Sezoni 2025 i Formula 1 rezultoi shumë larg pritshmërive për Lewis Hamilton. Pas transferimit të bujshëm te Ferrari, shtatë herë kampioni i botës nuk arriti të ngjitej asnjëherë në podium, duke përjetuar një nga sezonet më të vështira të karrierës së tij.
Nga viti 2014 deri në vitin 2020, Hamilton dominoi botën e shpejtësisë, duke fituar gjashtë tituj kampion bote në shtatë sezone, me përjashtim të vitit 2016 kur u rendit i dyti pas ish-shokut të skuadrës, Nico Rosberg. Ky dominim mori fund në vitin 2021 me ngjitjen në skenë të Max Verstappen, i cili u shpall kampion bote katër herë radhazi, përpara se titulli i këtij viti t’i kalonte Lando Norris.
Pas largimit nga Mercedes në fund të vitit 2024, pas 12 sezonesh nën drejtimin e Toto Wolff, Hamilton iu bashkua Ferrarit në vitin 2025, duke formuar një dyshe shumë të komentuar me Charles Leclerc. Megjithatë, ajo që në letër dukej si një partneritet ideal, nuk u reflektua në rezultate në pistë.
Britaniku e mbylli sezonin në vendin e gjashtë në Kampionatin e Pilotëve me 156 pikë, shifra më e ulët e tij që nga viti 2009, ndërsa për herë të parë në karrierë nuk arriti asnjë përfundim në podium gjatë një sezoni të plotë.
Në një intervistë për 'Viaplay', Verstappen foli hapur për situatën e rivalit të tij historik.
“Për të, padyshim që nuk ka qenë një sezon i këndshëm te Ferrari. Mund ta ndjesh kudo, sidomos në radio. Sinqerisht, edhe mua më trishton. A do të ndalet? Nuk e di. Ai nuk do të dorëzohet, do të jetë aty. Por nuk është e këndshme ta shohësh”, tha Verstappen.
Hamilton do të mbushë 41 vjeç më 7 janar dhe ende nuk ka njoftuar nëse sezoni i ardhshëm do të jetë i fundit për të në Formula 1, duke lënë të hapur të ardhmen e një prej legjendave më të mëdha të këtij sporti.
Komente




