'Vetingu në politikë' Report Tv zbardh pr/ligjin e PD! Propozon ndryshimin e ligjit që filtron pasuritë e politikanëve! ‘Hetimi’ pasuror me organ kolegjial

Lulzim Basha propozon reformim të Inspektoriati të Lartë të Deklarimit të Pasurisë dhe Konfliktit të Interesit, që bën hetimin pasuror të politikanëve, me një organ kolegjial që do të quhet Autoriteti për Luftën kundër Korrupsionit, i përbërë nga 5 anëtarë.

Në projekt-ligjin e depozituar në Kuvend, i cili u zbulua ekskluzivisht në emisionin Repolitix në Report Tv, për të ashtëquajturin “Vetting në Politikë”, Basha propozon ndryshime në ligjit me të cilin aktualisht bëhet verifikimi i pasurisë së politikanëve: “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë” që sipas këtij drafti, ndryshon e quhet ligji “Për luftën kundër korrupsionit, deklarimin e interesave private dhe kontrollin e figurës”.

Autoriteti që njëkohësisht do të bëjë hetimin pasuror, por edhe hetimin për lidhjet me krimin të politikanëve dhe funksionarë të tjerë shtetëror, sipas projekt-ligjit, do të funksionojë në mënyrë kolegjiale, sikurse sot funksionon organi që bën vettingun në gjyqësor.

“Autoriteti për luftën kundër korrupsionit është person juridik publik, i pavarur, përgjegjës për zbatimin e këtij ligji për administrimin dhe kontrollin e deklarimit të pasurisë, kontrollit të figurës, konfliktit të interesave dhe interesave privatë.

2. Autoriteti ka seli në Tiranë dhe financohet nga buxheti i shtetit.

3. Autoriteti organizohet dhe funksionon sipas rregullave të përcaktuara në këtë ligj dhe në rregulloren e funksionimit, që miratohet prej tij.

4. Autoriteti i kryen funksionet e tij, të përcaktuara në këtë ligj, në mënyrë kolegjiale. Legjislacioni në fuqi për funksionimin e organeve kolegjiale dhe Kodi i Procedurave Administrative zbatohet për aq sa është e mundur në funksionimin e Autoritetit”.

Projektligji parashikon që listës së personave që i nënshtrohet hetimit pasuror, hetim të jenë edhe kryetarët e partive:

“Mbartin detyrimin për deklarimin periodik të figurës në Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Integritetit: a) Presidenti i Republikës, deputetët e Kuvendit, Kryeministri, Zëvendëskryeministri, ministrat e zëvendësministrat dhe kryetarët e partive politike.”

Në draftin, që sipas kreut të PD është dorëzuar në Kuvend, parashikohet që nëse funksionari shtetëror refuzon deklarimin e pasurisë, lë detyrën.

“Refuzimi për deklarim sjell humbjen e funksionit ose të të drejtës së kandidimit dhe ndëshkimin në përputhje me Kodin Penal. Autoriteti, brenda 30 ditëve, i dërgon organit përgjegjës njoftimin e motivuar për largimin nga puna të personit që refuzon të deklarojë. Organi përgjegjës, brenda 30 ditëve nga marrja e njoftimit, është i detyruar të marrë masa për largimin nga puna të punonjësit që ka refuzuar deklarimin. Kur deklarimi refuzohet nga personat e zgjedhur Autoriteti vë në dijeni Kuvendin dhe, kur është rasti, edhe organin epror të personit. Kur deklarimi refuzohet nga persona të cilët kandidojnë për deputet dhe kryetar bashkie Autoriteti vë në dijeni Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, si dhe subjektin polititk që ka propozuar kandidatin. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve brenda 5 ditëve nga marrja e njoftimit i kërkon subjektit propozues zëvendësimin e kandidatit ose çregjistrimin e tij. Në të gjitha rastet e refuzimit të deklarimit, me kalimin e 30 ditëve nga njoftimi i organit përgjegjës, Autoriteti detyrohet të bëjë publike rastet e refuzimit të deklarimit.”, thuhet në nenin 8 të projektligjit.

Por në propozim shkohet edhe më tej, duke parashikuar raste specifike kur kërkohet kontrolli i integritetit të subjekteve të këtij projektligji.

