Brenda nëntorit qendra e Tiranës do të çlirohet nga trafiku i makinave. Bashkia e Tiranës dhe OSHEE-ja kanë nisur punimet për zhvendosjen e nënstacionit elektrik, i cili i hap përfundimisht rrugën zgjerimit dhe vënies në funksion të plotë të projektit të Unazës së Vogël.

Punimet, të cilat kanë nisur prej disa ditësh, u inspektuan nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili pasi u njoh edhe me detajet e operacionit, u shpreh i kënaqur me mbarëvajtjen e procesit te zhvendosjes së nënstacionit në një sipërfaqe të nëndheshme, e krijuar posaçërisht për të.

“Ka qenë një operacion i vështirë. Ju e dini fare mirë që nënstacioni ka vite që është vendosur këtu dhe sa herë që bëhen zhvendosje të tilla na duhet njohuri shumë e mirë teknike dhe ekspertë të huaj. Por, besoj se disa gjëra i kemi bërë mirë dhe ia kemi dalë me sukses. Kemi bërë një shpronësim në qendër të Tiranës, për t'i hapur rrugë projektit të Unazës Vogël, tani po bëjmë edhe zhvendosjen e nënstacionit”, tha Veliaj. Kryebashkiaku falenderoi edhe përfaqësuesit e OSHEE-së, të cilët kanë marrë të gjitha masat që qendra e Tiranës mos mbetet pa drita.

“Nuk kemi pasur asnjë minutë ndërprerje të energjisë elektrike, është arritur me shumë efikasitet të bëhet furnizimi me energji i qendrës së Tiranës, për të mos u impaktuar asnjë qytetar asnjë orë të ditës nga procesi i lëvizjes së nënstacionit, i cili furnizon një pjesë të mirë, në mos gjysmën e Tiranës, me energji elektrike”, tha ai. Veliaj sqaroi se festat e nëntorit do ta gjejnë Tiranën të çliruar nga trafiku dhe rrëmuja e punimeve, falë lirimit të hapësirës që ishte bërë pengesë prej disa vitesh për të vënë në funksion Unazën e Vogël.

“Me të mbaruar ky proces, që besoj do zgjasë edhe disa ditë, do të vazhdojmë me përfundimin e rrugës për të hapur Unazën e Vogël të Tiranës. Ajo që presim në këtë fazë të fundit është që, kur të vijnë festat e Çlirimit dhe të Pavarësisë, të na gjejë të çliruar nga trafiku dhe të pavarur nga rrëmuja e punimeve në qendër të Tiranës, për të pasur një çlirim dhe pavarësi edhe të Tiranës në fund të nëntorit”, theksoi kreu i bashkisë. Veliaj tha se me ritmet me të cilat ka ecur puna deri tani, edhe sheshi “Skënderbej” pritet të marrë formën e tij të plotë para afateve të përcaktuara në kontratë, duke i dhënë qendrës së Tiranës pamjen e merituar. Kryebashkiaku ka kërkuar sërish mirëkuptimin e qytetarëve për pengesat e krijuara gjatë kësaj kohe.

[gallery]19375[/gallery]

Redaksia Online
XH.K/shqiptarja.com