TIRANË - Edhe Tirana është "veshur" kuq e zi për të kremtuar 103-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë. Aktivitetet festive u çelën menjëherë pas ngritjes në mënyrë simbolike të flamurit kombëtar në qendër të kryeqytetit, nga kryebashkiaku Erion Veliaj dhe dy fëmijë të vegjël që kishte zgjedhur t'i kishte pranë.

Më pas tullumbacet kuq e zi të vendosura në sheshin "Skënderbej" mbuluan qiellin gri të Tiranës, ndërsa qytetarët të shumtë ishin për të ndjekur këtë moment në zemër të kryeqytetit shqiptar.

veliaj

sheshi skenderbej pavarsia

sheshi skenderbej 103 vjetori pavarsis
FOTO

Kryebashkiaku Erion Veliaj dha mesazhin e tij në këtë ditë të shënuar të historisë së Shqipërisë. Bashkimi bën fuqinë - tha ai - duke theksuar rëndësinë e kësaj shprehje për Shqipërinë e nesërme.

“Shumë faleminderit të gjithëve që keni ardhur sot. Është një ditë me shi, ju uroj të gjithëve gëzuar 28 nëntorin! Të rrojë Shqipëria! Ne në Tiranë jemi shumë krenarë që jemi bashkë, sepse 28 nëntori është mesazhi i bashkimit. Kur ne shqiptarët bëhemi bashkë, bëjmë gjëra të mrekullueshme, gjëra që veç e veç janë absolutisht të pamundura. Ndaj sot le t’i harrojmë ndasitë, të harrojmë mllefet, kundërshtitë dhe debatet me njëri-tjetrin. Është koha për të qenë bashkë e për të kujtuar që 103 vite më parë, kur ishim bashkë, bënim gjëra të mrekullueshme. Kur jemi bashkë në Tiranë, me të gjithë administratorët, me të gjithë qytetarët e Tiranës, do të bëjmë gjëra të mrekullueshme edhe për qytetin tonë.  Dua të falenderoj shumë të gjithë ata që kanë ardhur nga diaspora, nga Kosova, Mali i Zi, Maqedonia, ata që kanë ardhur nga Miçigani për ceremoninë e shtatores së Dedë Gjo Lulit, të gjithë qytetarët që na janë bashkuar dhe nxënësit e shkëlqyer me dhjeta. Këta janë krenaria e Tiranës! Më vjen mirë që shoh këtu komunitetet e besimit, tregon që bashkimi bën fuqinë. Shqipëria sot bën 103 vjeç, por është më e re se kurrë dhe me energji shumë të bukura për të ardhmen", - tha Veliaj.

Në ceremoninë e organizuar në sheshin “Skënderbej” morën pjesë përfaqësues të komuniteteve fetare, administratorët e 24 njësive vendore, këshilltarë dhe drejtues të tjerë të pushtetit vendor. Aktivitetit i’u bashkuan edhe fëmijët e shkëlqyer të shkollave të Tiranës, por edhe nga Diaspora.

sheshi skenderbej 103 vjetori pavarsis
 
Në kuadër të festimeve për 103-vjetorin e Shqipërisë fëmijë të fshatit SOS mbollën te varrezat e dëshmorëve 103 pemë, ndërsa bashkia e Tiranës organizon aktivitet në lindje të Tiranës, në Dajt.

"Duke qenë se Tirana sot është më e madhe se ç’ishte përpara zgjedhjeve, ne kemi zgjedhur Dajtin ku do të zhvillohet shumica e aktiviteteve. Kemi rreth 50 aktivitete sot në Dajt, fillojnë nga mesdita deri vonë në darkë. Nesër do të kemi ditën pa makina dhe Natën e Bardhë, ndaj do të ketë diçka për të gjithë. Është momenti për të festuar dhe për të kujtuar që Shqipëria ka kaluar ditë të vështira, sot është ndër ditët më të mira të Shqipërisë, por kemi ende shumë punë të mira për të bërë dhe mund t’ i realizojmë vetëm duke qenë bashkë!", - tha Veliaj.

veliaj 103 vjetori pavarsis
veliaj
sheshi skenderbej 103 vjetori pavarsis

Aktivitet për festat e nëntorit do të vijojnë gjatë dy ditëve. Për këtë qëllim, krahas aktiviteteve të programuara, Bashkia e Tiranës ka njoftuar Policinë e Shtetit që të marrë masat dhe të lejojë të gjitha baret e lokalet për ushtrimin e aktivitetit përgjatë 24 orëve për datat 28 dhe 29 nëntor.

*Fotot nga Antonio Çakshiri/Shqiptarja.com Foto te tjera

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)