Vëzhgim në Vorë, stacioni i ri
i Tiranës, Pasagjerët: Ka vonesa

Vëzhgim në Vorë, stacioni i ri<br />i Tiranës, Pasagjerët: Ka vonesa
TIRANE - Të udhëtosh për në Tiranë dhe anasjelltas me tren, do të duhet të kalosh nëpër shumë stacione, derisa të mbërrish në destinacion. Tashmë “kryeqendra” e vendit për udhëtimin hekurudhor për ata pak pasagjerë, të cilët në të shumtën e rasteve zgjedhin këtë mjet udhëtimi për shkaqe ekonomike, nuk është më Tirana, por Vora, duke iu shtuar edhe më shumë peripecitë që kanë.

Kjo, pasi të gjithë ata që duan të zbresin në Tiranë, apo të ikin nga Tirana në Durrës, Shkodër apo Elbasan me tren, do të duhet të maten mirë për efektet kohore, ose ndryshe, edhe pse janë pleq me paterica, duhet të vrapojnë që të kapin të vetmin mjet transporti që mund të përballojnë. Udhëtimi i lodhshëm, stresues, plot zhurmë dhe me pluhur për ta nis që te bletaria e Stacionit të Trenit në Tiranë, ku aktualisht nuk ka më tren, por udhëtarët duhet të presin autobusin për të arritur atë.

Por çfarë thonë udhëtarët, kemi shkuar enkas për të folur me ta në të ashtuquajturin Stacion Treni, pasi tashmë mund të konsiderohet me gojën plot, ish-Stacioni i Trenit. Njerëz që afrohen tek biletaria për të prerë biletën ishin kryesisht të moshuar dhe studentë, por kishte edhe turistë të cilët kishin ardhur nga Kosova apo Maqedonia për të kaluar pushimet në vendin tonë.

Ata u treguan të gatshëm që të flisnin për gazetën “Shqiptarja.com” dhe të tregonin problemet dhe vështirësitë që i sillte udhëtimi me autobus. Një burrë i moshuar, i cili qëndron në mes të vapës duke pritur orarin e autobusit thotë se ndihet shumë i shqetësuar nga kjo gjendje. Frika e tij qëndron në faktin nëse autobusi do të shkojë apo jo në Vorë në orarin e duhur në mënyrë që ai të kapte trenin për të arritur në qytetin bregdetar të Durrësit.

“Me këtë punën e autobusit është bërë një rrëmujë totale. Unë kam 12 vite që udhëtoj me tren, kjo për shkak se është më ekonomike. Më parë ka qenë shumë më mirë udhëtimi me tren. Por, tashmë jam shumë i shqetësuar, po pres autobusin këtu në pikë të vapës. Përveç kësaj nuk e di nëse do ta kap dot trenin në Vorë apo jo sepse treni nuk do të na presë ne. Nuk dimë ku të shkojmë, kështu është bërë shumë e vështirë.

Nuk është zgjidhje nëse ofrohet transporti falas. Bashkia të bënte më parë linjën e re të trenit dhe më pas të mbyllte të parën”, përfundon i moshuari. Por, përveç personave, të cilët e kanë zgjedhur trenin për shkak se ka çmim të arsyeshëm ekonomik, kishte dhe nga ata persona të cilët pas shumë vitesh i kishte shtyrë kurioziteti për të udhëtuar me tren.

Bakiu nga Shkodra shprehet se ai nuk kishte udhëtuar me tren që prej vitit 1991, dhe dje kishte vendosur që rrugën për në qytetin e tij të Shkodrës ta bënte me tren dhe jo me furgon si herët e tjera. Bakiu thotë se kur ka dëgjuar që Bashkia ka vënë autobusë në dispozicion, ka menduar që ta provojë dhe ai sesi mund të jetë ky rrugëtim. “Është rasti i parë që preva biletën për të udhëtuar me tren, thjesht sepse më shtyu kurioziteti për të udhëtuar me autobus dhe më pas për t’i hipur trenit në Vorë.

Kam që në vitin 1991 që nuk udhëtoj me tren”. Por, në momentin që ngjitemi në autobus bashkë me Bakiun vërejmë se është i mbushur plot e përplot me pasagjerë. Pothuajse të gjithë janë pasagjerë të Durrësit, të cilët janë “shtrydhur” me njëri-tjetrin, në këtë autobus të vetëm që mundëson rrugëtimin nga Tirana në Vorë. Shikojmë njerëz të cilët vrapojnë për të zënë një sedilje bosh, në të kundërt duhet të durojnë presionin e vapës dhe erës mbytëse.

Ky është vetëm një moment nga “sekëlldia” që shoqëron udhëtimin Tiranë-Durrës, ajo që dikur bëhej me tren. Më pas teksa zbresim në Vorë, njerëzit sërish i sheh duke vrapuar, por këtë herë për të kapur trenin. Një zonjë e moshuar, e cila mbahej nga dy paterica kërkon ndihmë nga pasagjerët, pasi nuk mundej që të ecte. Por, askush nuk e dëgjonte dhe aq më tepër ta ndihmonte. Ata vetëm vraponin, në mënyrë që të arrinin të kapnin trenin për në Durrës.

Pas këtij kaosi, afrohemi tek lokali i vetëm që ndodhet pranë stacionit hekurudhor të Vorës, ku udhëtarët mund të ulen që të presin trenin, të pinë ndonjë teke raki apo për të ngrënë qofte, djathë dhe vezë të zier, të vetmet ushqime që ofron ky lokal. Pronari i tij, Samiu na tregon se këto ditë ka pasur një fluks njerëzish, të cilët ndalesën e kanë bërë në Vorë.

“Këtë javë ka pasur lëvizje, por ne presim fluksin e studentëve, pasi ka shumë studentë që udhëtojnë me tren nga Durrësi. Tani që ndalesat bëhen në Vorë shpresoj që kjo të sjellë të ardhura edhe për biznesin tim”, përfundon Samiu. Ndërsa biletashitësja në Vorë na tregon çmimet, të cilat edhe pas zhvendosjes së trenit duket që nuk kanë ndryshuar.  Nga Vora në Tiranë bileta kushton 40 lekë, ndërsa nga Vora në Durrës kushton 55 lekë.

Udhëtari i cili flet për Shqiptarja.com me logo
(Në foto: Udhëtari i cili flet për Shqiptarja.com)

Stacioni i trenit ne vore 2 me logo
Stacioni i trenit ne vore 1 me logo
(Në foto: Stacioni i trenit në Vorë)

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 07.09.2013
 
Redaksia online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Qeveria do të zhvillojë Industrinë Ushtarake, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Rusia shton në listën e sanksioneve edhe 92 qytetarë amerikanë

Rusia shton në listën e sanksioneve edhe 92 qytetarë amerikanë