Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj në intervistën "5 pyetje nga Babaramo" në Report TV, ka folur hapur për projektet e tij në drejtimin e Bashkisë më të madhe në vend.
Veliaj u shpreh qartë se nuk do të lejohet ndërtimin i godinave 17 katëshe tek diga e liqenit artificial, një leje kjo e dhënë Lulzim Basha.
Ndërsa procesi po ndiqet në rrugë gjyqësore, kreu i bashkisë së Tiranës iguroi se nuk do të ketë një ndërtim të tillë te diga e liqenit.
Për çështjen e shumëdebatuar të ndërtimit të pallatit 13-katësh tek Fakulteti i Ekonomisë, kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj tha se leja është dhënë nga paraardhësi i tij në Bashkinë e Tiranës.
I pyetur në lidhje me proceset e brendshme në Partinë Socialiste dhe për garën në postet drejtuese në partinë më të madhe në pushtet, Veliaj shprehet se nuk ka asnjë ambicie për Sekretar të Përgjithshëm apo ndonjë post tjetër drejtues.
Nga ana tjetër Erion Veliaj thotë se jashtë orarit zyrtar të punës në Bashkinë e Tiranës, gjatë kësaj jave do të angazhohet në strukturat e PS për të ftuar të gjithë socialistët të marrin pjesë ne referendumin e 9 prillit.
Do doja ta nisnim bisedën me atë çka është debatuar kohët e fundit, për parkun e lojërave të fëmijëve, tek parku i liqenit. Pyetja ime s’ka të bëjë me këndin e lojërave, por a do ketë poshtë digës së liqenit kulla 25 katëshe?
Jo, nuk do të ketë.
Nuk do ketë edhe nëqoftëse paraqitet....?
Jo, nuk do të ketë. Pyetja juaj është a do ketë, përgjigja ime është se nuk do të ketë.
A parashikohen në planin urbanistik?
Jo, nuk parashikohen. Në planin e ri urbanistik nuk parashikoheshin, por në planin e vjetër të Lulzim Bashës parashikoheshin. Arsyeja pse ndërruam është sepse ne besojmë se nuk duhet të vazhdojmë me gabimet gabimet e të kaluarës të cilat na lanë me gropa tek liqeni që nuk duhet të ishin. Jam duke luftuar në gjykatë, siç kam premtuar dhe synoj që ta fitoj atë betejë, për pallatin 17-katësh që Lulzim Basha na e la mu në digë të liqenit dhe sigurisht që logjika që pason është as nuk do të ketë të tjera tek diga e liqenit. Unë besoj se detyra ime si kryetar bashkie është të mos i bie mbrapa thashethemeve, por ti bie mbrapa fakteve. Fakti është se as nuk ka plan e as nuk do të ketë ndërtim të ri tek liqeni.
Po ka një plan të aprovuar nga bashkia e mëparshme dhe aty në mos gaboj parashikohen katër apo pesë kulla 25-katëshe?
Ka një plan, të planit urbanistik të Lulzim Bashës dhe të Jamarbër Malltezit të cilin unë nuk kam plan që ta zbatoj. Kjo është arsyeja që në planin e ri nuk ka kulla dhe nuk do të ketë kulla tek ai liqen.
Pra ju do të keni një plan të ri?
Po, ne e kemi filluar një plan urbanistik me Stefano Boerin, një nga arkitektët më të shquar në botë dhe në këtë plan ne do të bëjmë një bashkim dhe një kohezion të 24 zonave të Tiranës dhe do të kemi një fokus më të madh për të mbrojtur ato territore që janë shumë të çmuara për qytetin përfshi këtu edhe parkun e liqenit. Parkun do ta bëjmë më të jetueshëm, ai nuk është park natyral, por artificial dhe ta bëjmë më të aksesueshëm për të gjitha moshat. Aty të rriturit kanë çfarë të bëjnë, ndërsa fëmijët jo. Kjo është arsyeja se përse po bëjmë këndin e lojërave, kundrejt lejeve, kundrejt të gjitha ligjeve. Dhe kjo ëhstë e njëjta arsye se përse nuk do të lejojmë pallat. Kështu që për të gjithë ata që, mendojnë që politika është arti i thashethemeve unë them jo, është arti i punës dhe i fakteve. Përsa kohë që ata që na lanë pallatin 17-katësh na akuzojnë për bëma imagjinare që skano ndodhur, është njësoj siç ta dënosh dikë me vdekje për diçka që nuk e ka bërë. Unë refuzoj që të pranoj se Bashkia e Tiranës të vihet në një gjykim ose paragjykim duke mos bërë asnjë gjë gabim, përkundrazi duke u përpjekur për të c’bërë gabimet që ka bërë dikush tjetër.
