Shqipëria vijon që të shënojë rekorde në vaksinimin masiv të popullsisë kundër COVID, për sa i përket dozave javore për 100 banorë.

Në të dhënat e publikuara në faqen prestigjioze e të dhënave ourworldindata.org, vendi ynë është renditur i pari, krahasuar më shumë vende të fuqishme, sa i përket vaksinimit të popullsisë për 100 banorë në 7 ditët e fundit.

Bazuar në këtë të dhëna, Shqipëria ka lënë pas vende të mëdha të Bashkimit Europian, si dhe vendet e Rajonit.

Grafiku i publikuar nga Ourworldindata

Sakaq Shqipëria ka dalë nga zona e kuqe e hartës së COVID në botë. Në hartën që tregon shpërndarjen e koronavirusit në botë në kohë reale, e publikuar nga "The New York Times", Shqipëria shihet e ngjyrosur me të verdhë, që tregon për një rënie të numrit të infeksioneve me COVID, ku vendet e ngjyrosur me të kuqe dhe vishnje, janë ato ku situata me pandeminë është e rëndë.

E në fakt që prej javësh tashmë, në vend është vënë re një përmirësim i dukshëm i situatës me pandeminë, ku ka një rënie të numrit të infeksioneve ditore e po ashtu edhe fataliteteve. Një faktor i rëndësishëm që ka ndikuar në këtë është vaksinimi, një proces që në Shqipëri ka ecur me ritme mjaft të shpejta. Në vendin tonë numri total i vaksinimeve të kryera ka kaluar shifrën e 550 mijë.