Vertigoja dhe marramendja janë ndër shqetësimet më të shpeshta shëndetësore, që prekin persona të të gjitha moshave dhe ndikojnë ndjeshëm në cilësinë e jetës së përditshme. Ndjesia se gjithçka rrotullohet rreth nesh, humbja e ekuilibrit apo paqëndrueshmëria gjatë ecjes janë përvoja që shpesh krijojnë frikë dhe pasiguri. Por çfarë është në të vërtetë vertigoja dhe pse shfaqet kjo ndjesi rrotullimi? Përveç shkaqeve të njohura, si problemet me veshin e brendshëm, pas marramendjes shpesh fshihen edhe faktorë më pak të dukshëm: çrregullime të qarkullimit të gjakut, probleme neurologjike, stres kronik, ankth apo mungesa ushqyese.

Në rubrikën “Bima dhe Shëndeti” në Rreze Dielli në Report TV, ndalemi te shkaqet kryesore dhe ato të fshehura të vertigos, si edhe te mënyrat se si kjo problematikë mund të trajtohet dhe lehtësohet në mënyrë natyrale. Specialisti i bimëve mjekësore Ylli Merja, na njeh me trajtime mbështetëse, çajra, kura bimore dhe këshilla praktike për rikthimin e ekuilibrit dhe qetësisë në organizëm.

Vertigo është një ndjesi që mjedisi rreth jush rrotullohet në rrathë. Mund t’ju bëjë të ndiheni të trullosur dhe të ç’ekuilibruar. Vertigo nuk është një sëmundje, përkundrazi, është një simptomë e kushteve të ndryshme. Shkaqet e marramendjes mund të kenë shumë faktorë, ndaj duhet të shohim me kujdes çdo shenjë që trupi unë na jep dhe të analizojmë faktorët”, thekson Merja në fillim të bisedës.

Shkaqet më të shpeshta të vertigos dhe marramendjes

Shkaqe neurologjike dhe të veshit të brendshëm

* Vertigo beninje pozicionale, e shkaktuar nga zhvendosja e kristaleve në veshin e brendshëm ose bllokimi i kanalit të Eustakut - Ndjesi rrotullimi gjatë shtrirjes, kthimit të qafës apo ndryshimit të pozicionit

* Migrena vestibulare (prek lidhjen tru–vesh)

* Sëmundja e Parkinsonit, neuropatia periferike, goditjet vestibulare (sidomos në moshë të madhe); skleroza multiple, tumore cerebrale

* Inflamacione të veshit të brendshëm

* Sëmundja Meniere, e shoqëruar me zhurmë në vesh dhe marramendje

* Bllokim i kanalit hundë–vesh

Shkaqe kardiovaskulare

* Aritmi të zemrës

* Ulje e tensionit arterial, veçanërisht gjatë kalimit nga pozicioni shtrirë në këmbë

* Probleme me qarkullimin e gjakut në tru, të shoqëruara me ndjesi nxehtësie, ftohtësie apo dhimbje në zona të caktuara të kokës

Çrregullime metabolike dhe faktorë të tjerë

* Hipoglicemia, anemia dhe mungesa e hekurit

* Çrregullime të elektroliteve dhe të funksionit të tiroides

* Dehidratimi dhe marrja e pamjaftueshme e lëngjeve

* Probleme të shtyllës cervikale, hernie diskale, lakim i theksuar i qafës

* Përdorimi i disa medikamenteve (antidepresivë, qetësues, barna për gjumë), alkooli apo kafeina e tepërt

* Ankthi, stresi kronik dhe çrregullimet e panikut

* Infeksione virale ose bakteriale, të shoqëruara me lodhje, temperaturë dhe marramendje

Kur duhet të kërkohet ndihmë urgjente mjekësore?

“Duhet të paraqiteni menjëherë te mjeku nëse marramendja shoqërohet me: marramendje të fortë dhe të papritur, me pamundësi për të qëndruar në këmbë; dobësi të përgjithshme trupore; vështirësi në të folur; humbje ose errësim të shikimit, shikim të dyfishtë; dhimbje koke shumë të forte; humbje ndjenje apo të fikët”, këshillon specialisti Merja.

Sipas Ylli Merjas, nëse ne zbulojmë shkakun e vërtetë që na sjell marramendje, këtë problematikë shëndetësore mund ta parandalojmë dhe ta mbajmë në kontroll.

“Ka shumë bimë mjekësore dhe trajtime natyrale mbështetëse për vertigon, që sjellin shumë efikasitet. Kemi xhinxherin, i cili ndihmon kundër të përzierave dhe marramendjes. Ginkgo biloba, përmirëson qarkullimin e gjakut në veshin e brendshëm dhe të mesëm, ndërsa melisa qetëson sistemin nervor. Boronicat ndihmojnë në qarkullimin e gjakut, murrizi stabilizon tensionin dhe përmirëson shëndetin kardiovaskular, sherebela qetëson nervat dhe ndihmon në rritjen e presionit të ulët të gjakut. Gjithashtu edhe rozmarina është një stimuluese e mirë për qarkullimin e gjakut cerebral”, rekomandon specialisti i bimëve mjekësore Ylli Merja.  

Disa çajra qetësues / Vertigo nga qarkullimi i gjakut – ulje tensioni

Zieni në 1 litër ujë të vluar nga një dorë sherebelë, rozmarinë, lule murriz dhe ginkgo biloba. Pihen 2–3 gota çaji në ditë, trajtimi 3-4 javë.

Vertigo nga ankthi dhe stresi

Në 0.5 litër ujë zieni 2 minuta: 1 lugë çaj valeriane, 1 lugë pasiflora, 1 dorë lule bliri

dhe 1 lugë kamomil. Çaji pihet 2 herë në ditë. Gjithashtu pini 2 x 4 pika vaj harmonia pas buke, dhe lyeni e masazhoni zonën rreth veshit me këtë vaj.

Vertigo nga migrena vestibulare

Në 1 litër ujë zieni 2–3 minuta: xhinxher 1 lugë gjelle, borzilok 1 lugë gjelle, melissa 1 lugë gjelle. Pihen çajra gjatë ditës dhe konsumohen boronicë 1 lugë gjelle/ditë; vaj harmonia 2×4 pika/ditë. Masazh rreth veshit 2 herë në ditë me 4-5 pika vaj harmonia. Eshtë e rëndësishme një marrëdhënie e mirë e gjumit 7–8 orë në natë, gjithashtu mund të merrni për pak kohë suplemete të vitaminave B12, D, K2, Mg, ose merrini sa më shumë nëpërmjet ushqimeve si boronica, vezë, fara kungulli, luledielli. Masazh i qafës me kremra relaksues, si kremi Reumer, në rastin e marramendjes çervikale.

 

Shënim i redaksisë: Kurat natyrale janë ndihmëse dhe nuk zëvendësojnë trajtimin mjekësor në rastet kur simptomat përkeqësohen. Konsultohuni gjithmonë me mjekun, sidomos personat me sëmundje kronike.