TIRANË- Ministria e Punëve të Jashtme kërkoi sot zbardhje të plotë të ngjarjes së vdekjes së shtetasit shqiptar Ilir Kareli në burgun e Nigrita të Serresit në Greqi.  

Duke shprehur ngushëllimet për humbjen tragjike të jetëve të gardianit të burgut të Malandrinos në Greqi, Jorgos Cironis dhe të shtetasit shqiptar Ilia Kareli që vuante dënimin në këtë burg, MPJ thekson me anë të një njoftimi për shtyp se, “pas marrjes së njoftimit në rrugë zyrtare, MPJ ka kërkuar përmes Ambasadës tonë në Athinë dhe Konsullatës në Selanik që të ndjekin nga afër dhe në rrugë institucionale situatën”.

“Nga informacionet paraprake zyrtare të autoriteteve greke pritet zbardhja e raportit mjeko-ligjor, i cili do të mundësonte zbardhjen e plotë të çështjes.”, thekson MPJ.

MPJ dënon sulmet ndaj autoriteteve të zbatimit të ligjit, sikundër çdo akt dhune ndaj shtetasve shqiptarë që kryejnë dënimin në burgjet e Greqisë.

“Inkurajojmë dhe kërkojmë nga autoritetet greke zbardhjen e plote të ngjarjes, çka do të mundësonte vendosjen përpara drejtësisë  të përgjegjësve”, thekon MPJ në njoftim.

Mëngjesin e djeshëm është gjetur i vdekur në qelinë e tij në burgun e Nigrita të Serresit, i burgosuri shqiptar Ilir Kareli, i cili tri ditë më parë kishte vrarë gardianin 46-vjeçar të burgut të Malandrinos, Jorgo Cironi, baba i dy fëmijëve.

Dje Avokati i Popullit, Igli Totozani, nëpërmjet një letre i kërkoi Ministrisë së Jashtme Shqiptare të ndjekë nga afër këtë ngjarje. Gjithashtu, Totozani një letër të ngjashme i ka dërguar edhe Ombudsmanit te Greqise.

SKEDA KRIMINALE E ILIA KARELIT
Ilia (Kudret) Kareli, ka hyrë për herë të parë në burgjet greke në 21 tetor të viti 1997, për vjedhje të rëndë. U dënua me 16 vjet dhe pesë muaj. Në 27 maj të viti 2006 ai u arrestua përsëri për veprat penale të vrasjes dhe grabitje në serial. Vrasja ka ndodhur në Iraklio, ku Kudret Ilia shkoi në shtëpinë e një çifti, për të vjedhur bizhuteritë. Aty u dënua me 20 vjet e 18 muaj, ndërsa Gjykata e Apelit e dënoi me 12 vjet e nëntë muaj. Ndërkaq, ishte dënuar edhe me 8 vjet të tjera burg për drogë.

Reagimi i plotë i MPJ

Ministria e Punëve të Jashtme shpreh ngushëllimet për humbjen tragjike të jetëve të gardianit të burgut të Malandrinos në Greqi, Jorgos Cironis, dhe të shtetasit shqiptar Ilia Kareli që vuante dënimin në këtë burg.
 
Pas marrjes së njoftimit në rrugë zyrtare, MPJ ka kërkuar përmes Ambasadës tonë në Athinë dhe Konsullatës në Selanik që të ndjekin nga afër dhe në rrugë institucionale situatën. 
 
Nga informacionet paraprake zyrtare të autoriteteve greke pritet zbardhja e raportit mjeko-ligjor i cili do të mundësonte zbardhjen e plotë të çështjes. 
 
MPJ dënon sulmet ndaj autoriteteve të zbatimit të ligjit sikundër çdo akt dhune ndaj shtetasve shqiptarë që kryejnë dënimin në burgjet e Greqisë. 
 
Inkurajojmë dhe kërkojmë nga autoritet greke zbardhjen e plote të ngjarjes, çka do të mundësonte vendosjen përpara drejtësisë  të përgjegjësve.

Redaksia online
(ata/esh/shqiptarja.cm)