Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i shoqëruar nga drejtoresha e konvikteve, Valbona Ibrahimi, dhe administratori i Njësisë Administrative Nr. 2, Elez Gjoza, inspektoi ambientet e reja të kësaj godine dhe u shpreh se është bërë gjithçka që konviktet e zaptuara të lirohen për nxënësit që vijnë nga rrethe të ndryshme të vendit për të studiuar në kryeqytet.
“Kjo është një përpjekje komunitare. Kur dikush vjen për të studiuar në Tiranë, lë qytetin e tij për të jetuar në një qytet tjetër, bëhet banor i Njësisë nr. 2 për aq kohë sa jeton në konvikt. Për sa kohë që është qytetar i Tiranës dhe rezident në këtë qytet, duhet të trajtohet si banor i denjë i kryeqytetit. Kjo do të thotë se nuk mund të kemi më konvikte të zaptuara dhe nuk mund të bëjmë ndërhyrje apo zaptime të terreneve publike, dhe çdokush duhet të ketë shansin që të shkëlqejë në jetë”, tha Veliaj.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës sqaroi se është bërë një pastrim i të gjitha konvikteve, rikonstruksioni i tyre dhe lirimi i të gjitha territoreve.
“Në qoftë se dikush që vjen nga fshatrat e thella të Tiranës apo nga një qytet tjetër, dhe i themi se ty të mohohet të kesh një garë të suksesshme në jetë sepse nuk të akomodojmë dot në konvikt pasi na i kanë zaptuar, besoj se është fyese për të ardhmen që duam të ndërtojmë; është fyese sidomos për ata nxënës dhe studentë që kanë shumë pritshmëri nga ardhja në Tiranë dhe nga aspirata e tyre për t’ia dalë mbanë këtu”, u shpreh Veliaj.
Kryebashkiaku sqaroi se Bashkia e Tiranës do të vazhdojë ndihmën edhe për njerëzit e pastrehë që ishin strehuar në këto konvikte.
“Bashkia e Tiranës do të vazhdojë me skemat e veta të banesave sociale, të bonusit të qirasë, të qendrës së emergjencave për strehim dhe duke filluar nga viti tjetër, edhe të kredive të buta, të cilat pavarësisht se mund të jenë bllokuar në nivel qendror, Bashkia e Tiranës me financat e veta do të çlirojë kredi të buta, që kushdo që ka realisht nevojë për strehim, ta ketë këtë mundësi, por jo në kurrizin e të lënit pa strehë një nxënës të konvikteve”, tha ai.
Drejtoresha e konvikteve, Valbona Ibrahimi, nënvizoi se punimet e kryera në konvikt plotësojnë të gjitha standardet e jetesës.
Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com