SOLIDARITETI/ FMN jep 87 milionë euro për Shqipërinë, zbulohet shuma që është mbledhur në e-albania

Tragjedia e 26 nëntorit vazhdon të nxjerrë në pah frymën e jashtëzakonshme të solidaritetit nga shumë shtete, individë dhe organizata. Shumë Bashki dhe Komuna në Kosovë, të solidarizuar me të dëmtuarit nga tërmeti i 26 nëntorit, po mbledhin ndihma financiare dhe ushqimore. Kryqi i kuq në shumë vende të Ballkanit gjithashtu janë solidarizuar me Shqipërinë dhe po bashkëpunojnë me simotrën në vendin tonë. Shoqata atdhetare në SHBA dhe ato të emigrantëve në Greqi po vazhdojnë fushatën e ndihmave.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:43
Mjeku shqiptar vjen nga SHBA-ja në ndihmë të banorëve të prekur nga tërmeti

1575398805_mar.png

Mjeku shqiptar që jeton në SHBA, Mario Ademaj i cili është bërë i njohur pasi sa herë vjen në Shqipëri jep ndihmë shëndetësore falas, ka nisur ditë më parë një fushatë mbledhje ndihmash kryesisht ilaçe, për të dëmtuarit nga tërmeti.

Ademaj shkruan se është kontaktuar nga qeveria,  i cili e ka ftuar t’i dorëzojë ndihmat që t’i ndajnë ata.

Ai është shprehur se e ka refuzuar këtë kërkesë, pasi ndihmat do t’i shpërndajnë vetë.

Mjeku i falenderon të gjthë ata që e ndihmuan për mbledhjen e fondeve dhe se është në gatishmëri të të gjithë shqiptarëve që kanë nevojë.

Postimi i Marios
Ora 16:16
'Akrobatë, psikologë, dhe animatorë tek Mali i Robit', konsullata shqiptare në Itali solidarizohet me të prekurit nga tërmeti

Konsullata Shqiptare në Bari ka sjellë në Shqipëri akrobatë, psikologë, kllounë dhe animatorë të cilët do të kujdesen për fëmijët dhe familjarë të tjerë të cilët janë strehuar në kompleksin FAFA tek Mali i Robit, pas tërmetit të fuqishëm që goditi Shqipërinë.

Ora 15:41
Klubi francez i Marsejës do të mbledhë fonde për të prekurit nga tërmeti

1575384303_mars1.png

Tërmeti i fuqishëm që goditi Shqipërinë para pak ditësh, i cili solli viktima dhe dëme të shumta, ka bërë që shumë njerëz të solidarizohen me vendin tonë.

Klubi francez i Marsejës, ku për disa vite ka luajtur edhe Lorik Cana, i cili ka mbajtur aty edhe shiritin e kapitenit do të ndihmojë vendin tonë.

Nëpërmjet një postimi në faqen zyrtare, klubi francez i shpreh ngullëllime familjeve që humbën personat e tyre nga tërmeti dhe ka ftuar fansat të ofrojnë ndihma për të prekurit.

“Shqipëria, kombi i ish-kapitenin tonë Lorik Cana, është goditur javën e kaluar nga një tërmet i fuqishëm. Olimpik Marsejë i jep mbështetjen popullit shqiptar dhe u shpreh ngushëllimet familjeve të goditura nga ky tërmet.

Klubi dëshiron të sensibilizojë mbështetësit e tij për këtë ngjarje tragjike dhe ju informojmë se është e mundur që të dhuroni për popullatën shqiptare të goditur nga lëkundjet sizmike”, shkruan klubi francez në faqen zyrtare


Postimi i klubit të Marsejës
Ora 15:13
'Djalë me zemër të madhe', Kompania britanike për Klement Çupin, një nga viktimat e tërmetit në Thumanë

Një prej viktimave të tërmetit të 26 Nëntorit, Klement Çupi , i cili humbi jetën nën rrënojat e pallatit në Thumanë, së bashku me mamanë dhe babanë, punonte si taksist në për kompaninë 001 Taxis-Oxford, në Londër.

