Toka vijon të rrëshqasë në Blinisht të Mirditës. Sasi të mëdha dherash dhe gurësh kanë arritur deri në Rrugën e Kombit, duke rrezikuar bllokimin e saj në afërsi të Repsit në Mirditë.
Punëtorë e mjete janë vënë në gatishmëri për të mbajtur hapur këtë segment rrugor, ndërsa situata e krijuar u monitorua edhe nga Drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Afrim Qendro. Ai tha se ekspertët po bëjnë studimin gjeologjik të zonës, ku ka rrëshqitje dhe më pas do të ndërhyhet për të frenuar këtë fenomen.
Nga rrëshqitja e kodrës në Blinisht të Mirditës janë shembur disa banesa si dhe një biznes, ndërsa i gjithë fshati është bërë i pabanueshëm. Në këto kushte shumë prej banorëve janë larguar nga fshati për shkak të rrëshqitjes së dherave që vijojnë prej tri ditësh.