Veliaj takim me socialistët e Rrogozhinës: Do të fitojmë sërish, opozita pa ide! Vazhdon si talebanët me djegie gomash dhe molotov

Drejtuesi Politik i PS për Qarkun e Tiranës, Erion Veliaj u ndal sot në Rrogozhinë, nga ku komentoi protestën e dhunshme të opozitës para Bashkisë së Tiranës. 

Në takimin mirënjohës me strukturat socialiste të zonës, Veliaj tha se PD-në e pret humbja sa herë që përballet me socialistët.

“Po shikoja dje këta që vazhdojnë të djegin goma. E dini pse e bëjnë? Sepse janë të dështuar sa herë përballen me ne, me vulgaritetin e tyre, me djegien e gomave, me agresivitetin, me gjuhën e dhunës. Nuk arrijnë të kuptojnë dot se në 2024-ën Tirana është tjetër gjë, Rrogozhina është tjetër gjë. Sot gara duhet të jetë mes ideve. Kush ka ide për ta bërë shkollën më të bukur, të japë një kontribut më të madh për turizmin, se si mund të kemi një bum edhe më të madh. Por, ata nuk kanë asnjë ide. Për sa kohë vazhdojnë si talebanët, djegin gomat dhe me zjarr e molotov mundohen të artikulojnë, të thonë ato që ndoshta nuk dinë t’i thonë me gjuhë, ne do të vazhdojmë të qeverisim, do të vazhdojmë të fitojmë, do vazhdojmë të kontribuojmë dhe të punojmë sepse nuk ka asnjë alternativë tjetër”, tha Veliaj.

Ai deklaroi se PS-ja ka treguar se socialistët e kanë mbështetur reformën në drejtësi që në fillim.

“Kur shikon që edhe kryetari i Bashkisë bashkëpunon me drejtësinë, është gati që të japë të gjitha shpjegimet, tregon se kur qeverisin socialistët vendosin një raport normal me të gjitha institucionet. Iku koha kur garda vriste protestuesit, iku koha kur presidenti shkonte dhe rrihej me policët bashkiakë. Sot jemi në një dimension krejt tjetër. Sigurisht, ai që punon do duhet të japë edhe llogari për punët që ka bërë, dhe do duhet të japë sqarime. Por, ne nuk jemi me dy fytyra, që në një rrugë të thuash: ‘Bravo drejtësia dhe vazhdo merru me bashkinë’, ndërsa në rrugën tjetër të thuash: ‘Poshtë drejtësia, se me ke futur babin në arrest shtëpie’. Kjo loja me dy fytyra nuk është një lojë që e bëjnë socialistët. Socialistët e kanë mbështetur këtë reformë, e kanë votuar, bashkëpunojnë për këtë reformë”, tha Veliaj.

Në takimin me socialistët e Rrogozhinës, ku u shprehu atyre mirënjohjen për kontributin në parti, Drejtuesi politik i PS për Qarkun e Tiranës, Erion Veliaj, tha se të ishe socialist në vitet ’90 ishte e vështirë. Ai komentoi edhe sjelljet e Presidentit të PL-së, Ilir Meta, për të cilin tha se ka humbur lidhjen realitetin.

“Ne kemi pasur President Republike dikë që futej në zyra bashkie dhe zihej e therej me policët bashkiakë. Një karikaturë totale e mënyrës si degradon njeriu kur nuk e kupton se ka humbur lidhjen me njerëzit dhe realitetin”, tha ai.

Veliaj vlerësoi socialistët për kontributin e dhënë ndër vite dhe përkushtimin e tyre për të sjellë një transformim total të Shqipërisë.

“Shumë prej jush e mbani mend sa e vështirë ishte të ishe socialist në 21 janar, kur vriteshin me plumba në mish socialistët. Kush është i brezit të 94-ës, të referendumit të 96-ës, të 97-98-ës, e mbajnë mend se sa gjak socialistësh është derdhur në të gjitha sheshet e Shqipërisë. Sot është pak më kollaj. Por, meqë sot është më kollaj, na takon ta dimë historinë, të përkulemi me respekt dhe falënderim për ata që, për 33 vite të vështira, mbajtën forcën, familjen tonë të bashkuar, idealiste dhe të përkushtuar me misionin për të sjellë një transformim total të Shqipërisë”, u shpreh ai.

S.B/I.M/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Censi 2023, popullsia u tkurr me 419 mijë në 12 vite, cili është shkaku?



×

Lajmi i fundit

Rama: Brenda vitit përfundon rruga e Dukagjinit! Gati ‘paketa e maleve’, do iu jepet leja për ndërtim ndërsa prisni marrjen e tapisë

Rama: Brenda vitit përfundon rruga e Dukagjinit! Gati ‘paketa e maleve’, do iu jepet leja për ndërtim ndërsa prisni marrjen e tapisë