PRISHTINË, 1 Qershor /ATSH/.-Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli gjatë takimit sot me drejtoreshën rajonale të UNICEF-it, Marie Pierre Poirier, konfirmoi vullnetin dhe përkushtimin e tij dhe të Kuvendit për të qenë pjesë e pandashme e punës në realizimin projekteve që kanë të bëjnë me të drejtat, mirëqenien dhe edukimin e fëmijëve
Gjatë takimit Veseli dhe Poirier biseduan për raportet e Kosovës me këtë mekanizëm shumë të rëndësishëm të OKB-së dhe zhvillimin e projekteve për fëmijët.
Kryeparlamentari Veseli falënderoi Poirier për përkrahjen e vazhdueshme të UNICEF-it për fëmijët e Kosovës, duke e konsideruar këtë një kontribut të çmuar në promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve në vendin tonë.
Nga ana e saj, Poirier siguroi kryetarin Veseli për vazhdimësinë e projekteve në të gjitha fushat që kanë të bëjnë me të drejtat, mirëqenien dhe edukimin e fëmijëve kosovarë.












