Komisioni i Venecias i ka dhënë dritën jeshile projektligjit të dakordësuar mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike për financimin e partive politike, por rekomandon një sërë ndryshimesh përpara miratimit përfundimtar në Kuvend.
Në opinionin e miratuar në sesionin plenar të 12-13 qershorit, ekspertët e Këshillit të Europës e vlerësojnë projektligjin si një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të kuadrit ligjor për financimin politik, rritjes së transparencës dhe forcimit të kontrollit mbi të ardhurat dhe shpenzimet e partive. Megjithatë, Komisioni i Venecias evidenton gjashtë rekomandime kryesore që, sipas tij, duhet të reflektohen në draft. Sipas opinionit, duhet të ketë më shumë kontroll ndaj donacioneve të huaja dhe fuqizim të rolit të KQZ-së në mbikëqyrje.
Rekomandimet e Komisionit të Venecias
A. Të sigurohet që rregullat që lidhen me financimin e zakonshëm të partive politike dhe ato që lidhen me financimin e fushatave zgjedhore të harmonizohen dhe të mos bien në kundërshtim me njëra-tjetrën.
B. Të parashikohen rregullime më të sakta dhe më të detajuara në vetë projektligjin, duke lënë për aktet nënligjore vetëm aspektet teknike, si dhe të garantohet që rregullat zbatuese të miratuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe Këshilli i Ministrave të bazohen në kritere mjaftueshëm të qarta, objektive dhe të parashikueshme.
C. Të rregullohet në mënyrë më gjithëpërfshirëse financimi i fshehtë dhe financimi indirekt përmes palëve të treta, si dhe përmes entiteteve të lidhura ose të kontrolluara nga partitë politike.
D. Të përcaktohet qartë në ligj që raportet financiare të partive politike duhet të përfshijnë, në mënyrë të detajuar dhe të ndarë sipas kategorive:
-të gjitha burimet e të ardhurave;
-të gjitha shpenzimet;
-pasuritë;
-detyrimet financiare;
-kreditë dhe huatë;
-borxhet;
-garancitë;
-kontributet në natyrë;
-shërbimet e ofruara nën vlerën e tregut;
-transaksionet me entitete të lidhura;
-mbështetjen publike në natyrë;
-shpenzimet për median dhe komunikimin dixhital;
-grantin për barazinë gjinore dhe përfaqësimin e të rinjve.
Gjithashtu, duhet të merret në konsideratë raportimi më i shpeshtë financiar, veçanërisht gjatë viteve zgjedhore.
E. Të forcohet mbikëqyrja e financimit të partive politike, duke:
-krijuar mekanizma të qartë bashkëpunimi ndërmjet Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe institucioneve të tjera shtetërore;
-garantuar që KQZ të ketë mandat të qartë, kompetenca të plota dhe burime të mjaftueshme për të mbikëqyrur në mënyrë efektive dhe proaktive financimin e partive politike;
-siguruar që KQZ të ketë mundësi të hetojë shkeljet e dyshuara të rregullave të financimit politik;
-rregulluar më në detaje strukturën e posaçme për financimin, monitorimin dhe kontrollin e financimit të partive politike që planifikohet të krijohet brenda KQZ-së, duke përfshirë garanci për pavarësinë e saj;
-forcuar pavarësinë e ekspertëve kontabël që kryejnë auditimin e raporteve financiare të partive politike.
F. Të rishikohen dispozitat për sanksionet, në mënyrë që:
-të ketë sanksione për shkeljen e të gjitha detyrimeve dhe ndalimeve të parashikuara nga ligji;
-të ekzistojë një gamë më e gjerë masash ndëshkuese, që të jenë efektive, proporcionale dhe parandaluese;
-të shqyrtohet rritja e disa gjobave administrative;
-masa e ndalimit të një partie për të marrë pjesë në zgjedhje për shkak të shkeljeve të caktuara të ligjit të zbatohet vetëm në raste të rënda, si masë e fundit, pasi partisë t’i jetë dhënë mundësia për të korrigjuar shkeljen dhe vetëm pas një kontrolli gjyqësor efektiv.
Lajmi në përditësim....
Kliko këtu për dokumentin e plotë
Komente











