TIRANË- Deputeti Halit Valteri për Report Tv thekson se opozita e re do të ketë një parti dhe se Rudina Hajdari do të jetë bashkë me Muslim Murrizin. Ai shprehet optimist se në zgjedhjet e ardhshme ata do të fitojnë 20 deputetë.

"Ne kemi qenë një grupim deputetësh, por si çdo grupim ka mendimet e tyre, s;kemi qenë një parti që ka pasur një kryetar. Sot po zyrtarizohet dhe po hidhet në treg një partinë të re .Jemi rreth 11 deputetë që do t'i bashkohen në ditët në vijim kësaj lëvizje, për të shpresuar për të shkuar deri në 20. Në fushatë në 12 qarqet besojmë se do të kemi 20 mandate në Kuvendin e Shqipërisë. Unë e di që Rudina Hajdari nuk ka dalë kundër kësaj partie, mund të jete dhe kjo parti ajo që thotë Rudina Hajdari se është shumë shpejt. Ne nuk kemi qenë kurrë të ndarë. Nëse Hajdari ka folur për një parti, unë flas për një parti, Murrizi flet për një parti, besoj se flasim për të njëjtën parti", tha Valteri.

Nga zyra, ku në sfond të kompjuterit ka vendosur logon e partisë së re që po krijojnë, Lëvizja Demokratike Shqiptare, Valteri tha se ka pasur shumë telefonata nga ish- deputetë të PD-së për t'iu bashkuar kësaj force të re politike që po ngrihet.

"Ne kemi pasur shumë telefonata, pa dashur që të bëjmë, apo të dehemi nga suksesi, nga njerëz që nuk e gjejnë më vetën në atë parti. Nuk doja ta quaja Lëvizjen Demokratike Shqiptare në fraksion të PD-së, po njerëzit këta janë nuk mund t'i ndryshojnë. Do keni diçka të sigurt. Kjo parti nuk do të ketë një njeri me rekorde kriminale që do garojë, apo që ka pasur lidhje me sistemin e kaluar, se kusht është pastërtia e figurës. Ato janë jo vetëm anëtarë, por edhe ish- deputet", tha Valteri.

Në intervistën për Report Tv me gazetaren Klesiana Omeri, Valteri nuk i ka kursyer kritikat për Ramën dhe Bashën, duke theksuar se partia e re do të jetë ndryshe. 

"Shpesh akuzohemi si njerëz që kemi tradhtuar PD, si paterica apo shtojca të Ramës, por kjo nuk është e vërtetë. Ato që kanë tradhtuar ideologjinë dhe atë për çfarë shqiptarët kanë ngritur gishtat në vitin 1990 ka devijuar se është palë e tenderave të pushtetit të Ramës dhe oligarkëve që mbajnë me bukë Ramën dhe Bashën. Janë punëtor të atyre njerëzve që do u tregojnë kë të vendosin ministër, madje dhe se si do të flenë në darkë", tha ai.