Pas lajmit tragjik për vdekjen e tij,  kompania ku ai punonte, përmes një postimi në rrjetet sociale, ka shkruar

“Me trishtim të madh ju njoftojmë se kemi humbur në tërmetin tragjik në Shqipëri, një nga shoferet tanë të mrekullueshëm.  Klement Cupi ishte gjithnjë i buzëqeshur, me humor dhe zemër të madhe. Mjerisht, edhe të dy prindërit e Klementit humbën jetën gjithashtu gjatë tërmetit. Tani po mbledhim fonde për të mbështetur pjesën e mbetur të familjes së tij”, - thuhet në postimin e kompanisë në Facebook.

 

Ora 15:11
Këshilltari shqiptaro-amerikan i Bashkisë së New Yorku-ut në Durrës e Thumanë

Shqiptaro-Amerikani Mark Gjonaj, anëtar i Këshillit Bashkiak të Nju Jorkut, së bashku me një delegacion nga diaspora prej ditësh janë në zonat e prekura nga tërmeti.

“Është përgjegjësia jonë për të qenë këtu për njëri tjetrin në kohë të vështira. Dua t’ua bëj të qartë, diaspora është këtu për të qenë pjesë e zgjidhjes. Jemi këtu të rehabilituar atdheun për t’u përqendruar tek lehtësimi i dhimbjes dhe për të dhënë mbështetjen për personat në nevojë. Mesazhi ynë ka qenë “Ju nuk jeni të vetëm, çfarë mund të bëjmë dhe çfarë iu duhet". 

“Objektivat afatgjata janë gjetja e strehimit dhe zgjidhjeve të përhershme, që kërkon një periudhë për të rimenduar të ardhmen e Shqipërisë kur vjen fjala për zhvillimin e rindërtimin. Duke e ditur se jetojmë në një zonë të cënueshme nga tërmetet të këtij rajoni duhet të mësojmë ta parandalojmë këtë në të ardhmen dhe kjo është një thirrje për qeverinë. Inxhinierët nga e gjithë bota, arkitektët, mjekët, punonjësit socialë, ejani në atdheun tuaj. Shërbimet dhe profesionet tuaja nevojiten këtu”.

 

Ora 14:50
Zbulohet shuma, sa milionë lekë, euro dhe dollarë janë mbledhur për të prekurit nga tërmeti


Prej rënies së tërmetit ditën e martë vijon mbledhja e donacioneve nga individët, organizatat apo biznese brenda dhe jashtë vendit nëpërmjet internetit në platformën qeveritare e – Albania, Bankës së Shqipërisë dhe Bankave të Nivelit te Dytë. Sipas shifrave të publikuara nga Ministria e Financave janë; mbi 132 milionë lekë, 2.9 mln euro dhe 310 mijë dollarë.

Totali i arkëtuar

Shuma e arkëtuar ne LEKE          
132,912,131.29  2,797,120.48      

Shuma e arkëtuar ne EURO
2,797,120.48

Shuma e arkëtuar ne USD
310,888.46

Ora 12:35
SOLIDARITETI/ Brukseli mban 1 minutë heshtje për viktimat e tërmetit në Shqipëri

Me kërkesë të Sekretares së Përgjithshme të Këshillit të Bashkëpunim Rajonal Majlinda Bregu, në Samitin “Friends of Europe”, është mbajtur një minutë heshtje në nderim të 52 qytetarëve shqiptarë që humbën jetën nga tërmeti i 26 nëntorit.

Ka qenë Bregu, e cila ka postuar një foto në profilin e saj në Instagram, duke theksuar edhe gjestin e bërë nga të pranishmit.

“Një minute heshtje ne Bruksel për viktimat e tërmetit ne Shqipëri. Faleminderit dhe njëherë te gjithë vendeve mike te Shqipërisë për mbështetjen qysh ne orët e para pas tragjedisë.”-ka shkruar Bregu.

Samiti “Friend of Europe” po diskuton për të ardhmen e Ballakinit Perëndimor, ku i pranishëm është edhe Presidenti i Kosovës Hashim Thaci.

