Një tjetër bllok banimi në zonën e njohur si ish-NSHRAK-u në Tiranë mori një pamje të re, ku veç rrugëve, trotuareve të reja dhe vendeve të parkimit, i janë shtuar hapësirat e gjelbra, këndet çlodhëse dhe argëtuese për fëmijët dhe të rriturit. Në mbyllje të punimeve në bllokun e Rr. “Sali Butka”, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i shoqëruar edhe nga Zv/ministrja e Mjedisit, Ornela Çuçi dhe deputeti i PS, Besnik Baraj, theksoi se ajo që e çon përpara qytetin është ndryshimi dhe modernizimi.
“Gjërat ndryshojnë se preken. Në një qytet filozofia nuk mund të jetë mos ma prek atë, mos ma prek këtë, por vër dorë, ndryshoje, rregulloje, modernizoje; kjo e çon para qytetin. E njëjta gjë edhe me historinë e teatrit. E dini pse thonë: mos ma prek? Sepse e dinë që po e prekëm ajo do dalë një vepër e mrekullueshme. E dinë se po vumë dorë, ajo do dalë një xhevahir. E dinë se po filluam ndërtimin e teatrit të ri, do të jemi të pandalshëm në modernizimin e Tiranës. Kjo është arsyeja e vërtetë. I tremben sepse çdo gjë që prekim me dorë, del më mirë.
Mbaj mend kur filluam projektin te Liqeni, atëherë thoshin mos i prek romët se janë nga një komunitet i vyer. Unë nuk besoj se ka bashki që ka bërë më shumë për strehimin e romëve. I keni parë shtëpitë e reja nga Bregu i Lumit në Lanabregas, nga Lana në Shkozë, si çdo njeri normal? Këta që thoshin mos ma prek komunitetin, sot komuniteti rom është më mirë, pikërisht pse prekëm atë pjesë të djegur të parkut, që sot është kthyer në një pyll të jashtëzakonshëm te liqeni”, tha ai.
Krahas ndërtimit të 31 këndeve në kryeqytet, puna do të vijojë pa humbur kohë në çdo lagje të kryeqytetit. Teksa falenderoi qytetarët për bashkëpunimin, Veliaj tha se nga ndërhyrjet e Bashkisë së Tiranës për përmirësimin e infrastrukturës do të përfitojnë si zonat urbane, ashtu edhe ato në periferi. “Ky ka qenë një nga ato komunitetet e rralla ku secili meriton respekt maksimal, falenderim, mirënjohje për mënyrën se si keni bashkëpunuar. Ka ardhur koha që bashkia të merret me çdo qoshe. Ashtu siç kemi nisur me këto 31 kënde, ashtu të shkojmë deri në cepin më të humbur të Tiranës, nga Shëngjergji në Ndroq, nga Krraba në Kashar”, tha ai dhe siguroi se periudha e thatë e verës do të shfrytëzohet maksimalisht për të përmirësuar infrastrukturën.
“Duke qenë se patëm një stinë shumë të gjatë me shira, do të sigurohemi që të shfrytëzojmë hapësirën e verës. Kjo është arsyeja pse një pjesë e madhe e unazës është shqepur për të bërë korsitë e reja të biçikletave buzë Lanës. Kjo është arsyeja pse shumë ndërhyrje nëpër lagje do t’i kryejmë gjatë verës”, nënvizoi Veliaj. Deputeti i PS, Besnik Baraj, përgëzoi kryebashkiakun Veliaj për punën në këto tre vite në shërbim të qytetarëve. Ai tha se falë punës së kryebashkiakut, kjo që është bërë në Tiranë këto vite nuk është bërë për dekada të tëra në Shqipëri. “Të vish tre herë brenda një kohe të shkurtër në një bllok të tillë në një qytet me 1 milion banorë, do të thotë se bashkia punon, se është ditë e natë në punë. Një ekip nuk ecën përpara po nuk pati edhe një lider të shkëlqyer, i tillë është edhe Erion Veliaj. Unë e quaj fat për Tiranën që kemi një kryetar bashkie plot energji, fantazi dhe i dedikuar, që u shërben të gjithëve”, u shpreh ai.
Zv/ministrja e Mjedisit, Ornela Çuçi, edhe si banore e kësaj lagjeje të kryeqytetit, vlerësoi ndërhyrjen e bërë nga Bashkia e Tiranës. “Si banore e lagjes them i pafshim hajrin këtij kryetari dhe të gjitha punëve sepse realisht na i ka ndryshuar jetën. Dalim çdo pasdite këtu me fëmijët dhe nuk shikojmë klubin më të afërt, por shikojmë parkun më të afërt ku të futemi. E falenderoj shumë kryetarin, por mbi të gjitha falenderoj çdo punonjës të bashkisë”, deklaroi zv/ministrja Çuçi.
Sipas bashkisë së Tiranës, në një kohë relativisht të shkurtër është bërë i mundur krijimi i tre shesheve në këtë zonë të Njësisë 7, duke mundësuar rikualifikim të plotë të bllokut urban. Sheshi i sotëm (Nr. 31) është një tjetër hapësirë rekreative që i shtohet Tiranës, duke ruajtur të njëjtën cilësi edhe në ndërhyrjet e tjera në lagje të ndryshme të kryeqytetit.