Valentina Leskaj: Rotacioni i
deputetëve, jo tabu

Valentina Leskaj: Rotacioni i<br />deputetëve, jo tabu
Anëtarja e kryesisë së PS, Valentina Leskaj në një intervistë për gazetën "Shqiptarja.com" flet për fitoren e opozitës, koalicionet dhe keqqeverisjen e PD, si dhe përparësitë e Ramës kryeministër.

Si kryetare e Komisionit Parlamentar të Medias e shihni median në pozitë të diskriminuar dhe si e mendoni daljen nga kjo gjendje presioni në të cilët ndodhet ajo, jo pa ndikim dhe për opozitën?
Kemi të bëjmë me një pushtet që gjithmonë ka bërë presion mbi median për ta përdorur atë për interesa e saja të ditës dhe kur afron fushata elektorale, më shumë. Në fakt presioni mbi mediat është evident, format mund të ndryshojnë po thelbi mbetet një. Mjafton të shohësh raportet e Institucioneve ndërkombëtare, Raporti Progresit i BE, DASH, Freedom House, Reportere pa Kufij, IREX etj të gjitha janë kritike.

Problemi më i madh është mungesa e reflektimit dhe prirja përkeqësuese. Dje kryeministri u kërkoi mediave që me kamerat e tyre të paraqesin zhvillimin, që sipas tij po gëlon në të katër anët e vendit, u kërkoi që tu paraqesin qytetarëve "veprat e mrekullueshme që(gazetarët)i kanë injoruar". Në fakt Shqipëria dje ishte e gjitha në ujë, banorët e Shkodrës, Lezhës, Durrësit, Fierit luftonin me ujin që u përmbyti shtëpi e katandi, Kryeministri i kërkonte medias të bëjë makiazhin e qeverisë.

Ende s'ka ka përfundur së shqyrtuari ligji për AMA dhe debatetet janë përqëndruar në emrmin e anëtarëve, kompetencat apo dhe licensat. Ky instutucion ndjen presionin e politizimit, duke marrë parasysh se shpejt partitë çelin fushatat zgjedhore e ky institucion do kontrolloje të themi lajmet që do transmetohen..?
KKRT, që me ligjin e ri do quhet AMA, është sot tërësisht në shërbim të pushtetit, dështoi të ngrihet në nivelin e një institucioni të pavarur. Këshilli është përzgjedhur si i tillë, jo për faj të ligjit, po në shkelje të ligjit. Padyshim që do përdoret në zgjedhje madje po përdoret me licensat dhe gjithë sjelljen selektive ndaj operatorëve dhe me monitorimet. Ajo që ne si opozitë po bëjmë në Komision është përpjekja për të forcuar garantët ligjorë për një institucion të pavarur përmes procesit të përzgjedhjes së anëtarëve të këshillit, vendimmarrjes me shumicë të cilësuar, forcimi i sanksioneve ndaj piraterisë etj.

Si paraqitet gjendje në qarkun e Vlorës ku ju jeni e deleguar e kryesisë e për pasojë dhe në tërë Shqipërinë dhe mendoni se mund të evitohet një mundësi abuzimi me listat nga ana e mazhorancës?
E gjithë makineria jonë është në punë në çdo njësi vendore për të evidentuar problemet që s'janë të pakta. Ka njerëz që nuk e kanë emrin në lista, ka dublime, ndarje të familjeve në dy zona larg njera tjetrës etj. Gjithsesi ne po evidentojmë çdo parregullsi me listat në çdo cep të vendit, në Vlorë gjithashtu. Askush s'duhet të demotivohet nga parregullësitë sepse çdo muaj e deri ditën e fundit ne do jemi aty për t'i evidentuar dhe korrigjuar.

Tashmë partitë pothuajse kanë startuar jozyrtarisht fushatën elektorale. Si po organizohet PS, ku qëndrojnë përparësitë e saj krahasuar me PD dhe aleatët e saj në qeverisje?
Ka një hendek të madh mes PS e PD. Së pari pas 8 vjet qeverisje, përpara se t'u kërkojë votën shqiptarëve, PD duhet t'u japë llogari për dështimet e saj. Erdhi me kartën e antikorrupsionit po sot korrupsioni është në nivelet më të larta të 20 vjetëve. Erdhi me premtime për rritje ekonomike, punësim, dështoi. Sot po i lë Shqiptarët më të papunë e më të varfër se sa kur erdhi në pushtet. Bujqësinë po e lë më të varfër, arsimin e shëndetësinë po i lë më të varfër me investime, liritë e të drejtat e njeriut më të kufizuara. Shihni raportin e Freedom House, Shqipëria mbeti një vënd pjesërisht i lirë. Sot është 21 Janari, janë vrarë 4 demonstrues të pafajshëm përballë kryeministrisë, për liritë e të drejtat njerëzore.

