Deputetja demokrate Jorida Tabaku ka reaguar pas vendimit të Kushtetueses për rastin e Belinda Ballukut. Tabaku shkruan se mazhoranca u kthye në mburojë politike për Ballukun, ndërsa thekson se sot nuk ka më asnjë justifikim për t’i hequr imunitetin siç kërkon SPAK.  

“Prej 8 javësh, me kërkesë të SPAK, GJKKO vendosi pezullimin nga detyra të zv/kryeministres dhe ministres Balluku. Prej 8 javësh, qeveria refuzoi ta zbatojë këtë vendim. Për 8 javë me radhë, Shqipëria ka pasur një zv/kryeministre në kundërshtim me ligjin. Për 8 javë, një zyrtare e pezulluar ka pasur mundësi të ndikojë prova, të intimidojë dëshmitarë dhe të ushtrojë funksione që ligji ia ndalon.

Për 8 javë, një ministre e akuzuar për korrupsion ka menaxhuar gjysmën e buxhetit të shtetit, ndërkohë që drejtësia kishte vendosur ndryshe. Mazhoranca u kthye në mburojë politike, duke refuzuar të zbatojë një vendim të një gjykate kundër korrupsionit.

Sot, pas (mos)vendimit të Gjykatës Kushtetuese, nuk ka më asnjë justifikim. (Mos)Vendimi mund të jetë procedural, por detyrimi për ta zbatuar ligjin është politik dhe moral.

Gjykata Kushtetuese mund të kishte folur më qartë dhe më fort. Por edhe kështu, një gjë mbetet e padiskutueshme: për 8 javë me radhë, ligji është shkelur me vetëdije nga qeveria.

Pas presioneve, sulmeve dhe intimidimeve, qeveria nuk ka më asnjë justifikim. Parlamenti nuk ka më asnjë justifikim për të mos hequr imunitetinsiç e kërkon SPAK. Ndoshta është shumë vonë. Ndoshta disa prova janë dëmtuar. Por sot drejtësia foli dhe kushdo e sulmoi duhet të heshtë.

Respekt për 4 gjyqtarët kurajozë që nuk u tërhoqën nga e drejta. Kjo qeveri sot nuk ka më legjitimitet moral. As në sjellje. As në standarde. As në moral”, shkruan Tabaku.


Lajmi kryesor:

Balluku e pezulluar/ Pas vendimit të Kushtetueses, Kuvendi pritet të shprehet për kërkesën e SPAK për arrestimin! PD: Mblidhni Këshillin e Imunitetit të hënën