Vartësit tradhëtojnë Llallën
pro heqjes së kompetencave

Vartësit tradhëtojnë Llallën<br />pro heqjes së kompetencave
Ligji i ri për prokurorinë, i miratuar nga Parlamenti, rrëzon autoritetin e Prokurorit të Përgjithshëm, duke e zhveshur nga pothuajse të gjitha kompetencat e rëndësishme. Ligji i ri e kthen kryeprokurorin në një sekretar apo menaxher të thjeshtë, ndërsa u jep rëndësi dhe peshë drejtuesve të degëve të prokurorive. Ndërkaq, vartësit e kryeprokurorit Llalla, jo vetëm nuk e kanë kundërshtuar, por e kanë mbështetur ligjin për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë.

Përfaqësuesit e Prokurorisë së Përgjithshme, të pranishëm për të dhënë mendimin e tyre në komisionin për Reformën në Drejtësi, nuk kanë artikuluar asnjë pretendim apo rezervë për heqjen e kompetencave të shefit të tyre. Ata thjeshtë kanë kërkuar hartimin e një dispozite transitore për funksionin e organit të akuzës, shqetësim i cili është shprehur edhe nga vetë kryeprokurori, me anë të një letre drejtuar Kuvendit.

Qëndrimi i vartësve të Llallës reflektohet gjatë debateve në mbledhjen e komisionit për Reformën në Drejtësi, të datës 16 shtator. Mbledhja është karakterizuar nga debate të forta mes përfaqësuesve të opozitës dhe mazhorancës. Gjatë debateve, kryetari i komisionit, Fatmir Xhafaj, shprehet se përfaqësuesit e Llallës nuk kanë shprehur asnjë rezervë për kompetencat.

Nëse ka diçka, mund ta ngrenë dorën në një moment të caktuar për një gjë që është vërtet shqetësuese, në mënyrë të veçantë për pjesën e dispozitës transitore nëse ka nevojë. Megjithëse kjo u trajtua dje, u mor edhe mendimi i tyre dhe ishin dakord. Ky është thelbi i kërkesës. Ka qenë kërkesa ime drejtuar prokurorit të Përgjithshëm që të ishin të pranishëm posaçërisht vetëm për këtë gjë”, është shprehur Xhafaj.

dok llalla

Opozita
Deputeti i PD, Keltis Kruja, propozoi që, meqenëse PD nuk kishte qenë e pranishme në mbledhjen e parafundit, të dëgjonte edhe një herë opinionin e ekspertët të Prokurorisë. “Unë mendoj se përderisa përfaqësuesit e Prokurorisë së Përgjithshme i kemi këtu dhe për shkak se ne nuk kemi qenë të pranishëm në momentet kur ju pretendonit që ata i kanë paraqitur problematikën e tyre të ligjit “Për prokurorinë”, pra, ky komision i ka zhvilluar punimet pa praninë e opozitës, mendoj se do të ishte shumë e vlefshme për ligjin në përgjithësi, pra, për teknikalitetet që përmban ligji jo për çështjet politike për të cilat diskutojmë ne si deputet, të dëgjonim edhe opinionin e tyre”, ka deklaruar Kruja. Ndërkaq, deputeti Pandeli Majko ka deklaruar se kompetencat e kryeprokurorit janë parashikuar në Kushtetutën e re. “Zotërinj, derisa keni votuar me dorën lart të gjitha nenet e Kushtetutës, përfshi edhe kompetencat e prokurorit të Përgjithshëm, kam parasysh nenin 100, duke filluar nga 148-ta deri në vazhdim, po specifikisht meqenëse folët për kompetencat e prokurorit të Përgjithshëm duke thënë që është as më pak e as më shumë, sa një CEO në një korporatë etj. etj., neni 148/b është e zeza mbi të bardhë”, tha Majko.
 
 
Qëndrimi
Përfaqësuesit e Prokurorisë së Përgjithshme, të pranishëm për të dhënë mendimin e tyre në komisionin për Reformën në Drejtësi, nuk kanë artikluar asnjë pretendim apo rezervë për heqjen e kompetencave të shefit të tyre.
 
Xhafaj
Megjithëse kjo u trajtua dje, u mor edhe mendimi i tyre dhe ishin dakord. Ky është thelbi i kërkesës. Ka qenë kërkesa ime drejtuar prokurorit të Përgjithshëm që të ishin të pranishëm posaçërisht vetëm për këtë gjë.
 
 
Debatet në komisionin për Reformën në Drejtësi
 
-Oerd Bylykbashi: Z. kryetar, kam vetëm një çështje procedurale. Ndërkohë që është punuar, pra, ekspertët kanë punuar, ne kemi punuar, meqenëse shikoj të pranishëm edhe përfaqësues të prokurorisë së Përgjithshme përtej asaj që ata mund të kenë kontribuar në proces gjatë kohës që është hartuar ligji, mund të kenë çështje të karakterit teknik, të cilat ne nuk i kemi parë, gjykoj se mund të jenë pjesë e vlefshme e diskutimit tonë me sugjerimet për të përmirësuar aspektet teknike të këtij ligji.

