Komisioni i Ligjeve ka zhvilluar një seancë dëgjimore me pushtetin vendor për ligjin e ri për autonominë vendore. I ftuar në këtë seancë, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj shprehu shqetësimin se një kategori militantësh po bllokojnë eficencën e punës së administratës vendore.

“Futja në sistemin e administratës publike të nëpunësve civilë, të bodyguardë të situatave të pakëndshme të historisë së këtij vendi, janë sot inspektorë mishi në bashki. Njerëz jashtëzakonisht të politizuar që nuk kanë asnjë performancë, mbrohen nga një legjislacion që nuk është dizenjuar për ata, ish deputetë dhe ish prefektë. Na bëhet e pamundur puna me administrata të fryra politikisht, që mbrohen në mënyrë të ekzagjeruar nga statusi i nëpunësit civil. Do ta çmonim shumë të na lini dorë të lirë, pasi heqim të zitë e ullirit për të modernizuar administratën”-tha Veliaj.

Gjithashtu ai kërkoi që vendosja e taksave vendore të mos jetë kompetencë e pushtetit qendror. “Është e rëndësishme që bashkia të marrë kompetenca të reja. Kryebashkiakët t’i vendosin vetë tarifat e taksave dhe në këtë kuadër taksat për hapësirat publike duhet të vendosen nga kryebashkiakët”, - tha Veliaj. Deputeti i PS-së, Bashkim Fino, që kryeson nënkomisionin “Për qeverisjen vendore”, vlerësoi ligjin e ri që sipas tij është më i mirë se ai i vitit 2000.

“Pushteti vendor kërkon gjithmonë hapësira” deklaroi mes të tjerash ai. Ligji i ri për qeverisjen vendore përfshin një sërë risish që lidhen kryesisht me rishikimin e kompetencave të njësive vendore pas reformës territoriale, duke shtuar këtu dhe funksionet e reja që ato do të marrin, si bujqësia, funksioni i ujitjes dhe kullimit, shërbimi i zjarrfikësve, shërbimeve sociale lokale, pyjeve dhe kullotave, etj.