
Prek Molla, një banor nga fshati Baks-Rrjoll në Velipojë ku prej tri ditësh vijon protesta kundër resortit të Bashkim Ulajt, përforcon atë që protestuesit thonë prej kohësh: dokumentet e pronave janë të falsifikuara. Ai tregon se bëhet fjalë për një sipërfaqe prej 1500 dynymësh, dokumentet e së cilës janë falsifikuar nga Fatmir Shpellzaj dhe thotë se mund ta vërtetojë.
“Për pronën që është e falsifikuar, po të flasim me miliona është 1 milionë e 500 mijë metër katrorë, po të flasim me dynymë, është 1500 dynymë. Kjo pronë është e falsifikuar nëpërmjet një personi që quhet Fatmir Shpellzaj. Fatmir Shpellzaj pretendon se të parët e tij kanë qenë banorë të fshatit Baks-Rrjoll. Kjo nuk është e vërtetë dhe e vërtetoj me dokumentacion”, tha Molla.
Banori iu kthye edhe zanafillës më në hollësi duke shpjeguar se në fakt janë 2 fshatra me emrin Rrjoll, një në Velipojë dhe një prej të cilit buron emri i të parit. Si provë për falsifikimin, Molla thotë se në fshat ka qenë një varr i lashtë me shkronja arabe, mbi 400-vjeçar. Kjo pikë është shfrytëzuar nga Shpellzaj për të thënë se janë tokat e të parëve të tij.
“Ky erdhi e shfrytëzoi momentin te një varr që ka mbi 400 vjet. Gjyshja ime më ka thënë që këtë varr e kemi gjetur ne aty, më ka vdekur 97 vjeçe në ’99. E ka gjetur aty gjyshja ime varrin, ka ardhur sistemi i Enver Hoxhës, varr arab, me shkronja arab, një varr i çuditshëm unë në jetën time nuk kam parë, sesi ka qenë historia e tij unë nuk e di. Meqë ky ishte i shkruar arabisht, ky tha është varri i të parëve të mi. Meqenëse ishte thjesht hyrja e tij se ne ishim të fesë katolike dhe nuk mund të thoshte ai që unë jam këtu se jam katolik, por i kujt je këtu se ne të gjithë jemi miq, shokë dhe jemi të gjithë nga një fshat. Ky vjen, gjen mundësinë, shfrytëzon rastin dhe e transferon pronën nga rrethi i Malësisë së Madhe në rrethin Shkodër. Distanca midis dy fshatrave në vijë ajrore mund të jetë 16 km”, tha Molla.
Lajmi kryesor:
‘Grabitës me resort’, avokati Pjetri për Report TV: Bashkim Ulaj falsifikoi dokumentet që banorët e Velipojës s’i bënë dot për vite, nuk ka qenë i vetëm