'Kontrolli i integritetit për subjektet e parashikuara nga neni 3 pika 4 i këtij ligji, kryhet sa herë kjo kërkohet nga 7 deputetë, Kryetari i Kuvendit, Kryeministri, Prokurori i Përgjithshëm, Drejtuesi i SPAK, si dhe nga jo më pak se 500 shtetas me të drejtë vote. 2. Kërkesa për kontroll duhet të përmbajë të dhëna, fakte apo rrethana specifike. Mungesa e tyre, në çdo rast, nuk pengon fillimin e kontrollit, sipas këtij ligji. 3. Çdo nismëtar i kërkesës gjobitet me 100 000 lekë kur pas kryerjes së kontrollit, kërkesa dukshëm është kryer me të dhëna të pavërteta. 4. Të drejtën për të bërë kërkesën për kontroll paraprak të kandidaturave në zgjedhje apo organe kushtetuese e ka edhe një parti politike për kandidatë të mundshëm të saj. Kjo kërkesë bëhet edhe jashtë periudhës zgjedhore dhe vetëm me pëlqimin e shtetasit, subjekt i verifikimit.'- thuhet në projektligj.

Autoriteti, sipas draftit të PD bashkëpunon me organet e drejtësisë në një tjetër rol të rëndësishëm që duhet të luajë: atë për verifikimin e lidhjeve të politikanëve me krimin.

'Autoriteti për verifikimin e rrethanave që lidhen me figurën kërkon raportim nga gjykata, prokuroria, byroja kombëtare e hetimit, policia e shtetit, shërbimet shtetërore informative dhe çdo organ tjetër që ka në kompetencë administrimin e të dhënave të nevojshme. Autoriteti ka të drejtë të komunikojë me shtetet e tjera për të marrë informacionin e nevojshëm për personat e përfshirë në krimin e organizuar ose për personat e dyshuar si të përfshirë në krimin e organizuar për qëllim të këtij ligji.'- thuhet në draft.

Por kur një politikan, sipas këtyre propozimeve, quhet i lidhur me krimin?

'Rrethanat që merren parasysh në konstatimin se ekziston një kontakt i papërshtatshëm me një person të përfshirë në krimin e organizuar, janë kur:

a)            subjekti është fotografuar, ose kur një dëshmitar përshkruan një takim me një person të përfshirë në krimin e organizuar;

b)            subjekti ka pasur një komunikim jorastësor me një person të përfshirë në krimin e organizuar;

c)            subjekti ose një person i lidhur me të ka shkëmbyer para, favore, dhurata ose pasuri me një person të përfshirë në krimin e organizuar;

ç) subjekti ka lidhje të ngushta me një person të përfshirë në krimin e organizuar;

d)            subjekti merr pjesë ose është i pranishëm në takime me një ose më shumë persona të përfshirë në krimin e organizuar. Anëtarësia e dyshuar e personit në krimin e organizuar duhet të jetë e njohur, e publikuar ose të jetë një çështje e dokumentuar në regjistrat përkatës.'- thuhet sipas draft-projektligjit.

Megjithatë pranimi i këtij drafti bëhet gjithnjë e më i vështirë për Lulzim Bashën në Kuvendin e Shqipërisë në kushtet kur mes të tijve I kanë mbetur vetëm 9 deputetë pro. I vetmi shanc I tij për ta kaluar janë votat e së majtëve.

(Kliko këtu për të parë dokumentin e plotë)

M.Q./SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Ndergjegja: 09/11/2023 05:40

    O hajdut lulashi salehut,o hajdut i rruges kombit,o ministri brendeshem i 21 janarit ti duhet te jesh person ne hetim e gjykim nga SPAK-u,je i pabesueshem...

    Përgjigju
  • Qobani: 09/11/2023 01:26

    Pa idhnime,a po bindeni npraktik se nballkan vetë dreqnit jan klerikët fetar,vajtustë i kan xhemat,tgjithë së bashku jetojnë n’korriz të huajë,nuk asht qudi pse po fuqizohen katastrofat natyrore,nuk ashtë von ta pranojnë Drejtsin,argumentet sgabojnë

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Moti i keq, frika nga reshjet e dendura, bashkia Vlorë bën thirrje qytetarëve: Mos parkoni makinat në këto zona

Moti i keq, frika nga reshjet e dendura, bashkia Vlorë bën thirrje qytetarëve: Mos parkoni makinat në këto zona