Çfarë do të ndryshoni tjetër të planin urbanistik, cfarë ndërhyrjesh do bëni?
Do kemi disa ndryshime. Në Bulevardin e ri do keni një park qendror që është shumë i nevojshëm dhe nuk ishte planifikuar, pasi është një bulevard i mbushur me ndërtim. Kemi reduktuar ndërtimet për ti dhënë një park tjetër qindor që është 6-herë më i madh se parku Rinia. Duam të rivitalizojmë totalisht bregun e lumit që është një nga zonat më të çmuara kudo në botë, por tek ne është një zonë e degraduar. Në një kohë kur politika e mbrapshtë është duke prishur lodrat e fëmijëve, ne jemi duke ecur shumë shpejt tek bregu i lumit dhe brenda këtij mandati kur të përmendet bregu i lumit nuk do të ketë më konotacion negativ, por pozitiv. Do të ketë një rehabilitim, gjelbërim, një pedonale në të dyja anët dhe shumë shpejt do të jetë një zonë e lakmuar e Tiranës për zhvillim. Unë besoj se Tirana ka nevojë të shfryjë në termin metaforik të fjalës edhe për dendësinë e popullsisë edhe për për mbingarkesën që ka Tirana aktuale. Zgjatimi i aksit ëhstë i ngjashëm me zgjatimin shtyllës kurrizore. Ju mund të shikoni që ne kemi planin urbanistik të Italisë që në vitet 1920 dhe kemi që në ato vite me të njëjtin bulevard. Do të thotë që Tirana po shkon 100 vjeç si kryeqytet dhe ne kemi të njëjtin ashtë siç e kishim përpara100 vjetësh. Nuk shkon, dyfishimi i këtij aksi besoj që i jep Tiranës një frymëmarrje që ka vite që i mungon. Sigurisht me këto modifikime në bregun e lumit dhe në parkun qendror.
Çfarë do të ndryshoni nga plani i Bashës?
Momentalisht, plani i hartuar nga Basha nuk e ka këtë park qendror. Ajo që ne do të duhet që ne të marrim parasysh është fakti që Tirana që trashëguam ishte në një këmishë force që quhet vija e verdhë e Tiranës. Sot nuk e kemi më këtë këmishë force, kjo do të thotë se sot kemi lirinë që të projektojmë gjërat për Tiranën e re shumë herë më mirë e ndryshe sesa ajo që trashëguam. Kemi planifikuar dy terminale autobuzësh, një në lindje e një në perëndim, për të menaxhuar trafikun që vjen nga drejtimi i Durrësit dhe ai i Elbasanit. Sot ne kemi filluar me disa zgjidhje provizore të cilat qartazi kanë ulur trafikun, ku çdo autobus që vinte shkarkonte në çdo cep rruge pasagjerët.
E vetmja hyrje në Tiranë është ajo e rrugës së Durrësit, ku veriu, perëndimi e jugu i Shqipërisë hyjnë nga aty.....?
Gjëja e parë që do të bëjmë është do të nisim brenda gjysmës së parë të vitit të gjitha procedurat për terminalin perëndimor dhe brenda këtij viti edhe për terminalin lindor. Brenda këtij mandati do të ketë dy terminalë ku cfarë hyn nga jug-lindja apo nga pjesë të tjera në autobuzë përfundojnë në portet hyrëse të qyteteve.
Ku do të jenë këto terminalë?
Gjurma e kthesës së Kamzës është e përcaktuar dhe është pronë e Bashkisë dhe jemi duke parë territore në Farkë për të pasur atje hyrjen lindore të Tiranës. Keni shumë të drejtë kur thoni se të gjitha hyrjet konvergojnë në një pjesë, dhe kjo është arsyeja se përse në zonën e shesh Tufinës jemi në kontakt me qeverinë për mënyrën sesi do të zhvillohet rruga e Arbrit, pasi ajo do të paraqesë portën veriore të Shqipërisë. Eventualisht me ecjen e asaj rruge ne do të kemi edhe një mini terminal ku hyrja e saj do të jetë rruga e Dibrës dhe vazhdimësia e shesh Tufinës.
