Veliaj zbardh takimin me Blinken: Folëm për projektet strategjike të kryeqytetit

Investimet kanë qenë kryefjalë e takimit mes kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj me Sekretarin Amerikan të Shtetit, Antony Blinken gjatë vizitës së tij në Tiranë. Në intervistën për “Studio Live” në Report Tv Kryebashkiaku i Tiranës dha detaje nga ky takim dhe projektet për të cilat kanë folur.

Arbër Hitaj: Ndalemi menjëherë në temë. Një vizitë shumë e rëndësishme ajo e Sekretarit Amerikan të Shtetit, Antony Blinken në Tiranë. Cilat ishin disa nga mesazhet që nuk u panë nga publiku? Ju patët edhe një takim…Çfarë u tha?

Erion Veliaj: Sa herë që Shqipëria futet në hartën e vizitave të rëndësishme të atyre që sot drejtojnë me një autoritet moral, por edhe autoritet ekonomik e ushtarak botën, unë besoj se është një superlajm për Shqipërinë. Dhe fakti që sot Tirana është kthyer në një stacion falë edhe lobimit që kryeministri bën non stop në vendet e mëdhaja që kanë lidhje me Ballkanin të kenë si stacion kryesor Tiranën, sigurisht që kryeqytetin e ngre në një prestigj të jashtëzakonshëm. Siç ishte edhe Samiti i BE me vendet e Ballkanit Perëndimor, siç ishte statusi i ri i Kolegjit të Europës me një Kampus të Ballkanit në Shqipëri, por edhe siç ishte vizita e Sekretarit të Shtetit. Sigurisht kemi disa investime amerikane në Tiranë. Më i rëndësishmi në termat e financave që kemi investuar së bashku është ai i Piramidës ku qeveria, bashkia dhe qeveria amerikane nëpërmjet Fondit Shqiptaro-Amerikan që ka qenë një grant që në kohën e Clinton dhe pastaj u përkthye në investime të kompanive të huaja kryesisht ato amerikane siç ishin banka, kompani sigurimesh e kështu me radhë, tani janë kthyer në një Fondacion që investon për ato tema që ne i kemi më afër zemrës, siç janë çështjet e fëmijëve, çështjet e rinisë dhe të zonave turistike.

Kjo është arsyeja pse e filluam me Pazarin e Ri dhe u fokusuam te Piramida. Kjo ishte një mënyrë për t’i bërë Sekretarit një tablo të këtyre investimeve. Sigurisht kemi një listë tjetër investimesh. Ne po planifikojmë që, në zonën e Bulevardit të Ri, kemi disa aktorë shumë të rëndësishëm amerikanë, investitorë dhe besoj se në finale mund të themi se më në fund përtej retorikës dhe një miqësie të pathyeshme dhe të jashtëzakonshme, tani kemi edhe raportin ekonomik që unë besoj se është një plus mbi marrëdhëniet e rëndësishme pollitike e historike që kemi patur.

Prandaj SHBA ka një rol të pazëvendësueshëm dhe këtë nuk e them si dikush që ka studiuar në Amerikë dhe ndjehet shumë afër edhe si pjesë e rritjes e maturimit tim në atë vend, por edhe për faktin që me SHBA nuk jemi lidhur vetëm në ditët kur punët shkojnë mirë siç janë ditët e sotme. Jemi lidhur sidomos kur i kemi patur punët e vështira, siç ishte rasti kur Presidenti Ëilson insistoi që Shqipëria të mos copëtohej dhe të njihej, siç ka qenë rasti ku prap qeveria Amerikane insistoi në kohën e Clinton për të çliruar Kosovën dhe në kohën e Bushit për t’u shpallur e Pavarur. Ndaj dhe besoj se ndoshta vendi më popullor për një zyrtar amerikan, pavarësisht demokrat apo republikan është Shqipëria dhe qyteti ku ka më shumë simpati e më shumë ngrohtësi është Tirana.

Arbër Hitaj: Çfarë i thatë, ndonjë detaj, kuptohet nga ato që mund të thuhen?  

Erion Veliaj: Ishte e gjitha e fokusuar tek investimet, te Piramida dhe disa plane që kemi për të ardhmen. Ne duam që këto investime të vazhdojnë dhe besoj fort se me Fondin Shqiptaro-Amerikan do të kemi një paketë tjetër investimesh. Projekti tjetër i radhës që ka të bëjë me parqet e Tiranës, pra kemi bërë një zonë turistike siç është Pazari, kemi një zonë tjetër siç është Piramida për ekonomitë e reja. Dhe projekti i radhës do të jetë një projekt disa milionë dollarë në bashkëpunim me ata dhe do të investojmë për lidhjen e Liqenit të Tiranës me Liqenin e Farkës.

Kjo është pjesa e gjërave publike. Për këtë investim do mobilizohemi me disa arkitektë shumë të njohur kryesisht në arkitekturën e peisazhit. Parku i Liqenit të Tiranës dhe ai i Farkës janë si dy pulmone të një mushkërie që kanë nevojë të lidhen. Dhe do të jetë një lloj “bronku”, një park linear që i lidh këto të dyja. Do të ketë disa stacione, do të jetë i adoptuar për biçikleta, për karrocat e fëmijëve, për personat me aftësi ndryshe. Pra, do të jetë i aksesueshëm për çdo moshë dhe në çdo kohë. Kështu që, ky është investimi i madh i radhës.


Lajmi kryesor:

Erion Veliaj për Report Tv: Nga projektet strategjike për Tiranën te zgjedhjet! Në 2025 PS rikonfirmohet në pushtet, marrim mbi 74 mandate


B.K//Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi/ Mbyllja e TikTok, 81% e shqiptarëve pro vendimit të qeverisë

Sondazhi/ Mbyllja e TikTok, 81% e shqiptarëve pro vendimit të qeverisë