Kandidati i majtë për kreun e Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj gjatë një takimi me banorët e njësisë 8 në Tiranë, tha se kryeqyteti nuk ka nevojë për t'u mashtruar, por për zhvillim.
Duke iu referuar kryetarit aktual të Bashkisë, Lulzim Basha, ish-Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë theksoi se kemi ardhur tek lagjja e "djalit të bashkisë", ku ai nuk ka lëvizur një gisht për ta përmirësuar. "Ju nuk keni nevojë për një çun lagje që nuk punon, por për një kryetar bashkie që jep drejtimin e duhur kryeqytetit. Për çfarë ju duhet një çun lagjeje, kur puseta që është tek shtëpia e tij, lihet e hapur. Përse ndodh kjo? Apo pasi çuni i lagjes rri në Hollandë dhe nuk e di se çfarë bëhet tek lagjja. Prandaj po ju them që së bashku të mblidhemi dhe më 21 Qershor t'i themi djalit të lagjes boll mashtrove, tani Tirana do të iki në drejtimin e duhur", bëri thirrje Veliaj.
Ai gjithashtu ironizoi edhe me premtimet e bëra nga kryebashkiaku Basha gjatë fushatës së tij elektorale, duke përmendur edhe tramvajin. "E keni parë gjë tramvajin të kaloj këtej? Keni parë gjë qendrën rinore, qendrën multifunksionale të sporteve? Jo, u përgjigj Veliaj, pasi ai nuk i mbajti premtimet, por mashtroi", shto ai.
"Ne, shtoi Veliaj, duhet të punojmë bashkarisht për të gjetur të gjitha hapësirat e nevojshme për të krijuar qendra rinore. Për të krijuar fusha dhe hapësira të reja të gjelbëra për qytetin, që këta i premtuan, por që në fund i betonizuan", tha Veliaj.
Duke folur për turizmin, Veliaj u shpreh se sot më shumë turistë ikin në Korçë sesa vijnë në Tiranë. "Çuni i lagjes premtoi shumë për turizmin, por bëri shumë pak. Premtoi linja direkte, pika informacioni, por nuk bëri gjë. Por sipas çunit të lagjes ishte faji Ramës. Ndërkohë që në 2013-ën, fondi për turizmin ishte 450 milion lekë, ndërsa këta investuan 4,5%  të shumës, sepse nuk diti të investojë dhe më tej kërkon para të tjera", tha Veliaj.
"Basha nuk promovon faktin që Tirana ka 13 kala. Tirana ka një shans fantastik. Dajti është i gjithë i Bashkisë Tiranë, Shën Gjergji është i Bashkisë së Tiranës, parqet përreth janë të bashkisë së Tiranës dhe tashmë kjo ndarje i jep mundësi edhe më shumë kryeqytetit për të gjendur edhe më shumë burime tërheqëse turistike", shtoi Veliaj.
Gjatë bashkëbisedimit, Veliaj foli edhe për sigurinë rrugore, pastrimin e rrugës dhe shumë nga problematikat që kanë prekur Tiranën./atsh/