Vetingu shpërbëhet në qershor 2022, vota e PD-së vendimtare për zgjatjen e mandatit, gjysma e gjyqtarëve e prokurorëve ende s’janë verifikuar

Vetingu shpërbëhet në qershor 2022, vota e PD-së vendimtare për zgjatjen e mandatit, gjysma e gjyqtarëve e prokurorëve ende s’janë verifikuar

TIRANË- Komisioni i Pavarur të Kualifikimit, organi bazë i Vetingut, do të shpërbehet dhe rrjedhimisht do pushojë së funksionuari në qershor të vitit 2022, ndërkohë që gjysma e gjyqtarëve dhe prokurorëve nuk i janë nënshtruar ende procesit të verifikimit për ligjshmërinë e pasurive, pastërtinë e figurës dhe aftësitë profesionale. Pika 8 e nenit 179/b të Kushtetutës parashikon që mandati i anëtarëve të Komisionit të Vetingut është 5-vjeçar dhe pas këtij afati Komisioni shpërbëhet. 12 anëtarët e KPK-së janë zgjedhur në qershor të vitit 2017, që do të thotë se detyra e tyre përfundon në qershor të 2022. 

Kur Kuvendi i Shqipërisë miratoi ndryshimet Kushtetuese në 22 korrik 2016, duke projektuar drejtësinë e re, nuk e kishte parashikuar që procesi i verifikimit të 800 gjyqtarëve dhe prokurorëve do të kishte një ritëm kaq të ngadaltë, ku sot, rreth 400 subjekte nuk kanë kaluar ende në filtrin e trefishtë të Vetingut.  

Me këtë ritëm, edhe pse Kuvendi ka shtuar herë pas herë stafin e KPK-së, deri në qershor 22, parashikohet të mbeten pa iu nënshtruar Vetingut 40-35 % të gjyqtarëve dhe prokurorëve, kryesisht të shkallës së parë. Pas qershorit 2022, sipas Kushtetutës, kompetenca e procesit të Vetingut i kalon Këshillit të Lartë Gjyqësor për gjyqtarët dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë për prokurorët. 

Për të marrë ‘stafetën’ e Vetingut, KLGJ dhe KLP duhet të rekrutojë stafin me ndihmës ligjorët dhe ekspertët, të cilët do të përgatisin dosjet për secilin gjyqtar dhe prokuror. KLGJ dhe KLP janë dy qeveritë e drejtësisë në Shqipëri dhe si të tilla, marrja përsipër e procesit të Vetingut, do të ishte një ngarkesë ndoshta e papërballueshme. 

E vetmja zgjidhje është zgjatja e mandatit të Komisionit të Vetingut deri kur të verifikohet gjyqtari dhe prokurori i fundit. Por, zgjatja e mandatit mundësohet vetëm përmes ndryshimit të Kushtetutës. Dhe për ndryshimin e Kushtetutës është vendimtare vota e deputetëve të Partisë Demokratike, të cilët janë nën influencën e Sali Berishës, një kundërshtar i përbetuar i procesit të Vetingut dhe reformës në drejtësi në tërësi. 

Gjithsesi kryeministri Edi Rama dhe kryetari i PD Lulzim Basha kanë shkëmbyer ditët e fundit disa mesazhe në distancë për nevojën e bashkëpunimit për reformat. Mbetet për t’u parë nëse opozita dhe maxhoranca do ta gjejnë gjuhën e përbashkët për të ‘shpëtuar’ procesin e Vetingut, për të çuar deri në fund aksionin historik për pastrimin e drejtësisë nga gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar. 

Në qershor 2022 përfundon edhe mandati i Komisionerit Publik, i cili ankimon vendimet e KPK-së në Kolegjin e Apelit kur e sheh se ka shkaqe ligjore. Kompetenca e Komisionerit i kalon kreut të SPAK. Ndërsa mandati i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit mbaron në vitin 2026.

B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Basha akuzon se ka aleancë PS-Rithemelimi kundër SPAK, e besoni?



×

Lajmi i fundit

Plas grushti mes deputetëve në Parlamentin e Gjeorgjisë

Plas grushti mes deputetëve në Parlamentin e Gjeorgjisë