Qëndrojmë tek problemet që janë debatuar shumë kohëve të fundit, tek ndërtimet shumëkatëshe. Ai që është folur së fundi ose më saktë që nuk është folur të dyja palët që ka një lloj kompromisi është pallati 13-katësh që po ndërtohet para fakultetit ekonomik e filologjik. Kush e ka firmosur atë leje?
Leja është firmosur nga paraardhësit e mi në bashki dhe është çuar për konfirmim në KKT.
Ai e ka mohuar dhe ka thënë se këtë leje e keni firmosur ju, të paktën kështu ka deklaruar në emisionin e kolegut Sokol Balla?
Kjo është e pavërtetë, sepse po flet për një njeri që u shtri në këtë zyrë për gjumë dhe gënjen në mënyrë sistematike. Siç e shikoni mbi kontrollin e përputhshmërisë së lejeve zhvillimore të propozuara të firmosur nga z.Enno Bozdo dhe lista e të gjitha ndërtimeve që bashkia e vjetër ka propozuar. Kështu që gjëja që dua të të siguroj është se nëqoftëse ata nuk e zgjidhin mes tyre nëse është firma e kryetarit ose nënkryetarit ky është problemi i tyre. Unë nuk jam këtu që të analizoj sesi një parti ose një grupim i rrenave e përtacisë nuk zgjidh dot problemin mes tyre. Për mua se e firmosu Luli ose Enno e njëjta gjë është. Kështu që në këtë sens...
Në fakt, kur erdhi në zyrë z.Rama e pezulloi dhe pastaj iu dha sërish leja. Këtë ia ka dhënë Këshilli Kombëtar i Territorit apo ju?
Unë nuk kam dhënë asnjë leje ndërtimi deri më sot, as këtë e asnjë leje tjetër. Kjo nuk do të thotë se nuk do të jepen leje, pasi qyteti gjithmonë do të zgjerohet. Për një njeri që vjen nga zona të tjera të Shqipërisë, është student, familje e re në Tiranë do të jetojë dhe cakton vendin se ku do banojë. Nuk jam këtu për të thënë këtë, por jam këtu për të thënë një fakt, që unë nuk kam dhënë asnjë leje. Kjo është lehtësisht e verifikueshme në regjistrin kombëtarë të lejeve të ndërtimit.
Këtë e mban dhe e ka thënë kryeministri?
Po ua them edhe njëherë, të mos bëjmë luftë fjalësh. Kjo është një leje nga Bashkia e Tiranës. Siç iu tregova firmën dhe kërkesën që kjo leje të konfirmohet nga KKRT. Këshilli Kombëtar i Territorit porsa kohë që ky ka pasur një moratorium, ky ka kërkuar që lejet të konfirmohen në KKT. Ka ndodhur konfirmimi në KKT...
Në KKT-në e drejtuar nga z.Rama?
Në KKT-në e qeverisë shqiptare ku Kryeministri është një nga anëtarët e KKT-së. Ka kaluar filtrin e KKT-së, thashë politika është një punë e reales dhe gjërave ligjore. Dhe porsa kohë që është kjo procedurë ligjore, ky është informacioni transparent që mund t'iu jap.
Është ndërtuar brenda territorit të parkut?
Qeveria e kaluar ka definuar territorin e parkut e cila fillon në rrugën pasardhëse. Keni edhe disa ndërtesa të tjera, se nuk dua të bëj reklama restorantesh, dhe përsa kohë që ka definuar atë si hyrje të parkut dhe çdo gjë tjetër jashtë parkut besoj se është detyrë e juristëve që e kanë filtruar dhe që i kanë dhënë votën.
Por gjithsesi ka edhe një ligj tjetër që e pengon. Është ai ligj me të cilin ju ndërhytë tek diga, që ndalohet që mbi diga, mbi kolektorë të ndërtohen. Aty po ndërtohet mbi kolektorin e ujërave të zeza?
Nëse e dini këtë fakt dhe nëse është ndërtuar dhe ëhstë prishur kolektori, unë nuk kam dijeni për këtë por mund ta verifikojmë. Kurse për ndërtimin tek diga ne tashmë kemi një vendim. Këtu kemi një pretendim i cili meriton të verifikohet pasi ëhstë hera e parë që e dëgjoj.
E dini se Ujësjellësi i Tiranës po kryen punime aty për të zhvendosur tubat?
Ujësjellësi i Tiranës kryen punime në të gjithë territorin e Tiranës, modifikime tubash, lidhje ujësjellash, kanalizime, shkarkime ujërash të bardha e të zeza. Do e shikoj kërkesën tuaj dhe do t’iu informoj. Ajo që di t’iu them është që në rastin e digës ne kemi një vendim të Komitetit të Digave që e anulon ndërtimin. Deri më sot as Komiteti i Digave e as ndonjë pretendues tjetër nuk ka një informacion të tillë. Por sot që e mora vesh do ta verifikoj.
Nëqoftëse aty kalon kolektori dhe është zhvendosur nga ujësjellësi ju do të urdhëroni ndërprerjen e punimeve?
Unë do ta verifikoj sepse kam mësuar që të mos i bëj gjërat as për presion e as për show mediatik. Nuk e di nëse ka ligj që thotë se tubat nuk mund të mblidhen me njëri-tjetrin. Kështu që fillimisht do verifikoj faktin dhe pastaj do të shikoj se çfarë ligji thotë për faktet nëse këto qëndrojnë. Nëse Këtë proces do e bëj me integritet dhe do iu informoj.
Së fundi bashkia ka kërkuar që gjithë qytetarët të lirojnë tarracat e pallateve nga depozitat e ujit?
Nuk është kështu.
Atëherë si është?
E vërteta është që, Bashkia ka informuar se në zonat ku ne kemi furnizim 24 orë me ujë të pijshëm, vetëm në ato zona mund të fillojë çmontimi. Zonat janë njoftuar, bëhet fjalë për disa zona në pjesën lindore të Tiranës tek Ali Demi, Kodra e Priftit. Pra bëhet fjalq për një projekt pilot ku ne kemi ndërtuar një qark të mbyllur të furnizimit me ujë nga disa depo të mëdhaja uji të cilat sigurojnë ujë 24 orë. Ideja është që nga projektet mikro, ne të shkojmë në projektet makro në të gjithë Tiranën. Pra këtu nuk bëhet fjalë që të heqim depozitat pastaj të vijë uji. Jo. Ne sjellim ujin pastaj heqim depozitat. Heqja e depozitave nuk është qëllim në vetvete. Furnizimi me ujë është qëllim në vetvete. Dhe prej këtij realizimi është heqja e depozitave. Kur ne sigurojmë furnizim me ujë në 24 orë atëherë punonjësit e Bashkisë do t’iu kërkojnë qytetarëve që ti heqin. Ata duhet të fillojnë gradualisht që ti heqin.
Kur do e realizoni në të gjithë Tiranën?
Besoj që për një pjesë të mirë të Tiranës do të realizohet brenda këtij mandati. Ju informoj se kemi trashëguar një rrjet totalisht të amortizuar të viteve ’70-80. Kjo do të thotë që për shumë ndërtime të reja që marrin ujë nga ky ujësjellës për ne ka dy sfida: Të ndërpresim humbjet në rrjet, ku tubacionet kalojnë në Kamëz e në Tiranë vjen shumë pak ujë, pasi jemi në proces ndarje kompanish nga Bashkia e Kamzës, pasi ata duhet të kenë ujësjellësin e tyre dhe rritje të orareve të furnizimit me ujë. Ne kemin gjetur një Tiranë me 8 orë ujë në ditë dhe sot mesatarisht kemi kaluar në 10-12 orë ujë në ditë.
Shifër e frikshme kjo që 2/3 e ujit në rrjet humbet?
Shumë e thjeshtë, ndërtimet që janë bërë në zonën e Kamzës, Bathores e Paskuqanit kanë ndërhyrë dhe kanë çarë tubacionin e ujit që vjen në Tiranë, e kanë bërë si kulluese makaronash. Lagje të tëra furnizohen papaguar ujin. Ajo që kam propozuar është që ne të kemi një tubacion të ri ku nuk mund të bësh ndërhyrje. Bashkia e Kamzës nuk mund ta vjedhë më ujin e pijshëm, por duhet të paguajë ose mirëmenaxhojë ujësjellesin e vet. Unë jam i lodhur nga fakti që bashkitë e konsiderojnë Tiranën si një lopë që mjelin dhe nuk zgjidhin problemet e tyre. Kam vendosur që prioritet të kem interesat e qytetarëve të Tiranës.
Një tjetër problem është shpronësimi tek zona e Trenit ku kalon gjurma e bulevardit të ri. Shohim banorë që protestojnë pasi akne marrë shpronësime 20 milion lekë të vjetra dhe nuk blejnë shtëpi. Shqetësim janë ata që prej dekadash kanë shtëpitë aty, jo ata që kanë zaptuar. Edhe në diktaturë ju gjendej një strehë?
Unë kam një informacion të saktë për secilin prej pretendimeve aty. Disa nga pretendimet nuk janë të vërteta. Pronësia nuk është ekzaktësisht e vërtetë, ajo është e ndarë në disa kurora. Unë do iu kërkoja që ne të verifikojmë rast për rast. Pasi kam verifikuar kamë konkluduar se pagesat janë për një nga përfituesit e kurorës. Shteti bën një vlerësim të shitjeve në atë zonë. Agjencitë imobiliare bëjnë një vlerësim të pronës dhe doganat bëjnë një vlerësim të ndërtimit, hipotekat bëjnë vlerësimin e shitjes. Për shumë familje që kanë bërë shtesa e nuk i kanë regjistruar. Në hipoteka nuk i kanë regjistruar pronat ndaj nuk shpronësohen për to. Unë zbatoj ligjin dhe ne po bëjmë disa oferta shtesë për banesa sociale, disa i kanë pranuar. Por ka të tjerë që nuk i kanë pranuar. Disa duan gjëra të madha, por unë nuk e shkel ligjin. Po ashtu kemi ofruar edhe bonos qeraje.
Kur përfundon ndërtimi i unazës së vogël?
Aktualisht është duke u asfaltuar shtresa e fundit në lotet 1, 2 dhe 4 dhe kemi edhe lotin e 3 që është edhe më i vështiri duke qenë se kërkon shembjen e disa ndërtesave. Tani që kanë mbaruar 3 lote, fokusi do të jetë tek loti i fundit. Në qershor kur ne të fillojmë me sheshin “Skënderbej” do kemi mbaruar me unazën e vogël
Sa shkon vlera totale e investimit?
Nuk jam i sigurt, por besoj se shkon në 600 ose 700 mijë dollarë. Nuk vjen nga taksat e Bashkisë së Tiranës, është i financuar totalisht nga Fondi i Zhvillimit të Rajoneve i qeverisë shqiptare. Tirana kërkon fonde përtej çfarë i mundëson buxheti me taksat modeste. Ne kemi kërkuar që të marrim vlerë të madhe të buxhetit të shtetit, si bashkia më e madhe e vendit dhe qeveria na ka mbështetur.
Si do të jetë sheshi "Skënderbej”?
Nesër do prezantojmë projektin. 50% do të jenë pjesë e ngurtë dhe 50% do të jetë gjelbërim. Do të ketë ishuj, pedonale dhe qarkullimi do të ndodhë nga unaza e vogël.
A do e përballojë unaza?
Nëse do vijonim me këtë logjikë do të thonim se çdo qytet ka pjaca e sheshe, ndërkohë që Tirana nuk ka asnjë. Ne kemi një qytet që është në funksion të makinave, por do provojmë që të kemi një qytet për njerëzit.
Po projekti francez, a do jetë dhe a do ketë kulla?
Ne jemi në diskutime. Vendimmarrja e punës që do fillojë në qershor ka të bëjë vetëm me sheshin dhe pjacën. Kur të përfundojë plani urbanistik do diskutojmë për kulla apo zona të tjera komerciale. Do rikthejmë lulishten poshtë kalit të Skënderbeut, pedonalizimin e rreth xhamisë, mini lulishte mes ministrive.
A do ketë nënkalim sheshi “Skëndërbej’ siç kishte punime para 6 vitesh?
Nuk ka nënkalime. Ato janë tubacione për depozitat e ujit për shatërvane. E bëjnë eksperiencën më unike. Ato janë tunele mirëmbajtje. Ato do të rihapen dhe do të rikuperohet investimi që është groposur. Besojmë që në 70-80% e investimit nuk është cenuar nga mbulimi e më pas sheshi do të vishet me pllaka e gjelbërim. Qytetin ia rikthejmë njerëzve.
Tek Zogu i Zi a do të ketë ndërhyrje?
Jemi duke e diskutuar nëse do të ketë ndërhyrje tek Zogu i Zi ose tek Dogana. Besoj marrim përgjigje në qershor. Po masim fluksin e makinave, shkatërrimi i mbikalimit tek Zogu i Zi ishte shumë veprim i rëndë e që iu kushtoi qytetarëve. Po ta kishim, do ishte investim i dobishëm.
A mendoni se do të ishte mirë që këto investime të bëheshin pasi të përfundonte ndërtimi i unazës së madhe?
Unaza e madhe është një investim disa milionësh dollarë. Nuk përfundon shumë shpejt. Ky segment do përfundojë brenda vitit, që lidh ish kombinatin ushqimor me Doganën. Unë kam ndërmend që në 1 mandat të mbaroj gjërat pezull si unaza e madhe, zona e pazarit të ri, ku do kemi markatë të re perimesh, do ketë pedonale. Ende pa mbaruar investimi është rritur me 30% zona tek pazari i ri. Do mbyllet terminali i transportit multimodal, në lindje e perëndim, ku do ketë disa llojesh shërbimesh, kombëtare e ndërkombëtare. Do sistemohen aty kompanitë që merren me transportin. Sallë pritje, çdo detaj që i duhet një terminali për mjetet e transportit publik.
Çfarë do të ketë ndryshim në transportin publik, pasi janë me autobuzë të vjetër, pa kushte?
Unë nuk i pranoj këto autobuzë. Ajo që ne do të bëjmë ndahet në disa hapa, ku do nisim procedurat për filetimin elektronik ku çdo qytetarë do ketë kartelë elektronike. Shmangim kontaktet njerëzore. Nga 10 linja që ka Tiranë do shkojmë në 20 linja. Ne jemi duke diskutuar masterplanin, do e firmos dhe do aprovoj e miratoj disa aranzhime duke kryqëzuar disa linja.
Zoti Veliaj, ishit duke folur për stacione të reja që do krijohen në transportin urban. Cilat janë?
Ideja është që ne të shkojmë nga 10 linja në 20 linja. Ideja e dytë është që ne të filetimin elektronik.
Cilat janë këto 10 linjat e reja që shtohen?
T'i them me vendndodhje, sepse ende s’është publike. Ne dyfishojmë linjat, sipas të gjithë akseve radiale të Tiranës. Fjala vjen nga Qyteti Studenti shkohet te uzina Dinamo, nga Shesh Tufina shkohet në Sharrë. Integrojmë shumë pre linjave rurale në linja urbane.
Pra do ketë linjë direkte Qyteti Studenti...
Këtu bëhet fjalë për t’u siguruar që i gjithë qyteti përshkruhet nga diagonale, apo unaza të cilat mundësojnë që nëpërmjet disa unazave, pra do të kemi tre unaza dhe nëpërmjet disa diagonaleve të bëhet aq i mirë rrjetëzimi sa që me një biletë të kesh mundësi të udhëtosh në destinacionin tënd edhe duke ndërruar autobuzë dhe duke t’u njohur bileta. Kjo realizohet edhe duke shtuar linjat edhe duke bërë filetimin elektronik.
Për linja të reja e kishe fjalën që të shtohen?
Çështja është që pa e firmosur dhe pa i shpallur linjat e reja nuk do improvizojmë në televizion.
Jo, gjersa keni një projekt mund ta bëni publik...
Po, kemi një projekt, po do harroja disa linja, po në momentin që keni interes mund t’iu japim sapo të firmoset plani të 20 linjave. Po nuk dua që ti bie linjave të autobusit me veshë.
Kur janë funksionale këto linja?
Besoj që fund të verës, linjat do jenë funksionale dhe besoj që në vjeshtë do jetë funksional gjithë biletimi elektronik. Në fund të këtij viti, shqiptarët që banojnë në Tiranë ose ata që do ta vizitojnë Tiranën për punë ose për pushime do kenë një transport publik shumë herë se sa ai që gjetëm ne. Është një punë që kërkon shumë durim, është një punë të cilën ne po mundohemi që ta disiplinojmë. Mbi 150 gjoba kemi vënë në të gjitha zonat ku shërbehet transporti publik për t’iu dhënë edhe një leksion atyre linjave që ne i gjetëm të privatizuara. Fatkeqësisht ne nuk jemi një kompani publike të transportit publik, por kemi vetën një rol rregullator dhe këtë rol rregullator po e kryejmë si kurrë më përpara. Kështu që besoj jo vetëm kompanitë e reja që do të licencohen për këto 20 linja do të kërkohen që të kenë flota shumë më moderne, por dhe një shërbim shumë më cilësor.
Flasim për rrugët e reja që jo mendoj të ndërtohen, por duhet të ndërtohen. P.sh është zona e Selitës ose zona le të themi poshtë Freskut, poshtë komunës Dajt, aty ku është Instituti i Fizikës Bërthamore, ose rreth e rrotull asaj zone. Ka dhjetëra për të mos thënë qindra pallate që janë ndërtuar dhe në mes të një infrastrukture ku nuk ka as xhade, jo më rrugë...
Ne kemi planifikuar këtë vit disa ndërhyrje masive te zona e Selitës, pra gjithë rruga më duket “Aleksandri i Madh”, “Lekë Zaharia” dhe disa rrugë të tjera, do të jenë pjesë e një zhvillimi të infrastrukturës urbane në të gjithë zonën e Selitës, jo vetëm rruga po gjithë kanalizimet dhe gjithë rrjeti infrastrukturor që mundëson atë zonë. Në zonën e Freskut, kemi futur rrugën e fizikës bërthamore si një nga rrugët për zhvillim dhe ka rreth 15 ndërhyrje të tjera masive, kryesisht në zonën e Laprakës, gjithashtu një zonë që prej vitesh është neglizhuar, voton historikisht Partinë Demokratike dhe pikërisht është marrë e mirëqenë dhe s’ka pasur asnjë investim gjatë viteve të fundit.
Këto rrugë bëjnë gjatë mandatit tuaj të parë?
Këto do bëhet të gjitha brenda këtij viti, jo gjatë mandatit tim të parë. Kështu që brenda këtij viti ne do të fillojmë masivisht në të gjitha këto rrugë. Disa besoj janë në proces prokurimi teksa flasim.
E qartë. Opozita ju ka sulmuar për atë që quhet taksë e arsimit. Thonë që është anti-kushtetuese, sepse në kushtetutë parashikohet që arsimi është falas. Çfarë është kjo taksë?
Kjo nuk është një taksë arsimi. Taksa quhet “taksa për gjeneratën e re” dhe ka të bëjë me ndërtesat arsimore. Pra nuk bëhet fjalë për të paguar mësuesit e arsimit, bëhet fjalë për të ndërtuar shkolla, të cilat ne sot i kemi me dy turne. Po kjo opozitë na flet me shumë simpati se si gjatë kohës së luftës në Kosovë dhe shtëpitë ktheheshin në shkolla. Tani, kjo opozitë që e vlerëson kur të tjerët e bëjnë sakrificën, a nuk është me ne kur ne duhet të bëjmë një mini- mini sakrificë? Pra sakrifica modeste që ne kemi bërë është që një taksë që tashmë paguhej për gjelbërimin ne thjesht i kemi ndryshuar destinacion. Pra nuk ndryshon shuma, nuk ndryshon vlera, nuk ndryshojë ata që e paguajnë, por një taksë që ka ekzistuar historikisht në Tiranë thjesht në vend që të shkojë për shkurret dekorative do të shkojë që ne mos të kemi klasa me dy turne. Dhe është gënjeshtër ta quash taksë për arsimin, nuk është taksë për arsimin. Duke qenë se qyteti duhet të ndërtojë shkollat, kopshtet, çerdhet dhe qytetit nuk i del t’i bëjë këto ne kemi thënë sikur secili këtë kontribut që e paguanim për shkurret kurative ta çojmë për fëmijët tanë. Me gjithë respektin për gjelbërimin dhe për shkurret, unë besoj se fëmijët janë më të rëndësishëm se shkurret. Pra taksa e gjelbërimit zhvendoset për infrastrukturën e arsimit dhe jo për arsimin.
Ku do ndërtohen shkollat?
Bashkia ka identifikuar asetet e saj publike. Ministria e Arsimit ka bërë një studim për dendësinë e shkollave me dy turne.
Ka hapësirë për tu ndërtuar shkolla, ku janë?
Po ka hapësira. Janë 25. Ne do të ndërtojmë 25 shkolla dhe deri në fund të mandatit do të ndërtoj më shumë shkolla.
Shkolla e parë cila është?
Kemi shumë ide, si p.sh shkolla Kosova, tek rruga "Don Bosko", tek "Fresku". Disa i kemi, por disa do i shpronësojmë.
Me reformën e re territoriale, çfarë ka ndodhur me kompetencat?
Lidhur me shkollat ne kemi marrë në administrim jo vetëm godinat, kopshtet, çerdhet por edhe stafet. Kemi marrë në dorëzim zjarrfikëset dhe shërbimet e emergjencës. Po ashtu, për bujqësinë, titujt e pronësisë, tokave bujqësore, shëndetit primar, arsimit fillor.
Doja të flisnit si protagonist i PS. Çfarë ndodhi që ju mbajtët fjalën e hapjes në Kongres?
Është diçka që ndodh rëndom në çdo PS në botë që kryetari i Bashkisë ku zhvillohet kongresi fjalën e hapjes e mban përfaqësuesi i saj.
E kërkuat ju?
Jo, ma kërkoi grupi organizator.
A mendoni se e tejkaluat atë shkelje të statutit për të cilin u debatua gjatë?
PS është më e fortë e më e madhe, anëtarësia është në kohë suksesi. Synojmë që përvjetori i PS të na kapë me 150 mijë anëtarë. PS është partia ku shumica e njerëzve kanë shpresën dhe aspiratën. Edi ka bërë një punë të shkëlqyer se sa herë që partia hapet, bëhet edhe më e fortë.
Si e shpjegoni frikën e tij për të hapur garën, kur dihet Blushi nuk do ta mposhtte në garë?
Nuk besoj që ka njeri që ka inkurajuar më shumë garë në parti ose Shqipëri sesa Rama. Nuk njoh njeri tjetër. Një garë e ngjashme është ofruar nga Edi Rama tre herë. Dy herë në opozitë dhe njëherë në qeveri. Njëherë është tërhequr ai që ka qenë në garë dhe herën e dytë ka nxjerrë një tjetër. Unë besoj se është në dinjitetin që të respektojë detyrën dhe ti shërbejë vendit.
Ky referendum a mendoni se është një shkelje tjetër e statutit?
Nuk është ashtu, nuk e ka gjetur gjë të keqe asnjë parti që të ketë garë të brendshme. Kur Rama propozon një garë dhe ata që donin garë tërhiqen, ka dy pyetje dhe PO-ja e JO-ja iu intereson atyre që duan të vijnë e të drejtojnë PS-në dhe atij që e drejton aktualisht, që të mos dalë të bëjë teatër nëpër Shqipëri, por të punojë për vendin.
Çfarë do i bëjë referendumi, kur duhet të jetë apo jo Edi Rama kryetar partie kur ndërkohë duhet të bëhej kush do të jetë kryetar i PS-së, Rama apo Blushi?
Referendumi është një garë e jashtëzakonshme sepse tregon se për herë të parë bën referendum brenda llojit. Iu thuhet shqiptarëve që janë anëtarë të PS-së dhe i kërkohet nëse duan që kryeministri të jetë në krye të vendit dhe e rikonfirmojnë ose duan që ai të lërë punët e Shtetit e të bëjë teatër. Është një mundësi fantastike pë rata që duan ta zëvendësojnë Edi Ramën që të dalin në këtë fushatë dhe të dalin në fushatë për të votuar.
Do ketë fushatë?
Ne jemi në fushatë, kemi bërë takime për t’iu kërkuar socialistëve që të rikonfirmojnë Edi Ramën në krye të punëve të vendit, duke marrë mbështetjen e Partisë Socialiste.
Pse nuk e quani shkelje të demokracisë?
Ne pikërisht sepse jemi partia më demokratike në Shqipëri edhe këtë kërkesë për zgjedhje të kryetarit të partisë do e shtrojmë për pyetje nga partia, do e shikojmë përgjigjen. Nëse anëtarët duan që lidershipi i kësaj partie vendos që ai po na çon në drejtimin e duhur, dhe nëse thonë Jo, ne duam teatër, jam i sigurt që ai do përgjigjet pozivitisht.
Blushin a e shikoni në Partinë Socialiste apo ka shkuar larg?
Unë Blushin e shikoj në Partinë Socialiste gjithë ditën e gjithë natën. Ai ka shumë për të dhënë për PS-në. Ka ide, pikëpamje që e pasurojnë PS-në.
Si e gjykoni konfliktin mes Kokëdhimës dhe Ruçit?
Nuk shoh konflikte, por pikëpamje të ndryshme. PS është parti që ngjall debate e diskutime. Nëse do zgjidhja, 100 herë do zgjidhja PS që nuk injoron asnjë gjë. PS bën kontrast. Më mirë që ka debat dhe jo ku të gjithë qëndrojnë lepe-peqe.
Në asamblenë do të ketë garë për disa pozicione të ndryshme në PS, për kryetarë të asamblesë, sekretari i përgjithshëm, kryesia, ju do kandidoni?
Nuk jam përgatitur për asnjë garë tjetër, përveçse t'iu shërbej qytetarëve të Tiranës.
Pra nuk do të përfshiheni as në listën e kryesisë së Partisë Socialiste?
Këtë nuk mund ta them, ajo që do bëj është se do fokusohem pas orarit të punës në Bashki që të kontribuoj në referendumin dhe do shoh sesi mund të jem i dobishëm në PS, por për poste drejtuese nuk kam asnjë ambicie.
Redaksia Online
Shqiptarja.com
/Shqiptarja.com

VIDEO