/ATSH/.- Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, mori pjesë sot në tryezën e organizuar për çështjen e të zhdukurve nga koha e luftës së fundit në Kosovë.
"Drama e të zhdukurve vazhdon të jetë njëra nga plagët e rënda dhe ende të pashëruara të shoqërisë sonë. Ende, 16 vjet pas luftës çlirimtare nuk dihet fati i 1.650 qytetarëve tanë. Në mesin e të zhdukurve janë edhe 99 fëmijë. Janë të rinj dhe të moshuar, burra dhe gra, punëtorë e bujq, janë intelektualë e veprimtarë të çështjes kombëtare si Ukshin Hoti, Xhavit Haziri e Idriz Rreci, mjekë si Hafir Shala e Adem Ademi, artist si Mehmet Tupella", shkruan Veseli në një postim në rrjetin social "Facebook".
Familjet tona, vijon ai, vazhdojnë të jetojnë me ankthin e mungesës dhe enigmës që mbulon fatin e më të dashurve të tyre. Ato kanë të drejtë të pamohueshme në kthimin e tyre. "Kjo nuk është vetëm një e drejtë njerëzore, por edhe kulturore dhe civilizuese. Nga kohërat që nuk mbahen mend, në kulturën tonë, një nga porositë më të fuqishme ka qenë amaneti për t'u prehur në vendin e lindjes, në tokën e atdheut. Ne do ta përmbushim këtë amanet", përfundon kryeparlamentari Veseli.
Në Kosovë organizohet "Java për Personat e Zhdukur", me përkrahjen e Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, të zyrës së Kryeministrit, në bashkëpunim me Komisionin Parlamentar për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione, dhe Shoqatat Familjare të Personave të Zhdukur.