Socialistët nuk vonuan. Qëndrimin nëse Belinda Ballukun do t’ia dorëzojnë apo jo drejtësisë duke i hequr imunitetin do ta marrin ditën e enjte.
Burime për Report Tv, bëjnë me dije se grupi parlamentar i Partisë Socialiste do të mblidhet në datë 26, në orën 11 në Pallatin e Brigadave, ku i pranishëm pritet të jetë edhe vetë kryeministri Edi Rama.
Një ditë më parë, tre prokurorët e SPAK i paraqitën argumente shtesë kuvendit se përse duan “arrest me burg” për Belinda Ballukun, por nuk arritën t’i bindnin socialistët të dorëzojnë numrin dy të qeverisë.
Kërkesa e SPAK me gjasë mund të refuzohet dhe sinjalin e parë për këtë e dha Taulant Balla pas mbledhjes së Këshillit të Imunitetit.
Të njëjtën gjë kishte deklaruar edhe Ulsi Manja në mbledhje me prokurorët e SPAK, duke e konsideruar masën e pezullimit nga detyra të mjaftueshme për drejtësinë që të hetojë pa pengesa zv/kryeministren dhe ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Në këtë pikë, mazhoranca dhe opozita vijnë me qëndrime të kundërta. Për Partinë Demokratike e cila brenda javësh do të përgatisë një raport paralel, mazhoranca po bëhet mburojë e Ballukut e po pengon drejtësinë.
“Dënoj me forcën më të madhe qëndrimin dhe urdhrin e tij ndaj vasalëve të tij, që të mos votojnë kërkesën e prokurorisë për heqjen e imunitetit të lubi Ballukut. Akoma më skandaloze janë përpjekjet e tij për të ndryshuar ligjet, për të shkelmuar Kushtetutën, për të cilësuar si persona të papezullueshëm edhe ata të cilët në seri i pezullon vetë Kushtetuta. Tani ka përgatitur projektligjin për të mos lejuar arrestimin e zyrtarëve publikë pa një vendim të formës së prerë të gjykatës”, tha Berisha.
Për këtë pretendim të fundit të Berishës nuk ka asnjë konfirmim nga socialistët për një nismë konkrete ligjore.
Fatin e Belinda Ballukut do ta vendosë Kuvendi me shumicë socialiste, i cili do të duhet të zgjedhë mes dy raporteve, atij të opozitës për lejimin e arrestimit të Ballukut, apo një qëndrimi të socialistëve që i qartë do të mësohet vetëm të enjten. Vendimin pro apo kundër kërkesës së SPAK për arrestimin e Belinda Ballukut, Kuvendi pritet ta marrë në një prej 2 seancave të ardhshme plenare, 5 ose 12 mars.
Komente











