Veshje të ndryshme, këpucë e çanta të firmave më të njohura të botës mund të gjenden në çdo cep të Tiranës.

Biznesi i mallrave të përdorura mori hop menjëherë pas viteve ’90, e vazhdon të jetë i përhapur edhe sot.
 
Mira ka nisur të shesë veshje të përdorura që 18 vjeç. Edhe pse nuk preferon të identifikohet, na tregon se shitjet kanë pësuar rënie vitet e fundit, por çmimet e ulëta lënë gjithnjë klientë besnikë.
  
“Kemi klientë të rregullt, marrin mallin më të mirë. Janë të gjitha markat më të fundit po ti shohësh i gjen nëpër dengje. Tepër mall cilësorë”, tha Mira.
 
Të shumta janë edhe dyqanet me këpucë të përdorura, që reklamojnë kryesisht mallrat e ardhura nga jashtë.
 
 Jona merret me këtë biznes prej një viti. Ajo shprehet se konsumatorët zgjedhin cilësinë e mallit që ofrojnë markat dhe çmimin e ulët të tyre.

“Mallrat e përdorura ecin goxha mirë, mallin e kemi cilësorë e marrim nga jashtë, nga Italia. Furnizimin e kemi një herë në dy muaj dhe ka goxha kërkesa. Duan marka normalisht, sa më shumë të kesh markë qa më shumë shiten” tha Jona.
 
Të dhënat nga  INSTAT tregojnë për një rritje të fortë të importit të veshjeve të përdorura që prej 2012-s, ndaj konkurrenca në këtë sektor është rritur shumë. Një gjë e tillë konfirmohet edhe nga Jona.
 
 “Ne detyrohemi nga konkurrenca të bëjmë ulje sepse ka mallra që janë të paprekura fare, të paveshura që mund të shiten nga 200 mijë lekë në dyqan. Por nga konkurrenca detyrohesh ta ulësh çmimin, maksimumi çmimi që mbajmë është 35 mijë lekë. Tani vera ka pak rënie sepse njerëzit shkojnë plazh, por jam e kënaqur. Vjen dimri dhe ka goxha kërkesa”, shprehet Jona.
 
Për 2016-n, sipas të dhënave nga INSTAT, vlera e importeve të veshjeve të përdorura është rreth apo rreth 20 milionë euro, me një rritje prej 13% krahasuar me një vit më parë. Rreth 50% e tyre vijnë nga shteti fqinj Italia, por edhe nga vende të tjera si Kina, Gjermania dhe Turqia. 

Redaksia Online
J.Sh Shqiptarja.com