Vendimi i Kolegjit/ 5 ‘njollat’ në pasuri që ‘dogjën’ Xhezair Zaganjorin

TIRANE- Përmes një vendimi prej 59 faqesh, Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka arsyetuar shkarkimin përfundimtar nga detyra të kryetarit të Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori. Ndryshe nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, organi bazë i Vetingut, që konfirmoi në detyrë ish-kryegjyqtarin, Kolegji i Apelimit (shkalla e dytë e Vetingut) ka konstatuar pesë probleme në pasurinë e Xhezair Zaganjorit, të mjaftueshme për ta shkarkuar nga detyra. Sipas shumicës së trupit gjykues, Zaganjori nuk ka arritur të provojë me të ardhura të ligjshme krijimin e katër pasurive të paluajtshme të ndodhura në Tiranë. Bëhet fjalë për një apartament banimi me sipërfaqe 200 m2 + 87 m2 ballkon, me vlerë 7.400.000 lekë, ku ka 50 % të pjesës, njësi shërbimi/bibliotekë, në të njëjtin pallat banimi, me sipërfaqe të përgjithshme 281 m2, në bashkëpronësi me bashkëshorten dhe 6 persona të tjerë, bodrum në të njëjtin pallat banimi, me sipërfaqe të përgjithshme 281 m2, në bashkëpronësi me bashkëshorten dhe 6 persona të tjerë si dhe zyrë në të njëjtin pallat banimi, me sipërfaqe të përgjithshme 57 m2, në bashkëpronësi me bashkëshorten dhe 6 persona të tjerë.

Gjithashtu, sipas Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, Zaganjori nuk provoi dot 16.000 USD për krijimin e një apartamenti në Durrës, nuk ka arritur të provojë me dokumentacion ligjor shlyerjen e detyrimeve tatimore për të ardhurat e deklaruara nga qiratë për periudhën 1999-2007, nuk ka deklaruar saktë shkollimin dhe jetesën e fëmijëve R. Z. dhe M. Z. Trupi gjykues ka konstatuar se Xhezair Zaganjori rezultoi me pamundësi financiare për të mbuluar me të ardhura të ligjshme shpenzimet dhe kursimet e deklaruara për vitin 2012 dhe 2014 në masën gjithsej për të dyja vitet në vlerën 2.932.554,52 lekë. Ndërkaq, trupa gjykuese e përbërë nga Albana Shtylla, Rezarta Schuetz, Luan Daci, Sokol Çomo dhe Natasha Mulaj, nuk ka qenë plotësisht e unifikuar sa i takon verifikimit dhe konkluzioneve për ligjshmërinë e pasurisë së Zaganjorit. Kryesuesja e turpit gjykues Albana Shtylla kishte një arsyetim të ndryshëm sa i takon argumenteve të trupit gjykues për mënyrën dhe momentin e fitimit të 4 pasurive të paluajtshme, të ndodhura në të njëjtin pallat në Tiranë. Megjithatë, zonja Shtylla thotë se është dakord me vendimin për shkarkimin e Zaganjorit.

Si u shkarkua Zaganjori

Në 24 korrik të 2018, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konfirmoi në detyrë kryetarin e Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjorin. Në 6 gusht të 2018, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit i kërkoi Komisionerit Publik të ankimonte vendimin e KPK, duke kërkuar shkarkimin e Zaganjorit. Sipas ONM Zaganjori nuk ka zbatuar detyrimet ligjore që kërkohen nga neni D i Kushtetutës, i cili ndër të tjera parashikon që subjekti i rivlerësimit duhet të shpjegojë bindshëm burimin e ligjshëm të pasurive dhe të të ardhurave. Nga ana tjetër, Komisioneri Publik, në 12 tetor 2018, vendosi të apelonte vendimin e KPK, duke i kërkuar Kolegjit të Posaçëm të Apelimit shkarkimin e Zaganjorit. Kolegji i Apelimit shkarkoi përfundimisht nga detyra Zaganjorin në 26 korrik 2019, ndërsa ditët e fundit ka zbardhur vendimin e arsyetuar.

Kolegji  

Ndryshe nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, organi bazë i Vetingut, që konfirmoi në detyrë ish-kryegjyqtarin, Kolegji i Apelimit (shkalla e dytë e Vetingut) ka konstatuar pesë probleme në pasurinë e Xhezair Zaganjorit, të mjaftueshme për ta shkarkuar nga detyra.

