“Vettingu i vjetër”, që ka fjetur dhe fle gjumin e të vdekurve!

“Vettingu i vjetër”, që ka fjetur dhe fle gjumin e të vdekurve!

Sa më shumë trazohet kazani, që qelbet erë deri përtej Adriatikut, aq më shumë trashet llapaja, kjo çorbë e prishur dhjetra vjeçare. Kurse kazanxhiu, “timonieri” i Reformës në Drejtësi, e sjell çorbën rreth e rreth enës, duke kënduar elegji, me një ngadalësi të admirueshme për nga stili, teksa ne kërcejmë përreth tij të pashqetësuar, duke i mbajtur “ison”, me hedhje dhe spërdredhje, ndërkohë që na duhet të bërtasim dhe të ulërasim!

Duhet të bërtasim dhe ulërasim, pa na sosur durimi, që “kazanxhiu” t’i nxitojë duart dhe të sjellë histori të viktimave, që i kanë vuajtur nën lëkurë të gjitha krimet mostruoze të kryera prej tyre, që krimineli të marrë dënimin e merituar, neni 74: Krime kundër njerëzimit!

Është tallje, që i bëhet të gjithë të “përvëluarve” të padrejtësisë, nga këta dashnorë të krimit, që na sillen nëpër salla me kokën lart, ndërsa mbajnë ende veshur kostumin e Zotërisë, kur duhet të ishin rezident të… qelisë!

Madje guxojnë të na hiqen si të habitur, kur u faktohet, se brenda “Manastirit të Prostitutave” Drejtësi, gjysma e banorëve janë imoral… ndërsa pjesa që ngelet, shtatëzanë por të virgjër, sepse nuk janë treguar aq të “zgjuar”, sa ta mbajnë lekun nëpër duar. Pastaj, jo të gjithë kanë pasur fat në dashuri me… bixhozin, sikurse pretendojnë disa, e ju sigurojë, se “golat” e vetëm që kanë parë në jetën e tyre, janë pikërisht ato që kanë shënuar ata, në kurriz të viktimës “fajtor”… ende pa e gjykuar!

Pjesa tjetër janë për tu qarë “hallin”! Si të pafat, kanë qenë të “sforcuar” për të shkolluar fëmijët jashtë vendit, ku një vit akademik, për secilin prej tyre, kap shifrat 40 mijë euro… Me kaq para, një familje normale shqiptare, me të ardhura mujore 50 mijë lekë në muaj, do të jetonte pa pasur frikën e urisë, të paktën për 10 vite!

Pa përmendur vilat, makinat dhe bizneset me pronar “anonim”, veshmbathjet, botoksin e gruas, koronaret në stomak dhe pushimet e luksit jashtë vendit, që edhe këto duhet të ishin pjesë e hetimit pasuror, për vlerësimin e pastërtisë së figurës. Është për të qeshur, kur mendon se këta “grykësa”, mund të dënohen për korrupsion, vetëm nga unazat që kanë në stomak, të cilat nuk i fshehin dot dhe duhet të jenë objekt hetimi!

Pastërtia e figurës, përmes deklarimeve të pasurisë, është një proces, që nuk e bënë “xhelatin” më pak të fajshëm, në këtë sistem të korruptuar… ku lufta bëhet për të kapur kriminelin më të zotë, që ka grabitur më shumë, që ka shitur më shumë jetë njerëzish… e të falim atë më pak mizor, që është treguar i mëshirshëm me të pafajshmin, por ka liruar të fajshmin, që nuk ka burgosur aq shumë sa kolegu i tij, apo që u ka kërkuar më pak para viktimës… e ta quajmë zoti Kriminel zemërbutë!

Deri më tani, ONM është shprehur vetëm për vila e saraje, apartamente, makina dhe llogari bankare… që janë më të kuptueshme për një qytetarë të zakonshëm, të cilit nuk do t’i shkonte kurrë ndërmend të “kuptonte”, se kjo bandë shpenzon dhjetra mijëra euro në vit, për të varur piktura në muret e shtëpisë, të veshur me ora dhe syze floriri, për të ngrënë me lugë dhe pirunjë argjendi, koleksionin e çantave të vajzës dhe këpucëve të gruas, librat e Oxford-it të djalit, apo pushimet nëpër resorte (four season), të paktën 2 herë në vit!

Kjo është histori e vjetër… në vazhdim, sepse ka patur edhe ka një vetting, që ka fjetur gjumin e të vdekurve… i quajtur ILDKP.

Ky institucion, përgjegjës për të bëri iventarin e “shtëpisë”, ka të paktën 10 vite që fle gjumë dhe i lejon kriminelët ta bëjnë gjumin të pashqetësuar. E çfarë mund të presësh nga ky institucion, kur ish-kryetari i saj, Adriatiku i “tmerrshëm”… për të mos gjykuar njeri, që sot është nën hetim, ishte i pari që u detyrua të hiqte nga rrjetet sociale, fotot e vajzës dhe të djalit, që faktojnë korrupsionin e tij?!

Pse fle gjumë Shkëlqim Ganaj, sikurse paraardhësi i tij dhe si e justifikon, moskompetencën për zbatimin e detyrave, të faktuara nga ONM, duke nxjerrë të korruptuar gjysmën e gjyqtarëve dhe prokurorëve të skanuar prej procesit?! ILDKP ose drejtohet nga të paaftë, ose nga njerëz që bashkëpunojnë me kriminelë, që duhet të largohen sa më parë nga pozicioni i kryetarit.

Kryetari deklaroi sot, se 50% e subjekteve të tij kanë probleme me pasuritë, por asnjëherë nuk deklaroi, se sa herë i kishte dërguar përpara drejtësisë problematikët dhe sa gjoba ishin vjelur nga ato “të rëndat”… 50 mijë lekshe?! Ndaj nuk e kuptoj, se përse gjithë kjo farsë vetting, kur strukturat antikorrupsion kanë vite që paguhen nga ne, që na vjedhin, sepse vjedhja ka qenë e mbrojtur në sistem dhe vazhdon të jetë e mbrojtur?!

ILDKP nuk është strukturë vetëm për drejtësinë, por për gjithë administratën e shtetit, që nga Presidenti i Republikës e deri tek një punonjës tatimesh, ndaj ndjehesh vërtetë pa gojë dhe nuk di si ta shpjegosh, se përse nuk funksionon, sepse vettingu për politikanin është një ditë e largët ose… kurrë dhe kryevettingu, që na ka mbetur në gjumë, është kontrolli i pasurive, që siç duket, është i zënë me vettingun… e policëve!

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja