Papa Pope Leone XIV ngriti sot alarmin për përdorimin e inteligjencës artificiale në luftë dhe kërkoi që kjo teknologji të “çarmatoset”, duke paralajmëruar se nuk duhet lejuar të “kontrollojë njerëzimin”.
Në një letër zyrtare të Kishës Katolike, Papa Leone XIV theksoi se inteligjenca artificiale nuk duhet të përdoret kurrë për të marrë vendime që çojnë në vrasjen e njerëzve. Ai paralajmëroi gjithashtu se programet e komunikimit me IA-në dhe mjetet e tjera të ngjashme nuk duhet të trajtohen si qenie njerëzore.
Dokumenti konsiderohet si reagimi më i fortë deri tani i Kishës Katolike ndaj debatit botëror për ndikimin që inteligjenca artificiale po ka në luftë, punë dhe jetën e përditshme. Qëndrimi i Vatikanit mund të përplaset me planet e shumë shteteve që po investojnë gjithnjë e më shumë në përdorimin ushtarak të IA-së.
Kjo është letra e parë e tillë e Papa Leos që prej zgjedhjes së tij vitin e kaluar. Për ta theksuar rëndësinë e saj, ai e prezantoi vetë dokumentin në Vatikan, i shoqëruar nga sipërmarrësi kanadez i teknologjisë Christopher Olah, bashkëthemelues i kompanisë së inteligjencës artificiale Anthropic.
Në mesazhin drejtuar peshkopëve dhe besimtarëve katolikë në mbarë botën, Papa e përshkroi inteligjencën artificiale si një moment vendimtar për të ardhmen e qytetërimit. Ai u ndal veçanërisht te rreziku i armëve autonome, sistemet që mund të marrin vendime vetë pa ndërhyrje njerëzore, si dhe te largimi i përgjegjësisë njerëzore nga aktet e luftës.
Papa Leone, i cili ka studiuar matematikë dhe ka dhënë mësim fizikë, nuk e kundërshton plotësisht inteligjencën artificiale. Por ai thekson se ajo duhet të kontrollohet nga rregulla morale dhe ligje të forta, në mënyrë që teknologjia “t’i shërbejë vërtet njerëzimit”.
“Asnjë algoritëm nuk mund ta bëjë luftën moralisht të pranueshme. Çdo teknologji që e bën më të lehtë sulmin pa parë fytyrën e njeriut ul pragun moral të luftës” paralajmëroi Papa Leone XIV.
Komente










