Kosove-Kryeparlamentari Kadri Veseli takoi kryetarin e komunes se Mamushës, Arif Bytyç
PRISHTINË, 19 Janar /ATSH /.- Integrimi i komuniteteve në institucione, si dhe zhvillimi i tyre i gjithmbarshëm në arsim, ekonomi, qeverisje lokale dhe qendrore është me rëndësi për përparimin e jetës, jo vetëm të komuniteteve, por edhe të vendit tonë, u tha në takimin e sotëm të kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli me një delegacion të komunës së Mamushës, të cilit i printe kryetari i komunës, Arif Bytyç.
Në takim, kryetari Veseli u njoh me zhvillimet në Mamushë, komunë ku komuniteti turk përbën shumicën e banorëve, ecurinë e projekteve dhe investimeve kapitale në komunë, si dhe bashkëpunimin me qëllim të përmirësimit të mirëqenies së të gjitha komuniteteve në këtë komunë.
Veseli theksoi se vendi ynë disponon një vlerë të veçantë, e kjo është bashkëjetesa e komuniteteve. Në fund të takimit, kryetari i Kuvendit mirëpriti ftesën nga kryetari i Mamushës, Bytyç, që në një kohë të ardhme të vizitojë këtë komunë./b.j/k.s/