Ende s'ka një të dënuar. Pse duhet ta besojnë shqiptarët sot, kur pati kohë 8 vjet. Është koha të japë llogari për ato që s'bëri e për ato probleme që u shtoi shqiptarëve. Unë besoj se Berisha edhe vetë e di që e ka mbyllur. E ke dëgjuar në takimet elektorale shan kryetarin e opozitës se s'ka altrenativë, s'ju ofron dot gjë shqiptarëve. PS bën diferencë. Bën diferencë sepse është dëshmuar si një alternativë serioze në të gjithë sjelljen e saj në opozitë po në radhë të parë se ka sot programin më serioz e konkurues.

Program i bërë me një përfshirje të gjerë ekspertize që mbështetet mbi një vlerësim kapilar të situatës në vend e ofrimin e zgjidhjeve. Ne sot kemi një përgjigje për shumë sfida që përballet vendi. Kemi një përgjigje për një ekonomi eficente që jep efekt në mirëqënien e njerzve, kemi një përgjigje për sistemin e taksimit, për një taksim të ndershëm, kemi një alternativë serioze e njerëzore për çështjen e bujqësisë që mbetet më e diskriminuara sot ashtu siç kemi dhe për arsimin e shëndetsinë, për shërbime cilësore e sipas nevojave. Kemi një përgjigje për luftën ndaj korrupsionit, në ndryshim nga ata që ngritën një sistem korruptiv.

Mendoni se duhet zgjeruar më tej koalicioni dhe me FRD dhe AK?
PS do të udhëheqë një koalicion të gjerë me të gjitha forcat që duan sot ndryshimin, për të larguar rregjimin. PS e ka bërë të qartë se është e hapur për bashkëpunim. Sot nuk është koha për të parë ndryshimet ideologjike për sa kohë që vendi ka nevojë dëshpëruese për ndryshim.

E mendoni PS në qeverisje me LSI...?
Eshtë herët për të folur për një forcë politike që sot është në qeverisje.

Do të ishte efikase që PS të bënte atë që bëri PD në vitin 2005, pra të thërriten për kontribut në PS të gjithë të pakënaqurit, të mënjanuarit e të larguarit ndër vite, përfshirë dhe Fatos Nanon, për të zgjeruar frontin opozitar…?
Dua t'ju kujtoj që, PS e ka bërë që në Kongresin e nëntorit të 2011 e nuk e ka lënë me kaq, po kjo u vijua me qasjen përfshirëse në Asamble apo dhe me ngritje të strukturave përfshirëse dhe konsultative siç është dhe Këshilli i të urtëve, përfshirja në grupet e punës për programin etj. Ndërkohë PS mbetet e hapur ndaj të gjithë atyre që duan të kontribuojnë në frontin opozitar.

Do ishte më mirë të publikoheshin më përpara listat e kandidatëve që qytetarët të njiheshin dhe njerëzt që do të votonin?
E kam dhënë një përgjigje meqënëse kjo pyetje bëhet po thuajse në çdo intervistë. Më e rëndësishme është kontakti me qytetarët.

Kreu i PS Rama kur u pyet për një rokadë të kandidatëve nëpër zona, nuk e përjashtoi këtë mundësi. Ju e përkrahni lëvizjen e kandidatëve nga një qark në një qark tjetër, pra një rokadë të deputetëve aktualë?
Nëse kjo do të maksimizonte rezultatin pse jo? Ndryshimet nuk janë tabu, janë në funksion të rezultatit. Edhe në zgjedhjet e fundit, ato të vitit 2009 janë bërë ndryshime zonash, po edhe më përpara. Natyrisht që duhet testuar mbështetja në publik.

Si e mendoni qeverisjen e nesërme me Edi Ramën kryeministër?
Edi Rama është provuar si drejtues, historia e qeverisjes së Tiranës është një histori suksesi. Rama solli një qasje tërësisht të re në sistemin e qeverisjes vendore në Shqipëri. Por PS ka një përgjigje dhe për sfidat e vendit. Me siguri që do bëjë diferencën

Shkrimi u publikua sot në gazetën Shqiptarja.com(print), 20 janar 2013
(ad.ti/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    26 Nëntor, 23:23

    A po japin rezultat protestat e PD-së?



×

Lajmi i fundit

Champions League/ Man. City lëshon tre gola epërsi, barazohet për 15 minuta! Goleada nga Leverkusen, Arsenal e Atl. Madrid! Inter i falet autogolit, Milan, Bayern e Barça tri pikë

Champions League/ Man. City lëshon tre gola epërsi, barazohet për 15 minuta! Goleada nga Leverkusen, Arsenal e Atl. Madrid! Inter i falet autogolit, Milan, Bayern e Barça tri pikë