Një foshnje e sapoardhur në jetë në maternitetin e Pogradecit ka gjetur vdekjen në rrethana ende të pashpjegueshme. Prindërit fajësojnë një pediatër për mjekim të pakujdesshëm ndërsa policia po e procedon në gjendje të lirë mjekun. Shefi i Pavjonit të lindjeve në Maternitetin e Pogradecit ka sqaruar sot situatën mbi vdekjen e foshnjes. Sipas tij, gjendja e foshnjes u rëndua si pasojë e një infeksioni në lëkure që i nisi 12 orë pas lindjes dhe se bebja u nis në Tiranë për një mjekim të specializuar. Foshnja humbi jetën rrugës për në Tiranë.

Por nëna e foshnjes, Semke Hyka fajëson mjekët dhe infermierët për neglizhencë. Sipas saj, fëmija lindi në rregull, ndërsa një ditë më pas pati probleme me lëkurën, për të cilën mjeku kishte dhënë garanci se do ta kalonte. 
 
"Fëmija lindi normalisht dhe nuk pati probleme. Të nesërmen nuk mundej të ushqehej, dhe vunë re se pati infeksion në lëkurë. Ilaçet i kemi blerë vetë sepse nuk kishte në spital. Fëmija në atë gjendje qëndroi 2-3 orë.
 
Infermierët nuk bënin asgjë. Fëmija nuk reagonte. Deri në orën 5 i vendosën 2 serume. Gjendja sa vinte e rendohej. Doktori na garantoi se do e kalonte këtë gjendje.
 
Pas 2 orësh fëmijës iu nxi trupi dhe rrugës për në Tiranë ndërroi jete. Kërkojmë arsyet për këtë gjë. Fajësojmë doktorin dhe infermierët për neglizhencën.
 
Jam mjaft e shqetësuar pasi kjo ngjarje mund t'ju ndodhë dhe nënave të tjera
", thotë Semke Hyka, nëna e foshnjes.

Semke Hyka
(Nëna e foshnjes, Semke Hyka)

Edhe babai i foshnjes, Agron Hyka, fajëson stafin mjekësor, ndërsa shton se mjeku që trajtoi rastin e bashkëshortes së tij shtatzënë nuk është mjek gjinekolog, por veteriner. AI kërkon zbardhjen e ngjarjes nga drejtësia, ndërsa paralajmëron se në të kundër do të marrë hak. 

 "Humbja e fëmijës është një ngjarje shumë e rëndë. Jam shumë i shqetësuar. Fëmija lindi mirë dhe ishte i shëndetshëm. Normalisht ishte paaftësia e mjekut ajo që e rendoi gjendjen e fëmijës. Ai nuk është gjinekolog, është veterinar. Fëmijën e humba nuk dua të humb dhe gruan tani pasi është në gjendje të rëndë. I bëj thirrje Ministrisë të më lejojë ta çoj në një spital tjetër me kushte të mira pasi këtu është shumë gjendje e keqe. 

Dua që drejtësia të bëjë punën e saj dhe të zbardhë se si ka ndodhur ngjarja, në të kundërt do të bëjmë vetë të pamundurën për ta çuar drejtësinë në vend. Do të na detyrojnë të marrim hak për humbjen e fëmijës".

Agron Hyka
(Babai i foshnjes, Agron Hyka)