Fatmir Xhafaj: Mendoj se është një ndërhyrje e panevojshme dhe e papranueshme, për një arsye të thjeshtë. Përfaqësuesit e prokurorisë janë thirrur nga ana ime vetëm për efekt të shqetësimit që ka pasur kohët e fundit prokuroria për dispozitat transitore, sepse kjo nuk është një mbledhje me grupet e interesit, nuk është as një seancë dëgjimore. Këtu është thjesht shqyrtimi i projektligjit dhe gjatë shqyrtimit të tij marrin pjesë deputetët dhe hartuesit ose mbrojtësit e projektit. Gjithsesi, nëse ka diçka, mund ta ngrenë dorën në një moment të caktuar për një gjë që është vërtet shqetësuese, në mënyrë të veçantë për pjesën e dispozitës transitore nëse ka nevojë. Megjithëse kjo u trajtua dje, u mor edhe mendimi i tyre dhe ishin dakord. Ky është thelbi i kërkesës. Ka qenë kërkesa ime drejtuar prokurorit të Përgjithshëm që të ishin të pranishëm posaçërisht vetëm për këtë gjë.
 
-Keltis Kruja: Z. kryetar, unë mendoj se përderisa përfaqësuesit e Prokurorisë së Përgjithshme i kemi këtu dhe për shkak se ne nuk kemi qenë të pranishëm në momentet kur ju pretendonit që ata i kanë paraqitur problematikën e tyre të ligjit “Për prokurorinë”, pra, ky komision i ka zhvilluar punimet pa praninë e opozitës, mendoj se do të ishte shumë e vlefshme për ligjin në përgjithësi, pra, për teknikalitetet që përmban ligji jo për çështjet politike për të cilat diskutojmë ne si deputet, të dëgjonim edhe opinionin e tyre.
 
-Oerd Bylykbashi: Prokurori i Përgjithshëm është kthyer në një staticien. CEO i një korporate mesatare ka më shumë pushtet brendapërbrenda organizatës së saj sesa prokurori i Përgjithshëm. Pra, prokurori i Përgjithshëm, me sa duket, me një dizenjo shumë të ngushtë në kokë është hartuar si një arkitekturë që nesër do të kushtojë. Prokurori i Përgjithshëm është me vlerë shumë të vogël në sistem. Nuk është në gjendje që as edhe ato udhëzime, që mund të japë, nuk i kontrollon dot më zbatimin e tyre. Thjesht është një funksion, i cili do të mbledhë të dhëna në funksion të raportimit vjetor qoftë edhe herë pas here kur të kërkohet nga parlamenti. Por që të japë ai llogari se çfarë po ndodh me krimin e organizuar dhe me korrupsionin nuk e bën dot, sepse prokuroria e posaçme nuk e pyet fare. Ndërkohë, është i vetmi organ i ndjekjes penale, i cili i jep llogari politikisht para parlamentit. Zero. Është një brilancë aventurore. Më keq do ta
bëjmë dhe më keq akoma e investojmë parlamentin e Shqipërisë në një zgjedhje me një shumicë të cilësuar, 2/3-at në fillim, 3/5-at më pas. Për çfarë? Për dikë që është më pak se CEO i një korporate mesatare.
 
 
-Pandeli Majko: Zotërinj, derisa keni votuar me dorën lart të gjitha nenet e Kushtetutës, përfshi edhe kompetencat e prokurorit të Përgjithshëm, kam parasysh nenin 100, duke filluar nga 148-ta deri në vazhdim, po specifikisht meqenëse folët për kompetencat e prokurorit të Përgjithshëm duke thënë që është as më pak e as më shumë, sa një CEO në një korporatë etj. etj., neni 148/b është e zeza mbi të bardhë. E kemi votuar së bashku me 140 vota, prokurorit të Përgjithshëm janë dhënë këto kompetenca,vetëm po i citoj: a, b, c, ç, d, dh. I kemi votuar. Çfarë na diskutoni këtu tani? Çfarë teme doni të hapni? Doni të më thoni se jeni penduar për kompetencat që keni votuar në Kushtetutë?! Doni të na thoni të zinjtë ju, se çfarë mund të ndodhë pas 6 muajsh dhe të jetë e shkruar kjo në procesverbal?! Shkruajeni në ndonjë editoriale, zotërinj dhe botojeni në medie! Mos hajdeni këtu të na bëni leksione! Shkoni dhe mbani një leksion, sepse kemi edhe dekanin e Fakultetit Juridik këtu, si mund të bëhet një reformë drejtësie pa qeverinë, pa institucionet që emërohen nga qeveria! Shikoni si do të reagojnë studentët! Mos na bëni leksione të kësaj natyre! Unë propozoj të diskutojmë projektligjin nen për nen.


Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kredimarrësit e këqinj s'do marrin më kredi, si e vlerësoni rregulloren e BSH?



×

Lajmi i fundit

Mësuesi amerikan në Tiranë mbyt gruan, vret 2 qentë e var veten! Në një letër me shkrim dore ishte përshkruar çdo veprim i autorit

Mësuesi amerikan në Tiranë mbyt gruan, vret 2 qentë e var veten! Në një letër me shkrim dore ishte përshkruar çdo veprim i autorit