Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka zhvilluar sot një takim me një delegacion nga Rumania, në përbërje të të cilit ishin parlamentarë, përfaqësues të shoqërisë civile dhe zyrtarë të qeverisë rumune.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Veseli, nëpërmjet një statusi në faqen e tij Facebook bën të ditur se ka zhvilluar takimin me delegacionin rumun ku dhe shprehet se "Takime të tilla që i kontribuojnë komunikimit të ndërsjellë janë të dobishme që institucionet e shtetit rumun dhe publiku i gjerë rumun të njihen me realitetin kosovar dhe të binden se njohja e shtetit të Kosovës nuk ka asnjë efekt negativ në interesat e tyre nacionale".
"Përkundrazi, shteti i Kosovës vetëm sa e ka fuqizuar paqen dhe stabilitetin rajonal. Njohja e shtetit të Kosovës nga Rumania vetëm sa do t'i bënte edhe më të qëndrueshme këto vlera të përbashkëta. Unë kërkova nga delegacioni rumun mbështetjen e institucioneve rumune që Kosova të jetë pjesëmarrëse e nismave rajonale politike dhe ekonomike. Njëra prej tyre është Asambleja Parlamentare e Procesit të Kooperimit në Evropën Juglindore (SEECP), në të cilën, gjatë kësaj pranvere, ne presim të bëhemi anëtarë të plotë. Gjithëpërfshirja është kushti i një bashkëpunimi të frytshëm, për të cilin ka aq shumë nevojë i gjithë rajoni ynë", shprehet Veseli.
Rumania është njëri nga pesë shtetet e BE-së që ende nuk e ka njohur Republikën e Kosovës./atsh/