Sot është 33 vjeç dhe ka luajtur me disa nga klubet më të njohura në Evropë, por Granit Xhaka nuk e harron nga vjen. Në një intervistë të fundit për faqen zyrtare të Premier League, kapiteni i Sunderlandit dhe Zvicrës është prekur duke derdhur lot, teksa rrëfente vështirësitë e fëmijërisë dhe sakrificën e prindërve në kurbet.
"Ne kurrë nuk harrojmë nga vijmë. Lidershipin e kam pasur që në moshën 4-vjeçare. Prindërit e mi punonin gjatë gjithë ditës. Punonin ekstra për të na dhënë atë që donim. Vëllai im është një vit më i madh se unë, ai ishte 5 vjeç, unë 4. Por çelësin e shtëpisë e mbaja unë, kisha përgjegjësi për çelësat që në atë kohë.
Kishte periudha kur qëndronim deri në 18 orë vetëm në shtëpi. Dhe gjithmonë them se nuk mund ta imagjinoj t’i lë vetëm fëmijët e mi për 18 orë. Nëna ime punonte nga ora 4 e mëngjesit deri në orën 3 pasdite. Vinte, përgatiste ushqimin tjetër dhe shkonte sërish në punë. Edhe babai im njësoj. Ne kurrë nuk harrojmë se nga vijmë. Nëse beson në diçka dhe punon fort, mund t’ia dalësh“, u shpreh Xhaka i përlotur.
Graniti këtë sezon ka luajtur 26 ndeshje me Sunderlandin në Premier League, duke shënuar një gol dhe asistuar në pesë raste. Ai mban shiritin e kapitenit në kombëtaren e Zvicrës dhe ka zhvilluar 143 paraqitje, duke shënuar edhe 16 gola për helvetët.
Komente