Ora 11:34
Nga Izraeli drejt Shqipërisë 10 inxhinierë dhe ndihma humanitare

Ministri i Jashtëm izraelit ka deklaruar se drejt Shqipërisë është nisur një mision special ndihmues. “Ky mision është dëshmi për marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve dhe dialogut të ngushtë që ata kanë mbajtur gjatë viteve të fundit, si në nivelin qeveritar, ashtu edhe midis popujve”, - tha ministri izraelit.

Ekipi përbëhet nga 10 oficerë dhe inxhinierë, të cilët do të studiojnë ndërtesat e dëmtuara për të përcaktuar nëse ato mbesin strukturore të shëndosha pas tërmetit. Janë dërguar gjithashtu ndihma humanitare”, thotë ministri.

Ora 11:33
Organizata shqiptaro-amerikane, 1 milionë dollarë për të prekurit nga tërmeti

Organizata shqiptaro amerikan ‘Global Albanians’ ka arritur deri tani të mbledhë 150 mijë dollarë për të prekurit nga tërmeti në Shqipëri.

Qëllimi i drejtuesve të organizatës është që deri në fund të vitit do arrijnë të mbledhin 1 milionë dollarë.

‘Global Albanians’ është një nga të shumtat organizata që së bashku me disa shoqata atdhetare shqiptare janë përfshirë në fushata ndihmash për të prekurit nga tërmeti i 26 nëntorit.

Ora 09:44
New York Times: BE-ja në krye të përpjekjeve për rimëkëmbjen e Shqipërisë

New York Times shkruan se Bashkimi Europian është vendosur në krye të përpjekjeve për rimëkëmbjen e Shqipërisë pas tërmetit shkatërrimtar.

Bashkimi Europian dhe Kombet e Bashkuara po koordinojnë përpjekjet ndërkombëtare në ndihmë të vendit të gjunjëzuar nga fatkeqësia natyrore, thuhet në artikull ku theksohet sesi një ekip i bllokut europian është duke udhëhequr vlerësimin dhe shpërndarjen e ndihmës.

Gjashtë shtete anëtare kanë dërguar 50 inxhinierë strukturorë, e të tjerë pritet të mbërrijnë për të vlerësuar dëmet së bashku me homologët vendas.

Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar gjithashtu ka dërguar gjithashtu inxhinierë strukturorë nga departamentet e zjarrfikësve të Kontesë Fairfax dhe asaj të Los Angelesit për të ndihmuar në këtë proces.

Qeveria e Shqipërisë, vazhdon shkrimi, i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar për ndihmë financiare dhe asistencë në nivel ekspertësh, duke thënë se nuk është e aftë ta bëjë e vetme një gjë të tillë.

Të enjten, Komisioneri i ri Europian për Menaxhimin e Krizave, Janez Lenarcic, i cili e mori detyrën të hënën, pritet të vizitojë Tiranën për të folur rreth planeve të rindërtimit.

Ora 09:28
TIKA vijon të zgjasë dorën e ndihmës për të prekurit e tërmetit në Tiranë e në rrethe

Agjencia turke e bashkëpunimit dhe e koordinimit, TIKA, që prej ditës së parë të tërmetit ka qenë pranë banorëve me ndihmë materiale gjatë gjithë këtyre ditëve.

Vetëm dje u realizua shpërndarja e 700 paketave ushqimore dhe batenijeve në zonat e Prezës, Bubqit, Kamzës dhe Tiranës.

Kujtojmë se në etapën e parë të ndihmave të TIKA-s u shpërndanë 500 pako ushqimore dhe 2000 batanije.

Ora 08:39
Plava dhe Gucia solidaritet me moton 'Ndihma jonë e vogël, ka vlerë të jashtëzakonshme'

Shqiptarët e Plavës dhe Gucisë në Malin e Zi po angazhohen në mbledhjen e ndihmave materiale dhe fondeve finaciare në ndihmë të të dëmtuarve nga tërmeti. 

Me moton ‘Ndihma jonë e vogël, ka vlerë të jashtëzakonshme’, ata kanë hapur dy pika grumbullimi ndihmash.

Në dhënien e ndihmave janë përfshirë edhe fëmijët e shkollave.

Pas përfundimit të fushatës, financat dhe ndihmat ushqimore apo materiale do ti dorëzohen Ambasadës shqiptare në Podgoricë.

