Bashkia Shkodër ka reaguar ndaj pretendimeve të deputetit demokrat Kliti Hoti për indiferencën e pushtetit vendor ndaj ndotjes së bregdetit të Velipojës, destinacion që sipas deputetit demokrat, nuk është ende në kushtet e duhura për të pritur vizitorë gjatë verës.
Nënkryetari Alban Preka shprehet se ky sezon turistik pritet të jetë më i suksesshëm se ai i një viti më parë. Ai u bëri thirrje figurave publike që të shmangin dezinformimet politike dashakeqëse dhe të mos përdorin Velipojën për qëllime politike.
"Pritshëmritë për sezonin e ri veror janë shumë të mëdha faktikisht. Ka një kërkesë të shtuar për akomodim në plazhin e Velipojës, kjo nisur edhe nga puna e mirë që është bërë sezonin e kaluar. Faktikisht edhe për këtë sezon bashkia ka 2 javë që ka ndërmarrë një aksion për pastrimin dhe mirëmbajtjen e infrastrukturës që shërben për turizmin. Kjo në vijim të aksioneve të mëdha që janë bërë për pastrimin e sipërfaqes ranore, në bashkëpunim edhe me bizneset. Kemi verifikuar dhe gjithë infrastruktura e domosdoshme për fillimin e sezonit është funksionale. I bëj thirrje bizneseve, por edhe atyre njerëzve që duan të hedhin baltë mbi plazhin e Velipojës, që të jenë të fokuar në promovimin e Velipojës, se kjo i bën mirë qytetit, dhe jo të merren me pika, hotspote që krijohen çdo ditë, dhe pastrohen çdo ditë, si e si të fitojnë kredo politike, dhe i bëjnë dëm turizmit",- thotë Preka.
Drejtori i Përgjithshëm i Ndërmarrjes së Menaxhimit të Objekteve Shtetërore, Gjozef Kulla, deklaroi se të gjitha tualetet publike janë funksionale dhe se puna për përgatitjen e zonës ka nisur prej kohësh.
Që në fillim të muajit prill, Bashkia Shkodër ka nisur përgatitjet për sezonin turistik, duke ndërmarrë pastrimin e mbetjeve në zonën ranore dhe në të gjitha rrugët e plazhit. Paralelisht, është hartuar një plan i detajuar ndërhyrjesh, me fokus të veçantë te mbetjet inerte, të cilat sipas bashkisë janë hedhur pa kriter nga disa biznese, ndaj të cilëve pritet të aplikohen penalitete.
Komente











