Tre mjekë të maternitetit të Pogradecit po hetohen në gjendje të lirë për vdekjen e gruas shtatzënë, me dyshimin se mund të kenë neglizhuar trajtimin.

Nën hetim janë dy kirurgë dhe një reanimator.

Sipas policisë, mbrëmjen e 30 gushtit, në maternitetin e Pogradecit është paraqitur për ndihmë mjekësore Marjana Bunaj, 36 vjeçe, në muajin e 7 të shtatzënisë.

Pas ekzaminimit, 36-vjeçarja është nisur me autoambulancë drejt Tiranës. Gjendja është përkeqësuar rrugës dhe u dërgua në maternitetin e Elbasanit. Aty është konstatuar se kishte humbur jetën.

Denoncimi është bërë një ditë më parë nga familjarët e 36-vjeçares, të cilët pretendojnë se mjekët e kanë mbajtur 4 orë në maternitetin e Pogradecit para se ta nisnin drejt Tiranës. Sipas tyre, kjo vonesë ka ndikuar në përkeqësimin e gjendjes.

Ndërkohë, burime nga spitali thanë se 36-vjeçarja kishte pësuar hemorragji të brendshme dhe është paraqitur në urgjencë me parametra të ulët jetësorë. Mësohet se asaj i është dhënë gjak para se transportohej drejt kryeqytetit.

Shkaqet e sakta të vdekjes dhe rrethanat pritet të zbardhen pas autopsisë, ekspertizës mjeko-ligjore dhe këqyrjes së kartelës.

Hetimet e prokurorisë do të përcaktojnë nëse ka pasur neglizhencë nga ana e mjekëve të maternitetit të Pogradecit.

Njoftimi i policisë:

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Pogradec referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasit: B. D., 35 vjeçe, banues në Elbasan, A. T., 40 vjeç, dhe S. Ç., 34 vjeç, të dy banues në Pogradec, me detyrë mjekë në maternitetin e Pogradecit.   

Mbrëmjen e datës 30.08.2026, është paraqitur në maternitetin e Pogradecit, në gjendje jo të mirë shëndetësore, shtetasja M. K., 36 vjeçe, 7 muajshe shtatzënë. Pas ekzaminimit nga këta tre mjekë, 36-vjeçarja është nisur me autoambulancë, për ndihmë mjekësore të specializuar në një maternitet në Tiranë, por duke qenë se gjendja e saj shëndetësore është përkeqësuar gjatë rrugës, ajo është dërguar në maternitetin e spitalit të Elbasanit, ku u konstatua se kishte  humbur jetën.   

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Korçës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Neglizhenca në trajtimin mjekësor”.

Lajm në përditësim...

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë