Vetingu rifillon me dosjen e anëtarit të KLP-së që ONM kërkon përjashtimin nga drejtësia, 2 kryegjyqtarët që duan të rikthehen në detyrë

Procesi i Vetingut do të rifillojë në vitin 2020 me shqyrtimin e kërkesës së Komisionerit Publik për shkarkimin nga detyra të anëtarit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Besnik Cani, me pretendimin se nuk justifikon një pjesë të pasurisë. Seanca e parë do të zhvillohet paraditen e së mërkurës, 8 janar 2020, në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, me trupë gjykuese të kryesuar nga Rezarta Schuetz, Ardian Hajdari relator si dhe me anëtarë Albana Shtylla, Luan Daci dhe Sokol Çomo.

Prokurori Besnik Cani u konfirmua në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit në nëntor të vitit 2018, pavarësisht disa problematikave të konstatuara sa i përket kriterit të aftësisive profesionale si dhe dyshimeve sa i takon etikës. Më pas, Cani u zgjodh anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Por, përfaqësues nga SHBA-BE në Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit, në janar të 2019, i rekomanduan Komisionerit Publik që të kërkonte rrëzimin e vendimit të KPK-së në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit. Në rekomandimin e ONM, përpos të tjerave, theksohet se prokurori Cani ka tentuar të përfitojë një kredi të butë në Bashkinë e Fierit, ndërsa nuk ka hetuar ish-krybashkiakun e Fierit Baftjar Zeqo si dhe disa tendera të dyshuar si abuzivë në Elbasan.

Në shkurt të 2019, Komisioneri Publik pranoi rekomandimin e ONM-së, ndërsa i kërkoi Kolegjit të Posaçëm të Apelimit shkarkimin e anëtarit të KLP-së Besnik Cani nga detyra, duke ngitur disa pretendime sa i takon pasurisë, aftësive profesionale dhe etikës. Sipas Komisionerit 'përfitimi jashtë kritereve ligjore të statusit të pastrehë i familjes së subjektit, në qytetin e Fierit, ndërkohë që ky i fundit ushtronte funksionin e drejtuesit të Prokurorisë në këtë qytet, që po hetonte të njëjtët subjekte shtetërore për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentesh në trajtimin e familjeve me kredi të buta, është rrjedhojë e përfitimit të padrejtë për shkak funksioni dhe bie ndesh me përmbushjen e standardeve të etikës profesionale. Komisioneri Publik, në ndryshim nga përfundimi i Komisionit, vlerëson se subjekti i rivlerësimit ka cenuar etikën e magjistratit (neni 61/4), e për rrjedhojë besimin e publikut në sistemin e drejtësisë (neni 61/5)'. Për të gjitha pretendimet e Komisionerit dhe ONM, Cani do të paraqesë versionin e tij para Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.

Në 13 janar, Kolegji i Posaçëm i Apelimit do të nisë shqyrtimin e kërkesës së kryetarit të Gjykatës së Pukës Izet Kadana për të rrëzuar vendimin e shkallës së parë të Vetingut, i cili e ka shkarkuar nga detyra. Ndërsa me 15 janar, Kolegji do të shqyrtojë kërkesën e kryetarit të Gjykatës së Korçës Admir Belishta për t'u rikthyer në detyrë. Ndërkaq, në 16 janar, Kolegji i Posaçëm i Apelimit do të vijojë shqyrtimin gjyqësor të kërkesës së Komisionerit Publik për Shkarkimin nga detyra të prokurorit të Apelit në Shkodër, Arben Dollapaj. Ky i fundit është konfirmuar në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, por vendimi kundërshtihet nga Komisioneri. Gjatë këtyre seancave, priten përballje të forta mes njerëzve të drejtësisë nga njëra anë dhe ONM e Komisionerit Publik nga ana tjetër.

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Bashar Al-Assad rrezikon gjykimin për krime ndaj njerëzimit në Gjykatën Penale Ndërkombëtare

Bashar Al-Assad rrezikon gjykimin për krime ndaj njerëzimit në Gjykatën Penale Ndërkombëtare