Ora 08:25
Kryqi i Kuq i Malit të Zi, 42.5 mijë euro për popullsinë shqiptare të prekur nga tërmeti

Kryqi i Kuq i Malit të Zi ka mbledhur 42.5 mijë euro në llogarinë e saj bankare për të ndihmuar popullsinë shqiptare të prekur nga tërmeti.

Sipas zëdhënësit të saj, fondi i mbledhur do t’i përcillet Kryqit të Kuq të Shqipërisë.

“Të ardhurat do t’i përcillen Kryqit të Kuq të Shqipërisë, i cili ka qenë aktiv që nga fillimi në ofrimin e ndihmës, mbështetjes psiko-sociale dhe shpërndarjen e ndihmave për popullatën e prekur,.

Ora 08:21
Shoqata shqiptare e Kretës, 20 ton ndihma për të dëmtuarit nga tërmeti

Shoqata e Kretës në Greqi është solidarizuar në ndihmë të të prekurve nga tërmeti i 26 nëntorit.

Në këto ditë kritike për vendin tonë, grekët po ndihen më të afërt se kurrë me shqiptarët.

Ata kanë organizuar fushata solidarizimi për mbledhjen e ndihmave dhe vlerave monetare për të prekurit nga tërmeti.

Emigrantë por edhe grekë kanë mbledhur mbi 20 ton ndihmë për të dëmtuarit.

Ora 08:18
Gent Sejko: FMN ka vendosur një kontribut deri në 87 milionë euro

Guvernator i Bankës së Shqipërisë dhe njëkohësisht Kryetar i Këshillit Mbikëqyrës të saj, Gent Sejko ka deklaruar se FMN ka vendosur një kontribut deri në 87 milionë euro, në dispozicion për Shqipërinë.

“Kur kemi kontaktuar me Fondin Monetar Ndërkombëtar kemi një facilitet të Fondit Monetar, I cili shkon në dispozicion të Shqipërisë, deri në 87 milionë euro, për t’u përdorur në këtë situatë. Është një mundësi plus përveç ndihmave të donatorëve. Ne duhet të bëjmë maksimumin si Shqipëri që të tërheqim në mënyrë sa më të organizuar të gjitha ndihmat dhe donacionet që jepen nga donatorët ndërkombëtar dhe ata kombëtar. Paralelisht me vlerësimin e gjendjes së dëmeve të tërmetit ne duhet të bëjmë një grumbullim sa më eficent të këtyre ndihmave dhe më pas të kalojmë në planin e rimëkëmbjes. Shqetësimi I Bankës Qendrore është si do të ndikojë kjo në parametrat makro ekonomikë, si do të ndikojë në rritjen ekonomike, në nivelin e inflacionit, në kursin e këmbimit, në stabilitetin financiar të vendit. NE kemi filluar të analizojmë, patjetër që ndikimet janë negative, sepse kjo është një faktor rreziku dhe në funksion të këtij faktori duhet të bëjmë analizat tona. Nëse niveli do të jetë plus-minus ne duhet të jemi në gjendje të ruajmë stabilitetin financiar”, u shpreh ai.

Ora 08:16
Komuna e Malishevës strehon qindra shqiptarë të prekur nga tërmeti

Komuna e Malisheves përmes një njoftimi për shtyp ka bërë me dije se vazhdon të rritet numri i familjeve shqiptare që po strehohen në Malishevë pas tërmetit të 26 nëntorit.

“Krahas evidentimit të personave të cilët janë strehuar, të ardhurve nga Shqipëria iu është ofruar strehim, ushqim si dhe shërbimet e nevojshme shëndetësore, nga ekipet e shërbimit shëndetësor në Malishevë. Krahas shërbimit shëndetësor, edhe organizata humanitare “Nëna Terezë”, gjithashtu është duke dhënë mbështetjen e saj”, - thuhet në njoftimin e Komunës.

/B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Kuçovë/ Shiste ilegalisht kapsolla në dyqanin e saj, nën hetim 52 vjeçarja

Kuçovë/ Shiste ilegalisht kapsolla në dyqanin e saj, nën hetim 52 vjeçarja