Albana Shtylla

Kryesuesja e turpit gjykues Albana Shtylla kishte një arsyetim të ndryshëm sa i takon argumenteve të trupit gjykues për mënyrën dhe momentin e fitimit të 4 pasurive të paluajtshme, të ndodhura në të njëjtin pallat në Tiranë.

5 konkluzionet e Kolegjit të Posaçëm për Zaganjorin

1. Subjekti i rivlerësimit nuk arriti të provojë mbulimin me të ardhura të ligjshme të krijimit të 4 (katër) pasurive të paluajtshme të ndodhura në Tiranë dhe shpenzimet e kryera deri në vitin 1999, vit në të cilin pretendon se ka shlyer tërësisht ndaj bashkëpronarëve diferencën e mbetur për vlerën e investimit të ndërtimit të godinës, si dhe është i pasaktë në deklarimet e tij, në deklaratën fillestare të pasurisë të vitit 2003 dhe në deklaratën Veting, lidhur me sipërfaqet, vlerën dhe burimet e krijimit të 4 (katër) pasurive të paluajtshme të ndodhura në Tiranë. Në këto kushte, subjekti gjendet në situatën e parashikuar nga neni 33 pika 5, germat “a” dhe “b” të ligjit nr. 84/2016.

2. Subjekti i rivlerësimit është i pasaktë në deklarimin e burimit të krijimit të pasurisë së paluajtshme “apartament”, të ndodhur në Durrës, pasi nuk arriti të provojë tërheqjen e shumës prej 16.000 USD nga llogaria bankare në vitin 2006, periudhë në të cilën deklaron përdorimin e kësaj shume për blerjen e apartamentit, si dhe ka mungesë të burimeve financiare të ligjshme për krijimin e kësaj pasurie në vlerën negative prej 458.761 lekësh. Në këto kushte, subjekti gjendet në situatën e parashikuar nga neni 33, pika 5, germat “a” dhe “b” të ligjit nr. 84/2016.

3. Subjekti i rivlerësimit nuk ka qenë i saktë dhe nuk arriti të provojë me dokumentacion ligjor shlyerjen e detyrimeve tatimore për të ardhurat e deklaruara nga qiratë për periudhën 1999-2007, duke u gjendur në mungesë të burimeve financiare të ligjshme, për krijimin e pasurisë apartament, me sipërfaqe 81 m2, me vendndodhje në Durrës, shtimit të gjendjeve të llogarive bankare dhe mbulimit të shpenzimeve ndër vite. Në këto kushte, subjekti gjendet në situatën e parashikuar nga neni 33, pika 5, germat “a” dhe “b” të ligjit nr. 84/2016.

4. Subjekti i rivlerësimit nuk ka qenë i saktë në deklarimin e shpenzimeve të kryera për shkollimin dhe jetesën e personave të lidhur, fëmijëve R. Z. dhe M. Z. dhe ka mungesë të burimeve të ligjshme për të justifikuar likuiditetet e përdorura për shpenzimet e kryera. Në këto kushte, subjekti gjendet në situatën e parashikuar nga neni 33, pika 5, germa “b” e ligjit nr. 84/2016.

5. Subjekti i rivlerësimit rezultoi me pamundësi financiare për të mbuluar me të ardhura të ligjshme shpenzimet dhe kursimet e deklaruara për vitin 2012 në masën 1.402.445,49 lekë dhe për vitin 2014 në masën 1.530.109 lekë (gjithsej për të dyja vitet në vlerën 2.932.554,52 lekë). Në këto kushte, subjekti gjendet në situatën e parashikuar nga neni 33, pika 5, germa “b” e ligjit nr. 84/2016.

//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Populli: 02/11/2019 15:58

    I dime pasurite e ketij mamuthi.por kerkojme qe te arrestohet ti konfiskohet pasuria dhe te gjithe vendimet gjyqesore te tij te shpallen NUL

    Përgjigju
  • Populli: 02/11/2019 15:09

    Nuk e kuptoj si kaloi edhe fazen e pare kjo fytyre e keqe. Nuk ka kuptim po nuk u konfiskua leku e prona e paligjshme se i bie qe nuk ka qene veting por farse.Keta duhet te ngelen pa asnje kacidhe ne xhep se po hane gjakun e shqiptareve. Keta ua kane kaluar edhe krimineleve edhe vrasesve me pagese, keto shushunja me kostum e kollare.

    Përgjigju
  • Saliu: 02/11/2019 12:59

    Perderisa qeveria nuk nxjerr nje ligj qe ketyre individve ti konfiskohet pasuria dhe te shkojne ne burg....nuk eshte bere asgje

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë