Veliaj: “Tarraca të gjelbra në gjithë
qytetin,sot Ora e Tokës,fikim dritat”

Veliaj: “Tarraca të gjelbra në gjithë<br />qytetin,sot Ora e Tokës,fikim dritat”
Nga dita e sotme, tarraca e Bashkisë së Tiranës do t’i ngjajë një kopshti të gjelbëruar me bar e pemë. Në simbolikë të Orës së Tokës, një nismë botërore kundër ndryshimeve klimatike që mbahet çdo 19 mars, Bashkia e Tiranës në bashkëpunim me “Ecovolis”, ka nisur nga godina e saj zbatimin e nismës “Çatitë e gjelbra”, e cila më pas do të shtrihet në gjithë qytetin. Për këtë qëllim, tarraca e Bashkisë së Tiranës ka nisur të shtrohet me një tapet bari dhe pemë dekorative.
 
Punimet janë ndjekur edhe nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili ka deklaruar se ky projekt synon që t’i vijë në ndihmë gjelbërimit të qytetit, uljes së nivelit të ndotjes së ajrit, si dhe kursimit të energjisë që përdoret për ngrohjen dhe ftohjen e godinave. “Jam shumë me fat që unë dhe administrata e bashkisë kemi një lulishte pikërisht mbi zyrat tona. Do të doja që kjo të ishte një hapësirë publike e hapur, ndaj ftoj të gjithë qytetarët e Tiranës që ta vizitojnë dhe shijojnë si një lulishte e shtuar në qytet”, tha Veliaj.
 
Kryebashkiaku theksoi se kjo është një nismë e re e Bashkisë së Tiranës për të shtuar hapësirat e gjelbra në qytet dhe një akt kuptimplotë se ta duash mjedisin vetëm me fjalë, të bërtitura e protesta, nuk mjafton, por duhet punë konkrete. “Këto janë ditë të një debati shumë të madh për betonin, mjedisin, barin. Sqarojmë diçka: Pa beton asnjë prej nesh nuk do të kishte shtëpi. Çështja është nëse mund të ndërthurim atë që na duhet për të jetuar me një mënyrë ekologjike të të jetuarit. Bëhet fjalë për të sjellë në treg ide të reja, ku cilësinë e jetës tonë e pasurojmë duke shtuar gjelbërimin”, u shpreh Veliaj.
 
Më tej, ai bëri të ditur se projekti do të vazhdojë edhe në pjesë të tjera të Tiranës, duke filluar nga zona e rrugës së “Kavajës”. “Bashkia do të mbështesë projektin për të kthyer sa më shumë tarraca ekologjike, në lulishte mbi sipërfaqen e tokës. Është diçka që ndodh në vende të tjera që kanë problematika më të mëdha me ndërtimet. Edhe Nju Jorku, Londra e shumë qytete të zhvilluara, i kanë bërë tarracat e gjelbra për t’i hapur ndaj publikut. Mezi pres që të kemi shumë prej këtyre tarracave të gjelbra në Tiranë”, shtoi kryebashkiaku Veliaj.
 
Ai ka kërkuar ndërgjegjësimin e qytetarëve të Tiranës, që sot në mbrëmje në orën 20:30 t’i bashkohen miliona banorëve të tjerë të botës për të fikur dritat për një orë. “Sot është ‘Ora e Tokës’, është një mënyrë se si qoftë edhe simbolikisht duke fikur dritat në qendër të Tiranës për 60 minuta, tregojmë se kemi nevojë të mendojmë seriozisht për çështjet e ngrohjes klimatike dhe disa problemeve që duken të largëta kur i shohim në televizor, por shumë të afërta kur ndodhin përmbytjet, shemben urat në periferi të Tiranës, kur Bregu i Lumit kthehet në një zonë jashtëzakonisht problematike”, deklaroi Veliaj.
 
Një çati e gjelbër është çatia një ndërtese të mbuluar pjesërisht ose tërësisht me bimësi të mbjellë mbi një sipërfaqe hidroizolimi. Ajo mund të përfshijë edhe shtresa të tjera si një barrierë rrënjësh dhe sisteme të kullimit dhe ujitjes. Çatitë e gjelbra sot njihen edhe si “eko-çati” dhe përveç efekteve në gjelbërimin e qytetit dhe pastërtisë së ajrit, ato zvogëlojnë konsumin e energjisë në dimër dhe në verë ftohin ndërtesën nga pesëdhjetë deri në nëntëdhjetë për qind. Një përqendrim i çative të gjelbra në një zonë urbane mund të zvogëlojë temperaturat mesatare të gjithë qytetit gjatë verës.

Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)
 
 

  • Sondazhi i ditës:

    A mendoni se protestat mund ta forcojnë pozicion politik të PD-së?



×

Lajmi i fundit

Debati në ‘Frontline’/ Baçi: Rama përdor drejtësinë për të goditur PD! I kthehet Lita: Gjyqtarët që dënuan Salianjin iu dhanë vulën

Debati në ‘Frontline’/ Baçi: Rama përdor drejtësinë për të goditur PD! I kthehet Lita: Gjyqtarët që dënuan Salianjin iu dhanë vulën