TIRANË, 18 Maj /ATSH- I. Vata/-Kandidati për kryetar për bashkinë e Tiranës i "Aleancës për shqipërinë Europiane", Erion Veliaj, ka zhvilluar një takim me të rinjtë e kryeqytetit për të finalizuar një kontrate mes kandidatit dhe të rinjve.
Veliaj ka sjellë në bashkëbisedim disa personazhe që ia kanë dalë nëpërmjet punës dhe u ka bërë thirrje të votojnë modelet e punës dhe jo atë modelin që zgjedhen demokratët, atë të kafeve dhe të papunësisë. Unë besoj, tha Veliaj, se "edhe të rinjtë e djathtë e dinë se nuk është modeli i duhur ai që zgjodhën demokratët, por modeli që duhet është ai i punës për të shkuar në drejtimin e duhur. Ne duhet të bashkëpunojmë me rinjtë dhe kryesisht me ata që votojnë për herë të parë, që t'u krijojmë kushte dhe t'i orientojmë drejtë punës. Edhe të rinjtë e djathtë pyesin sot se unë votova Lulzim Bashën para katër vitesh, por kartën e studentit nuk e kam dhe është zhdukur çdo hapsirë të gjelbert në Tiranë".
Kandidati Veliaj u shpreh se u ofron një kontratë të përbashkët që "ne të mos bëjmë takime sa për të kaluar radhën, por të bejmë një kontratë dhe t'i kërkojmë llogari kryetarit të bashkisë dhe këto dhjetë pika". "Do themelojmë këshilin për bashkinë e Tiranës, qe te kemi një buxhet për rinjtë, kartat e të rinjve dhe te studentëve. Ti kthejmë shkollat në qendra komunitare dhe të çlirojmë këndet sportive. Ka disa të rinj që kanë dhunti të vecanta dhe ne do të kemi për herë të parë një grand për të investuar bizneset e reja dhe që vitin e parë do të kemi 100 biznese të reja", theksoi ai.
"Ne do të rikthejmë në Tiranë ekipet sportive ne cdo shkollë dhe do të kthejmë kampionatet sportive të shkollave. Për të vazhduar procesin me qendrat rinore në Tiranë, nga dy që janë tani, do të hapim edhe gjashtë qendra rinore. Dhe pika e fundit, e dhjeta, është për të kthyer "RING FEST", u shpreh Velia. /a.ke/










