndodhur për momentin - kjo është një numër dozash të mjaftueshme për të mbuluar vetëm 20 % të popullsisë së vendeve më të varfra. Për më tepër, ka disa pika që ende duhet të sqarohen.

Së pari, hollësitë e marrëveshjeve ekonomike nën të cilat do të sigurohen doza të vaksinës në vende të ndryshme ende nuk dihen. Edhe nëse vendet më të varfra do të jenë në gjendje t'i blejnë ato me çmime më të ulëta, procesit i mungon transparenca. 

Për më tepër blerja e vaksinave nga vendet evropiane nuk ishte shumë e qartë: lista e çmimeve u bë publike nga një postim askidental i një ministri belg në rrjetet sociale.

Më në fund, në vendet me të ardhura të ulëta shpërndarja dhe administrimi i dozave ndoshta do të vazhdojë më ngadalë sesa në pjesën tjetër të botës. India për shembull ka të ngjarë që të vaksinojë të gjithë popullsinë e saj vetëm në 2024. Afrikën e Jugut, në anën tjetër, ndoshta do të duhet të presë deri në vitin 2025.

Kjo u deklarua në një konferencë për shtyp më 12 janar Pascal Canfin , eurodeputeti francez i cili është pjesë e drejtimit të shëndetit dhe sigurisë ushqimore të Komisionit i cili aktualisht merret me negociatat e progresit me kompanitë farmaceutike në emër të vendeve anëtare.

 “Nëse fillojmë të vaksinojmë njerëz në pjesën tjetër të botës vetëm pasi të kemi mbaruar vaksinimin e evropianëve, nuk do të funksionojë. E njëjta gjë ndodh nëse dërgojmë doza në pjesën tjetër të botës, sa kohë Evropa vazhdon të përballet me pandeminë. Është  e vështirë të gjesh një ekuilibër - kjo është ajo për të cilën akoma duhet të punojmë ", tha Confin.

Përktheu për Shqiptarja.com Suada Mehmetaj 

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja