TIRANË- Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj i është drejtuar Apelit të Posaçëm, duke kundërshtuar vendimin në mungesë të 9 shkurtit të dhënë nga gjyqtari Erion Bani, vendim që i hapi rrugë arrestimit të tij një ditë më pas të hënën e 10 shkurtit.

Burimet konfirmojnë se kërkesa është dorëzuar me postë në Sekretarinë e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë, në datën 14 shkurt, vetëm nga mbrojtja e Veliajt dhe jo nga bashkëshortja Ajola Xoxa, ndërsa pritet që të hënën e 17 shkurtit të mbërrijë në Apel. Mbrojtja e Veliajt thotë se është duke pritur zbardhjen e vendimit të 12 shkurtit, të seancës ku kryebashkiaku u mor në pyetje si dhe iu rikonfirmua arresti në burg, për t’iu drejtuar Apelit të Posaçëm me një tjetër ankim.

Erion Veliaj mbahet në qeli me kërkesë të SPAK dhe vendim të GJKKO për korrupsion pasiv në të paktën 9 episode dhe për pastrim parash, kryer në bashkëpunim. Në seancën e vlerësimit të masave, GJKKO rikonfirmoi 6 nga 8 masat e sigurisë, përkatësisht “arrestin në burg” për Erion Veliaj dhe biznesmenin Elman Abule, si dhe 4 masa të tjera detyrim paraqitje për biznesmenët e ndërtimit Shkëlqim Fusha, Gentjan Sula, Fatmir Bektashi e Meriman Palushi.

Për bashkëshorten e kryebashkiakut, gjyqtari Erion Bani zbuti masën nga “arrest shtëpie” në detyrim paraqitje, përkundër qëndrimit të prokurorëve Ols Dado e Altin Dumani, që kërkuan vijimin e masës së arrestit shtëpiak. Ndërkohë deri më tani nuk është konfirmuar ende ekzekutimi i masës detyrim paraqitje për biznesmenin Sokol Kryeziu, i cili rezulton të jetë jashtë vendit.

Veliaj sipas SPAK, dha një mori lejesh ndërtimi biznesmenëve, teksa këta të fundit paguanin fatura të majme kryesisht përmes OJF-ve të Ajola Xoxës, në formë sponsorizimesh të aktiviteteve artistike apo konsulencës ligjore. Veliaj aktualisht ndodhet në paraburgimin e Durrësit ku u dërgua menjëherë pas vendimit të dhënë në 12 shkurt nga gjyqtari Erion Bani, që rikorfimoi masën e mëparshme.