“Kjo zonë njihet si zona e Ambasadës Amerikane dhe në fakt, nga Amerika na ndan një mur. Në anën tjetër murit ka civilizim, gjelbërim, ndërsa në këtë anë baltovinë, sepse këtu s’kishte vënë dorë njeri prej 35 vitesh edhe pse jetojnë 5 mijë banorë, shumë afër qendrës së Tiranës. Deri më sot këtu kishte kanalizime të hapura dhe rrjete të ujësjellësit plasnin duke mbushur lagjen”, tha Veliaj, duke siguruar qytetarët e zonës se shumë shpejt do të përfundojë rehabilitimi i 24 mijë metrave katrorë.
“Do të kemi edhe 150 vende parkimi, që qytetarët të sistemojnë makinat e tyre, fushën e tyre të futbollit, këndet e lojërave, hapësirat e gjelbra, ku jo vetëm fëmijët, por edhe të moshuarit dhe e gjithë zona, të ketë cilësinë e investimeve me të cilën Bashkia e Tiranës ka punuar edhe në komunitete të tjera”, tha ai.
Kryebashkiaku Veliaj tha se punimet për rehabilitimin e këtij blloku banimi do të përfundojnë brenda një kohe të shkurtër, ndërsa kërkoi mirëkuptimin e banorëve gjatë kësaj periudhe.
[gallery]22013[/gallery]
“Pas ndërhyrjeve të ndërmarrjeve të Bashkisë, do të ndërhyjë Ujësjellësi, për t’u siguruar që kur blloku të jetë kompletuar, të ketë përfunduar gjithçka dhe jo të bëjmë njëherë asfalt e pastaj ta hapim për punimet ujësjellësit. Me pak durim do të bëjmë kanalizimet, ujësjellësin, ndriçimin, këndin e lojërave, parkingjet, trotuaret, që në fund fare, të kemi një cilësi jetese më të mirë për qytetarët”, theksoi ai.
Ndërsa Administratori i Njësisë Nr. 2, Elez Gjoza falënderoi Bashkinë e Tiranës për kujdesin që tregon për jetën e këtij komuniteti.
“Çdo ditë presim të përmirësojmë jetën tonë, jetën e fëmijëve dhe prindërve tanë. Bashkia është përditë në punë, bashkia përditë bën nga një gjë të mirë, kështu që unë e uroj me shpirt kryetarin e Bashkisë, Veliaj. E ka kthyer në prioritet Njësinë Administrative Nr. 2”, tha Gjoza.
Projekti për rehabilitimin e bllokut të banimit që kufizohet nga Rr. “Stavri Vinjau”, Rr. “Budi” dhe Rr. “Qamil Guranjaku”, është i ndarë në katër faza, të cilat parashikojnë rikonstruksionin e të gjitha rrugëve, duke përfshirë përmirësimin e rrjetit të kanalizimeve të ujërave të bardha dhe të zeza, asfaltim, ndriçim dhe vendosja e sinjalistikës së nevojshme. Përmes sistemimit të 150 vendeve të parkimit, pritet që të marrë zgjidhje edhe ky shqetësim i banorëve të kësaj zone tejet të populluar. Një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet edhe krijimit të shesheve të rekreacionit për të gjitha grupmoshat, si dhe ndërtimit të katër këndeve të lojërave për fëmijë.
Redaksia Online
B.B/Shqiptarja.com