GJIROKASTËR- Padrejtësitë që pretendon se janë bërë ndaj familjes së saj kanë shtyrë një grua të tentojë të vetëdigjet para Gjykatës së Shkallës së Parë në Gjirokastër.
 
Sadije Hysa, 49 vjeç nga fshati Dukaj i Tepelenës me një shishe benzinë në dorë ka kërcënuar se do të digjet ndërsa për të kryer këtë akt ka kërkuar prezencën e mediave.

Siç e shihni në videon qe publikon Shqiptarja.com, një punonjës i sigurisë është afruar pas shpinës së gruas dhe i ka hequr nga dora shishen me benzinë, duke e shpëtuar nga djegia.

Gruaja pretendon për padrejtësi pasi burri dhe djali i saj janë arrestuar për prodhim dhe tregtim të lëndëve narkotike.

Në videon ekskluzive të Shqiptarja.com gruaja e alarmuar shprehet: "Më kanë djegur shtëpinë, më kanë marrë dokumentet, ndaj familjes sime janë bërë padrejtësi. Më morën shtëpinë, më morën dokumentet e tim biri, më morën gjithçka. Më ktheni fotografitë e tim biri. Jam rrahur 100 herë, më vunë zjarrin në shtëpi”, janë disa nga fjalët e shkëputura dhe të pakuptueshme të gruas e cila në gjendje të rënduar psikologjike thërret me zë të lartë.
 
Pas ndërhyrjes së rojes së sigurisë gruaja është shoqëruar në Komisariatin e Policisë së Gjirokastrës.

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com