Serie A e futbollit nisi këtë të premte javën e 38-të dhe të fundit të sezonit. Në "Mapei Stadium", Sassuolo vendase humbi 1-3 me Fiorentinën. 32 minuta në këtë sfidë për Sassuolon luajti edhe Nedim Bajrami, me fantazistin shqiptar që nuk shmangu dot humbjen e të tijve.
Pjesa e parë e takimit u mbyll me rrjeta të paprekura, teksa gjithçka u vendos në 45 minutat e dyta. Ishte Cabral që në të 46 minutë kaloi Fioren në avantazh, ndërsa Berardi vendosi ekuilibrat në të 71 minutë.
Saponara në minutën e 79 shënoi golin e dytë për miqtë, para se Gonzales në të 83 minutë të shënonte për 1-3. Veç katër golave, në këtë duel u akorduan edhe dy kartona të kuq. Tressoldi dhe Rogerio për Sassuolon lanë ekipin me 9 futbollistë në fundin e ndeshjes.
Me 56 pikë, Fiore e mbyll këtë sezon të Serie A në vendin e tetë jashtë Evropës, ndërsa Sassuolo me 45 pikë mban vendin e 13-të.