Kryeministri Edi Rama ka kritikuar sërish opozitën për mosrespektimin e masave anti-COVID gjatë takimeve elektorale.

Në facebook, ai ka postuar një foto nga takimet e kreut të PD-së, Lulzim Bashës dhe një foto nga fushata e vaksinimit, ku të moshuarit presin në radhë duke ruajtur distancën sociale, për të treguar diferencën, që sipas Ramës shërben "si një provë kokëfortë e zgjedhjes që duhet të bëni në 25 prill".

"Vaksinimi dhe Infektimi vazhdojnë paralelisht, si një provë kokëfortë e zgjedhjes që duhet të bëni në 25 prill:

• Për shëndetin e popullit e familjes suaj apo për pushtetin e Saliut, Ilirit, Monikës e Lulit;

• Për Rindërtimin e zhdukjen e pasojave të tërmetit apo për një tjetër rrëshqitje tëposhtë të krejt Shqipërisë;

• Për forcimin e shtetit, të drejtësisë e të rregullave të bashkëjetesës mes njerëzish apo për rikthimin e paligjshmërisë, vrazhdësisë e kaosit në qytetet e rrugët tona;

• Për rritjen e ekonomisë e fuqizimin social me punë e me durim apo për rizhytjen në batakun e keqqeverisjes e të rrumpallës antishtet...

*Vaksinimet në Koplik dhe infektimet në mes të Tiranës", shkruan Rama.

Ndërkohë, kujtojmë se Kandidati i PD në Gjirokastër, Roland Bejko si dhe drejtuesi politik i qarkut të Lezhës Mark Marku kanë rezultuar të infektuar me COVID një ditë më parë.

Të dy ata kanë marrë pjesë në takime elektorale, duke shkelur masat anti-COVID disa ditë para se të rezultonin pozitivë